E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis puna për Planin Urbanistik të Tiranës, votë “pro” edhe për Sheshin Skënderbej dhe Xhaminë e Madhe

11-11-2011 / Gazeta 55

Këshilli Bashkiak ka miratuar dje me 29 vota “pro”, propozimin e kryebashkiakut Lulzim Basha për nisjen e projektit për hartimin e Planit të ri Urbanistik të kryeqytetit. S’ka funksionuar tentativa bllokuese e njerëzve të Ramës as për rehabilitimin e Sheshit “Skënderbej” si dhe ngritjen e komisionit këshillues për Xhaminë e madhe të Tiranës


Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi dje me votat e mazhorancës projektin që i hap rrugë fillimit të hartimit të Planit të Përgjithshëm Urbanistik të Tiranës, projektin për Rehabilitimin e Sheshit “Skënderbej” dhe ndërtimin e Xhamisë së Madhe. Me 29 votat “pro” të shumicës në këshill, dhe kundërshtinë unanime të votave të opozitës këshilltarët e zgjedhur nga qytetarët e Tiranës i kanë hapur dritën jeshile këtyre projekteve, të cilat pasohen edhe nga 4 projekte të tjera që lidhen kryesisht me fuqizimin e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, vendosjen e një linje urbane Qyteti Studenti – Qendër Tiranë, kjo linjë do t’u krijojë studentëve lehtësi në qarkullim dhe do të ofrojë shërbimin, në përputhje me Kartën Bashkiake të Studentit, si dhe shtimin e hapësirave të gjelbra në dobi të komunitetit kryeqytetas. I vetmi projekt që i ka bashkuar këshilltarët e majtë dhe të djathtë ka qenë ai për ngritjen e komisionit për ndërtimin e xhamisë së madhe, votimi i të cilit u përcoll me unanimitet të plotë, edhe pse fillimisht kreu i grupit të këshilltarëve të majtë në Këshill, Aldrin Dalipi shprehu rezerva, ndërsa më pas për habinë e të gjithëve u dakordua bashkë me këshilltarët e tjerë socialistë. Në fjalën e mbajtur për Planin Urbanistik kryebashkiaku Lulzim Basha u shpreh se Tirana ka vuajtur mungesën e një Plani Urbanistik, mungesa e të cilit ka qenë shkak për problemet e shumta në Tiranë. Duke iu drejtuar këshilltarëve të opozitës Basha tha se, “në këtë Plan Urbanistik ju do të keni të drejtë të thoni atë që mendoni dhe të qytetarëve që përfaqësoni. T’i drejtojmë sytë nga e ardhmja dhe të mos merremi më me të shkuarën. T’i futemi punës që madhe që na pret, asaj që tashmë i jemi futur dhe ta vazhdojmë, atë në të mirë të shërbimit të qytetarëve. Ky është thelbi i asaj që unë kërkoj. Tirana ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë mungesën e planit urbanistik. Ajo që u vlen qytetarëve është debati konstruktiv dhe jo ai bosh. Unë vij këtu për t’ju ofruar të punojmë së bashku, pasi Tiranës i duhet plani urbanistik. Ju kërkoj të jeni pjesë thelbësore e procesit, por edhe të ngrini zërin kur mendoni se po shkelen interesat e qytetarëve”, u shpreh Basha. Kryetari i Bashkisë iu kundërpërgjigj aludimeve të këshilltarëve socialistë se a ka pasur më parë një plan urbanistik për Tiranën dhe sa ka kushtuar ai. “Ju siguroj se Tirana nuk ka një plan urbanistik. Dhe unë kam vendosur të mos merrem me faktin se kush e ka fajin për këtë, pasi kjo është e shkuara. E sotmja është që unë ju ftoj bashkërisht, të bëjmë planin e Tiranës dhe në këtë punë, ju premtoj se nuk do të ketë asnjë paragjykim timin dhe se do të ofrohet transparencë e plotë e procesit. Nëse ju do të shkoni nga e kaluara, unë ju them hidhini sytë nga e ardhmja”, theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës lidhur me një fakt të tillë. Kurse pas komunikimit publik të këshilltarit socialist, Aldrin Dalipi se ai dhe kolegët e tij nuk kanë për ta votuar propozimin për planin urbanistik, Basha reagoi duke thënë se ata duhet të reflektojnë. Ai i ftoi ata që të mos vendosin retorikën politike, mbi interesat e qytetarëve. “Ju lutem konsideroni edhe njëherë në dritën e fakteve, rëndësinë e këtij projekti. Në përfundim të procesit do të keni të gjithë mundësinë të shprehni mendimin tuaj, nëse ka grupe që janë mënjanuar, apo të çdo shtrese të qytetarëve të Tiranës, ju kërkoj të jeni pjesë e procesit. Interesat e qytetarëve të Tiranës duhet të na bashkojnë”, tha ai. Ndërkaq me 29 vota pro dhe 21 kundër u miratua edhe projekti për rehabilitimin e sheshit në qendër të Tiranës. Nëpërmjet këtij projekti të Bashkisë, synohet kthimi i sheshit “Skënderbej” në një shesh për këmbësorët, por pa eliminuar lëvizjen e automjeteve që do të bëhen nëpërmjet rrugëve nëntokësore. Rehabilitimi ka të bëjë me ndërtimin e aksit të qarkullimit të makinave, për të shfryrë trafikun e rënduar këtu në qendër të Tiranës. Më tej, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak me 29 votat e mazhorancës u miratua edhe Organika e Bashkisë së Tiranës si dhe krijimi bordit për artin dhe kulturën.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›