Nis procesi ndaj Kurtit

Nga tri aktakuza me të cilat ngarkohej, Albin Kurtit, liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, tashmë i ka mbetur vetëm një. Në seancën e sotme gjyqësore, trupi gjykues e ka liruar Kurtin edhe nga akuza e dytë, ajo për "Tentim për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm".
Kurti është duke u gjykuar pa praninë e avokatit të tij mbrojtës, për shkak se ai nuk ka pranuar asnjë prej tyre. Përveç kësaj, ndryshe nga seancat e tjera, kur nuk i është mundësuar të lexojë fjalimin tij, në seancën e sotme, trupi gjykues ia ka mundësuar Kurtit të flasë. Në fjalimin e tij të gjatë, të cilin e ka shpërndarë para pak çasteve Lëvizja “Vetëvendosje”, Kurti ka deklaruar edhe një herë se nuk e njeh EULEX-in dhe procesin gjyqësor të filluar nga ky mision.
“Mua nuk mund të më ofrohet një gjykim i drejtë brenda këtij sistemi. Veprimtaria ime është në kundërshti të drejtpërdrejtë me interesat e EULEX-it për të siguruar pushtetin e vet”, citohet të ketë thënë Kurti.