E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vlerësim pronës sipas koeficientit të zhvillimit”

20/04/2011  Kandidati për kryebashkiak në Tiranë takon banorët e njësisë numër 8

Transferimi i ujësjellës-kanalizimeve nën varësinë e kryetarit të bashkisë

Kandidati i “Aleancës për qytetarin” për kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha, gjatë takimit me banorë të njësisë bashkiake nr. 8 premtoi se do të vlerësojë pronën e çdo qytetari tiranas. “Ne do t’u japim pronarëve autoktonë dhe çdo pronari tjetër në Tiranë mundësinë të zhvillojë pronën e tij me koeficientin më të lartë të mundshëm të zhvillimit dhe të marrë prej tij frytet më të mëdha të mundshme, dhe jo kujt i bie bixha e të bëhet milioner, e dikush të shohë pronat t’i kthehen në baltë e në pluhur”, ishte premtimi që bëri Basha gjatë prezantimit të kandidatit për këtë njësi, Arben Tafaj. Lidhur me këtë çështje, Basha ka premtuar edhe dhënien e lejeve të ndërtimit brenda 30 ditëve me formulën e “One stop shop”, menjëherë pas bërjes së planit urbanistik. Në këtë mënyrë, ndërsa në 12 muajt e parë të mandatit të tij, kandidati Basha do të përfundojë planin urbanistik të Tiranës, do të ketë gjithashtu edhe një moratorium të plotë për lejet e ndërtimit. “Do të ketë një moratorium të plotë të lejeve të ndërtimit, derisa të përfundojë plani urbanistik i Tiranës, sepse përndryshe në çdo lagje do t’i bjerë dikujt bixha, siç thonë në Tiranë, do t’i bjerë dikujt fati të ndërtojë dhe gjithë pjesa tjetër e lagjes do të mbetet me gisht në gojë. Kjo është formula që ka shkatërruar Tiranën. Kjo formulë do të marrë fund. Qytetari do të thotë bashkëjetesë dhe bashkëjetesë do të thotë të ndajmë së bashku gjithçka që kemi, jo në kuptimin kolektiv të fjalës, por në kuptimin proporcional të fjalës”, sqaroi ai. Angazhimi i Bashës për 6 muajt e parë lidhet edhe me dhënien e hipotekës pronarëve të apartamenteve në qytetin e Tiranës, me qëllim çlirimin e një kapitali fillestar prej 700 milionë eurosh. Në takimin e djeshëm me banorët e njësisë nr. 8, kandidati i “Aleancës për qytetarin” për bashkinë e madhe, garantoi marrjen në administrim të ujësjellës-kanalizimeve, për të zgjidhur një nga problemet më të mëdha në Tiranë, që është edhe furnizimi me ujë dhe kanalizimet e ujërave të zeza. “Për kundërshtim me heqjen e përgjegjësisë nga vetja, nga kryebashkiaku aktual nuk është pranuar të merret në dorëzim ujësjellës-kanalizimet për më shumë se dy vjet. Po ju them se transferimi i tyre nën varësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës do të jetë një ndër veprimet e mia të para si kryebashkiaku juaj i ardhshëm. Unë do të vë në tre muajt e parë në lëvizje projektin që vetë e negociova në 2006 si ministër i Transporteve, të ujësjellës-kanalizimeve, 100 milionë euro për të gjithë Tiranën”, tha Basha. Ai premtoi edhe dhënien fund njëherë e përgjithmonë të praktikës së pagimit të taksave dhe mungesës së shërbimeve nga bashkia.

Punimet për tramvajin

Kandidati Basha ka udhëtuar gjatë paradites së djeshme me linjën Kombinat-Kinostudio, deri në qendër të qytetit, pas shqetësimeve të vazhdueshme që i janë bërë prezent nga qytetarët e Tiranës për transportin publik dhe trafikun. Në këtë mënyrë ai ka parë nga afër kushtet e udhëtimit me këtë linjë, koha për ta përshkuar zgjat mbi 45 minuta deri në qendër të Tiranës dhe në kushte shumë të këqija. Basha ka paraqitur platformën e tij për vënien në shërbim të tramvajit deri në orët e vona të natës.

Lehtësim i trafikut

Për të lehtësuar trafikun, Basha parashikon në platformën e tij ndërtimin e unazës së madhe, një nënkalim tek “21 dhjetori”, vendparkime nëntokësore etj. Po kështu, ai tha se qytetarët e Tiranës do të udhëtojnë me një biletë të vetme në të gjitha linjat. “Jam i vendosur që në krye të Bashkisë, unazën e madhe të filloj ta ndërtoj një orë e më parë dhe jam i vendosur që të mos lejoj ndërhyrjen e politikës të bllokojë më procesin e ndërtimit të unazës së madhe. Efecienca e menaxhimit të trafikut tregohet edhe me ndërhyrje të vogla”, tha Basha.

Takimi me taksistët

Në Tiranë do t’i jepet fund praktikës së pagesës së taksave pa marrë shërbimin. Këtë garanci u dha Basha taksistëve të Tiranës, në një takim të zhvilluar me ta. Lehtësim të barrës fiskale dhe shtim të vendparkimeve parashikon kandidati Basha në programin e tij për shërbimin taksi. “Unë propozoj heqjen e taksës së gjelbërimit dhe përgjysmimin e taksës së pastrimit për taksistët, ndryshimi i taksës së vendparkimit, si dhe shtimin e vendqëndrimeve për taksistët dhe përmirësimin e kushteve të vendqëndrimit”, premtoi rivali i Ramës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›