E Diel, 1 Nëntor 2026

"Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit" Baleti Rajmonda dhe Spartakus premton net të tjera emocionuese

Sezoni artistik rikthen në Tiranë balerinin e njohur Leonard Xhokaxhi (Ajkun)
Net të tjera emocionuese do të vijnë sërish në skenën operistike. Pas premierës së operës Falstaff artistët e TKOB po përgatiten për një tjetër shfaqje, por këtë herë ajo do të jetë balet. Vazhdon me ritme të shpejta sezoni artistik i Teatrit Kombëtar  Operës dhe Baletit, ku pas disa ditësh në skenë do të vijë baleti Rajmonda dhe Spartakus, që vjen nën koreografinë e Leonard Xhokaxhi(Ajkun), i cili do të jetë dhe njëri nga solistët e baletit. Në këtë shfaqje janë të ftuar dhe artistë, të cilët vazhdojnë aktivitetin e tyre në kompaninë e Xhokaxhi në Amerikë. Në këtë balet do të marrin pjesë trupa e baletit të TKOB, solistët më të mirë të teatrit. Baleti do të jetë katër net në skenën operistike në datat 16, 17,18 dhe 19 qershor. Në vijim të aktiviteteve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të vijë më pas dhe Dita Ndërkombëtare e Muzikës Matinne e pianistëve të rinj në bashkëpunim me Aleancën Franceze, një aktivitet që do të zhvillohet në datën 21 qershor. Ndërkohë që në ditët në vijim do të vijë galaja  e datës 26 qershor që është një bashkëpunim me CEE MusicThetare në Vjenë Bursistët Ndërkombëtarë të Vjenës, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Kjo do të jetë një mbrëmje e veçantë gala me pjesëmarrjen e Orkestrës Simfonike të TKOB dhe dirigjentit, që do të vijë nga jashtë vetëm për këtë eveniment muzikor. Ndërkohë që balerini Leonard Xhokaxhi në kuadër të shumë shfaqjeve që ka dhënën në skenën operistike, ai një vit më parë zhvilloi Mbrëmja magjike e baletit në amfiteatrin e Durrësit, e cila riktheu në skenat tona dy balerinët me famë botërore Leonard Xhokaxhi (Ajkun) dhe Astrit Zejnati. Jeta e pasur kulturore dhe transmetimi i shijeve estetike, për njohjen dhe promovimin e vlerave historike, kulturore e turistike shqiptare, është një nga qëllimet që ka shtyrë organizatorët ti drejtohen amfiteatrit. Ky aktivitet i pari në llojin e tij bëri që brishtësia dhe eleganca e baletit të prezantohet me shumë sukses edhe në skena të antikitetit. Aktiviteti ishte një rikthim në triumf i Leonard Xhokaxhi, i cili kishte ftuar në magjinë e baletit artistët më të mirë të skenës shqiptare, por dhe emra të talentuar që kanë një karrierë të pasur artistike në skenat botërore, si Astrit Zejnati etj. Të udhëhequr nga Leonard Xhokaxhi (Ajkun), në shfaqjen Mbrëmja magjike e baletit morën pjesë balerinë të trupës së baletit të TKOB, si dhe balerinë nga kompania e baletit Ajkun. Në këtë shfaqje u interpretuan pjesë baleti si: Valpurga, Ujëra pranverorë, Melankolik, Paquita, Romeo e Juliet etj. Ndërkohë që pas disa ditësh në skenën operistike Xhokaxhi premton të tjera emocione.
Leonard Xhokaxhi (Ajkun) ndër vite
Leonard Ajkun (Xhokaxhi)  është rritur në Tiranë, ku edhe në ditët e sotme mbahet mend ende si kërcimtari më i rrallë në të gjithë historinë e baletit në Shqipëri. Pas disa koncertesh me trupën e baletit ne Tiranë, gati në moshën 18 vjeçare, i jepet automatikisht e drejta si kërcimtar solo, duke u bërë kështu balerini kryesor i Teatrit të Operas dhe Baletit Shqiptar, në shfaqje të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit si: Paris, Milano, Sanremo, Stamboll, Ankara, Athinë, Selanik. Në SHBA ai filloi të shkëlqejë në trupat e Los Angeles etj. Në 1991, gjatë një turneu me Anna Razzi, lëvizi në Itali ku dhe u bë kërcimtari kryesor i Balletto Regionale di Mantova. Në muajt në vazhdim dha shfaqje në gati 50 teatro në Itali, Maltë, Gran Canaria dhe Cote D azzur, por momenti më i rëndësishëm në karrierën e tij ishte në vitin 1992, kur ju kërkua të kërcente për Rudolf Nureiev si Alberchti tek baleti Giselle (vënë në skenë nga trupa e Teatrit të Torinos). Gjithashtu Ajkuni është kërcimtari i vetëm (gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar), që ka kërcyer para Babait të Shenjtë të Vatikanit, Giovanni Paolo II. Në 1994, Ileana Iliescu e kërkoi si artist të ftuar të nderit në Teatrin e Operave dhe Baletit të Bukureshtit, në Rumani, ku ai kërceu para Princit Siegfried, baletin Liqeni i Mjellmave. Në 1997 u nderua nga Shoqata Amerikane e Arteve Muzikore si kërcimtar internacional. Në vitin 1998, Arthur Mitchell e ftoi në Teatrin e Kërcimit në Harlem, ku ai u njoh për herë të parë me repertorin e George Balanchine. Në SHBA ai ka kërcyer për baletin klasik të Los Angeles, Santa Barbara State Street Ballet, Dance Galaxy, Northeast Ballet, Griffin Ballet, Hartford Ballet dhe Ellen Sinopoli Dance Company. Leonard Ajkun është gjithashtu krijuesi dhe drejtori artistik i shoqatës AjkunBT, organizatë kjo jofitimprurëse, e cila ju vjen në ndihmë kërcimtarëve të rinj, internacionalë.

Last Updated on Wednesday, 03 June 2009 12:09

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›