Nis puna për 47 rrugë e 12 blloqe banimi në Tiranë
Kanë nisur punimet për ndërtimin e 47 rrugëve dhe rikualifikimin urban të 12 blloqeve të banimit në kryeqytet. Javën e ardhshme fillon ndërtimi në rrugën “Hamdi Cenomeri” Njësia Bashkiake Nr 6, rruga “Llambi Ziçishti”, Njësia Bashkia Nr 6, rruga lidhëse “Elez Isufi-Ali Gjuzi” Njësia Bashkiake Nr 11, rruga “Bajram Allaraj” Njësia Bashkiake Nr 2. “Ky është fillimi i sezonit të punimeve publike të Bashkisë. Pas një përgatitjeje disamujore të projekteve që mungonin, pas procedurave transparente të prokurimit që kanë sjellë vlera reale dhe kursime në tendera të Bashkisë së Tiranës, projekti i sotëm hap siparin e investimeve publike për Bashkinë në rrugë dhe në kualifikime urbane të blloqeve urbane të vjetra apo të reja, siç është lagja ku ndodhemi”, tha dje kryebashkiaku Basha. Këto deklarata ai i bëri gjatë inspektimit të punimeve në rrugën “Gramoz Pashko”. Ndërtimi i kësaj rruge, nga sa bëri me dije Bashkia e Tiranës, është rezultat i dëgjimit të zërit të qytetarit dhe përfshirjes së tyre në vendimmarrje. Përfshirja e kësaj rruge në investimet e këtij viti u kërkua nga qytetarët e Njësisë Bashkiake gjatë konsultimeve për buxhetin 2012 në muajin dhjetor. Rruga “Gramoz Pashko” lidh rrugën “Dajti” me rrugën “Arben Broci” (në hyrje të Qytetit Studentit) dhe segmenti ka një gjatësi prej afro 1 km. Ndërhyrja parashikon ndërtimin e rrugës me gjerësi 10.5 m, me 2 vija kalimi dhe parkim në njërin krah. Rruga do të ketë trotuare në të dyja anët me gjerësi 3 m, rrjetin e plotë të ujësjellësit dhe kanalizime, ndriçim rrugor në të dyja anët e rrugës, si dhe do të mbillen 270 pemë përgjatë rrugës. Kryetari i Bashkisë tha se ky investim do të përmirësojë jetën e qytetarëve të kësaj zone, të cilët ndonëse jetojnë afër qendrës së qytetit, vuajnë nga një infrastrukturë e lënë pas dore prej vitesh të tëra. “Imagjinoni banorët, qytetarët që jetojnë prej dhjetëra vitesh në këtë gjendje. Ndaj, zhvillimi i infrastrukturës së qytetit dhe rikthimi i saj në parametra europiane, jo vetëm me asfalt, por me kanalizime, me zhvendosjen e këtyre shtyllave të elektrikut nën tokë, me ujësjellësin, me rrugën me parametra europiane, me trotuare dhe gjelbërim, është projekti që inaugurohet sot për rrugën “Gramoz Pashko”, tha Basha. Kjo trase me gjatësi afro 1 km do të përfundojë brenda 10 muajve. ZIRINA LLAMBRO