E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis procesi i vlerësimit për liberalizimin e vizave

Shkup - Ekspertët evropianë dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian (KE) të hënën filluan raundin e parë të vlerësimeve rreth liberalizimit të vizave në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) të Maqedonisë nën organizim të Ambasadës çeke në Shkup si kryesues aktual me Bashkimin Evropian (BE). Ekspertë nga 7 vende ndër të cilët më të shumtë nga Republika çeke dhe tre përfaqësues të KE-së, në MPB kanë pyetur për kërkesën nga Blloku 1, respektivisht për sigurinë e pasaportave dhe dokumenteve tjera personale. Edhe nga MPB-ja e respektojnë kërkesën e ekspertëve evropianë që të mos dilet me detaje nga bisedimet. Mësohet se nga pala maqedonase u është bërë e ditur ekspertëve se pasaportat biometrik në Maqedoni janë në zbatim që nga prilli i vitit 2007 ndërsa në përdorim janë edhe dokumentet tjera personale me mbrojtje më të madhe nga falsifikimi. Deri të premten, kur edhe duhet të përfundojë misioni i vlerësimit, përfaqësuesit evropianë do të njihen edhe me situatën e sigurisë në Maqedoni dhe rezultatet nga lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, si kërkesa nga Blloku 3. Vlerësuesit do ta parashtrojnë Raportin deri tek KE-ja pas misionit të dytë vlerësues nga 16 deri më 20 shkurt në Maqedoni, kur do të shqyrtohen kërkesat nga Blloku 2 siç janë: menaxhimi kufitar, kërkesat për azil dhe migrim. Në fund të marsit, nëse zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni janë të rregullta, KE-ja do të rekomandojë liberalizim të vizave me Maqedoninë, me çka do të pasojë votim në Këshillin e ministrave ku janë të nevojshme dy të tretat e shumicës. (Lajm)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›