Datat e provimeve në fakultetet ku do të zhvillohen konkurset
Studentët e rinj shpallen në 13 shtator, rezultatet e testimeve të veçanta më 5 shtator
Lorina Mixha
Fituesit e universiteteve për vitin e ri akademik do të shpallen më datat 12-13 shtator. Pas mbylljes së afatit shtesë për plotësimin e formularit A2, nga të gjithë maturantët e prapambetur Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka konfirmuar se përfundimisht procesi i kësaj mature shtetërore do të mbyllet në mes të muajit shtator. Kuotat e parealizuara do të rishpërndahen, ndërkohë që gjithçka tjetër, të lidhur me vendet e paplotësuara dhe shfrytëzimin e tyre, do të bëhet e ditur pas datës 15 shtator, kur të jetë mbyllur edhe faza e parë e regjistrimeve. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, ato të drejta studimi, që nuk do të plotësohen nga faza e parë e regjistrimit do të përdoren për maturantët e tjerë që do të fitojnë të drejtën në bazë të rishpërndarjes së pikëve të arritura në provime dhe vlerësimit në bazë mesatare. Por para shpalljes së ciklit të parë të fituesve, do të bëhet edhe shpallja e fituesve të konkurseve për universitetet e veçanta.
Datat
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në Universitetin e Sporteve do të zhvillohet konkursi nga data 29 në 31 gusht.
Në Universitetin e Arteve të Bukura konkursi do të zhvillohet nga 27 gushti në një shtator. Po ashtu, në Universitetin Politeknik, konkursi i Degës së Arkitekturës do të zhvillohet nga data 3 deri në 5 shtator. Specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve kanë sqaruar se, pas mbylljes së konkurseve, do të nisin procedurat për llogaritjen e pikëve. Në rastin e maturantëve që do ti nënshtrohen konkursit, si në Arkitekturë apo në Akademinë e Arteve të Bukura, fituesit shpallen duke llogaritur 60 për qind të rezultatit në konkurs dhe 40 për qind e vlerësimit i referohet provimeve të Maturës Shtetërore.
Më datë 27 gusht fillojnë konkurset në të gjithë universitetet, për programe studimi që janë të parashikuara me konkurse. Maturantët njihen nga mesi i shtatorit me listën e parë. Pas mbarimit të konkurseve, që mbarojnë në datën 5, më datë 6 ne sjellim rezultatet e konkurseve. Futen në sistem dhe pastaj përbëhet përpunimi sipas parimit meritë-preferencë për të shpallur listat paraprake, sqaroi Arben Fagu, specialist në Agjencinë Kombëtare të Provimeve.
Aplikimi për A2
Sot është data e fundit e aplikimit për formuarin A2 për të gjithë maturantët që nuk morën pjesë në proces.
Për procesin e aplikimit të rinjtë e rretheve janë të detyruar të vijnë në Tiranë për të aplikuar, pasi procesi është më lehtësisht i kontrollueshëm, duke shmangur kështu abuzimet që mund të bëhen në sistem.
Universiteti Politeknik i Tiranës
Dega
Arkitekturë
Arkitekturë urbanist
Datat
03.09 2012 -05.09.2012
Universiteti i Arteve të Bukura
Fakulteti i Muzikës
Fakulteti i Artit Skenik
Fakulteti i Arteve Figurative
Datat
27.08.2012-01.09.2012
Universiteti i Sporteve
Shkenca e lëvizjes
Veprimtaria fizike
Datat
29.08.2012- 31.08.2012
Vendimi
Kriteret për të studiuar në part time, do të publikohen nga vetë universitetet
Universitetet, korrespondenca, kuotat e paplotësuara do të rishpërndahen
Lorina Mixha
Pak ditë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi kuotat për sistemin e korrespondencës, part time dhe studimet në distancë.
Kriteret për të studiuar në një nga degët ku do të ofrohet ky cikël studimesh do të vendosen nga vetë universitetet dhe do të bëhen publike menjëherë pas mbylljes së procesit të shpalljes së fituesve në sistemin e ditës. Kryesisht do të jenë të favorizuar të gjithë ata kandidatë që kanë dhënë provimet e Maturës Shtetërore.
Rishpërndarja
Sipas vendimit të qeverisë, kuotat për part time do të rishpërndahen, që do të thotë se do të përfitojnë nga këto kuota të gjithë ata studentë që ndodhen poshtë vijës së fituesve të fazës së parë. Të drejtat e studimit për korrespondencën nuk do të digjen, por do ti jepen kandidatëve që ndodhen me më pak pikë, por që kanë aplikuar, deri në plotësimin e tyre përfundimtar. Janë mbi 10 mijë të drejta studimi për sistemin part time dhe në distancë.
Rishpërndarja e kuotave të paplotësuara kryhet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke marrë parasysh edhe kërkesat e institucioneve publike të arsimit të lartë, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Vendimi
Nga ky vendim përfitojnë edhe personat që nuk shikojnë, të përndjekurit politikë, ballkano-egjiptianët, por për të gjithë këta kandidatë shoqatat respektive duhet të lëshojnë vërtetimin e tyre, të nevojshëm si pjesë e procedurave për aplikim.
Për sa i takon tarifave të shkollimit, që duhet të paguajnë secili nga kandidatët, propozimet e universiteteve janë për kosto më të lartë, por vendimin për aprovimin e këtyre sugjerimeve do ta marrë Këshilli i Ministrave, pas dorëzimit të draftit përfundimtar të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Për sistemin e korrespondencës, pavarësisht favorizimit të kandidatëve që morën pjesë në Maturën Shtetërore, kanë të drejtë të aplikojnë edhe të tjerë që nuk kanë mundur dot të fitojnë një të drejtë studimi viteve të kaluara.
Çdo shtetas shqiptar, i cili ka përfunduar shkollën e mesme dhe zotëron diplomë të Maturës Shtetërore, dëftesë pjekurie apo çdo diplomë tjetër studimi, të fituar brenda ose jashtë vendit, të barasvlershme me të, ka të drejtë të aplikojë për të studiuar në sistemin e korrespondencës.
Datat e provimeve në fakultetet ku do të zhvillohen konkurset burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip