E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis procesi për renditjen e universiteteve

20/04/2011  Nga 62 struktura universitare vetëm 35 prej tyre i përgjigjen pozitivisht procesit, ngrihet grupi i punës

Ndonëse renditet si më i preferuari, Universiteti i Tiranës nuk pranon të përfshihet në këtë proces

Procesi i renditjes (rankimit) së universiteteve publike dhe private i janë përgjigjur pozitivisht vetëm 35 institucione të arsimit të lartë publik dhe privat në vend. Këto të fundit do të testohen në katër fusha të caktuara që kanë të bëjnë me drejtësinë, infermierinë, shkencat sociale dhe ekonomi biznes. Ndonëse renditet si një ndër më të preferuarit për të gjithë maturantët në vend, Universiteti i Tiranës ka mohuar pjesëmarrjen në këtë proces, duke kërkuar që më parë të realizohet në të gjitha institucionet e arsimit të lartë procesi i akreditimit dhe më pas të vijohet me renditjen duke klasifikuar universitetet nga më i miri deri tek më i dobëti. Megjithatë, bëhet e ditur se ky projekt pilot, i nisur vetëm në katër fusha studimore, do të shoqërohet nga renditja finale e universiteteve sipas cilësisë. Për strukturat që nuk do të përfshihen në këtë proces do të ketë dhe penalizime. Tashmë është ngritur edhe grupi i punës me 17 anëtarë të përbërë nga ekspertë dhe specialistë të MASH, Agjencisë së Akreditimit, si dhe agjencisë gjermane të përzgjedhur për realizimin e vlerësimeve. Ky proces parashikohet të zhvillohet në tri etapa, që përfshijnë vizitat dhe monitorimet në universitete përkatëse, plotësimin e pyetësorëve të përgatitur për rektorët, fakultetet dhe studentët, si dhe procesi i tretë që ka të bëjë me grumbullimin e të dhënave dhe analizimin e tyre nga ekspertët gjermanë për të dhënë më pas rezultatet. Rëndësia e këtij programi ka të bëjë me informimin e studentëve të ardhshëm për arsimin e lartë në vend, në mënyrë që përzgjedhja e institucionit ku ata do të studiojnë të jetë në përputhje me kërkesat dhe cilësinë e studimeve që ata duan. Numri i pyetësorëve që do të plotësohen në këtë fazë është tre, dhe përmbajtja e tyre është fokusuar kryesisht në informacione bazë për institucionet, programet, facilitetet, stafet akademike dhe orientimin e studimeve. Plotësimi i formularëve për të dhënat do kryhet edhe online vetëm një herë, pra me futjen e kodit të identifikimit personal të studentit ku duhet të përfundohet plotësimi i gjithë pyetësorit, në të kundërt të dhënat nuk do të ruhen në databazë. Procesi i renditjes zhvillohet për herë të parë në vend.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›