Europa me dy shpejtësi – apo dy Europa?
Nicolas Sarkozy ka shkaktuar një tronditje të madhe, kur, më 8 nëntor, është shprehur për një Europë që ecën me dy shpejtësi të ndryshme: ajo “federale”, e 17 vendeve anëtarëve të zonës euro, dhe ajo “konfederate” e dhjetë vendeve jo në eurozonë. Ai i bëri këto komente gjatë një debati me studentët në Universitetin e Strasburgut. Pasazhi kryesor është në këtë takim ishte: “Nuk mund të krijohet një monedhë e përbashkët pa konvergjenca ekonomike dhe integrim ekonomik. Është e pamundur. Por në të kundërt, nuk mund të mbrosh çështjen e federalizmit dhe në të njëjtën kohë të jesh në mbështetje të zgjerimit të Evropës. Është e pamundur. Këtu ka një kontradiktë. Ne jemi 27 vende. Është e qartë që ne na duhet të hapim dyert për Ballkanin dhe të bëhemi 32, 33 ose 34 vende. Por, mendoj se askush nuk mendon se federalizmi - integrimi total - është i mundur të arrihet mes 33, 34, 35 vendeve. Pra, çfarë do të bëjmë? Si fillim, sinqerisht, krijimi i një monedhe të vetme është një ide e mrekullueshme, por është paksa e pakuptimtë të krijosh një të tillë, pa pyetur më parë veten mbi çështjen e qeverisjes së saj, dhe pa pyetur veten mbi konvergjencën ekonomike. E thënë haptas, është mirë të kesh një vizion, por ka disa detaje që mungojnë: krijuam një monedhë të përbashkët, por nuk ndryshuam sistemet tona fiskale dhe ekonomike, të cilat jo vetëm që nuk konvergonin me njëra tjetrën por madje kishin divergjenca. Dhe jo vetëm që krijuam një monedhë të përbashkët pa e konverguar, por edhe u munduam të ndryshonim rregullat e paktit. Kështu nuk mund të funksionojë. Nuk mund të ketë një monedhë të përbashkët, pa një integrim dhe konvergjencë më të madhe ekonomike. Kjo është e sigurt. Dhe këtu është aty ku ne jemi duke shkuar. A duhet të vendosen të njëjtat rregulla për të 27 vendet anëtare? Jo. Absolutisht që jo [...] Në fund, në mënyrë të qartë, do të ketë dy ingranazhe evropiane: një ingranazh që të çon drejt një integrimi më të madh në zonën e euros dhe një ingranazh që çon në një konfederatë brenda Bashkimit Evropian”.
Në pamje të parë kjo është një deklaratë mjaft e kuptueshme. Vendet e eurozonës duhet të integrohen më shumë me njëra tjetrën për të shpëtuar veten, madje edhe britanikët e mendojnë kështu. Mes dhjetë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk janë në eurozonë, ka vende të tilla si Britania dhe Danimarka që nuk kanë aspak ndërmend t’i bashkohen monedhës së përbashkët.
Bashkimi Evropian, në një kuptim, ecën jo me dy por me shpejtësi të shumta. Mendoni vetëm për 25 vendet anëtare të zonës Shengen, zonë e lëvizjes së lirë pa pasaportë (me përjashtim të Britanisë, por duke përfshirë edhe disa anëtarë jo të BE-), ose të 25 shteteve që po përpiqen të krijojnë një patentë të përbashkët (duke përfshirë Britaninë, por duke përjashtuar Italinë dhe Spanjën).
Por komentet e z. Sarkozi janë më shqetësuese, sepse, dyshohet se ai dëshiron të krijojë një euro zonë proteksioniste dhe të veçuar që kërkon të shkëpusë veten nga pjesa tjetër e Bashkimit Evropian. Në debatin në Strasburg, për shembull, Sarkozi duket se sugjeron se problemet në Evropë –borxhi dhe papunësia e lartë, janë shkaktuar të gjitha për faj të shkarkimit të problemeve sociale, mjedisore dhe monetare nga vendet në zhvillim që ndjekin politika tregtare “agresive”. Për një tjetër pasqyrim se çfarë mendon Sarkozi në lidhje me Evropën, duhet të dëgjojmë një intervistë që ka dhënë ai pak ditë më parë, në fund të samitit maratonë në Bruksel, në fund të tetorit: “Mendoj se nuk ka integrim ekonomik të mjaftueshëm në eurozonë, mes 17 vendeve anëtare, dhe integrim të mjaftueshëm mes 27 vendeve të Bashkimit Evropian”. Me fjalë të tjera, Franca, apo z. Sarkozi në çdo rast, shprehet se Bashkimi Europian me 27 vendet e tij, është shumë i madh për Francën, që të mbizotërojë mbi pjesën tjetër dhe është shumë liberal në kuptimin ekonomik për prirjet e Francës proteksioniste. Që këtej nis edhe dëshira e madhe e Sarkozisë për një eurozonë më të vogël “federaliste”. Kjo ide shkon në harmoni të plotë me idenë e “Kerneuropa” (krijimi i “Bërthamës së Europës") promovuar në vitin 1994 nga Karl Lamers dhe Volfgang Schäuble, që sot është ministër i financave në Gjermani. Kjo është hera e parë që zoti Sarkozy, ka folur publikisht për “federalizmin”, edhe pse ai kishte bërë një koment të ngjashme në një bisedë private me liderët evropianë në mars. Kjo ide pasqyron pikëpamjet e paraardhësit socialist të Sarkozisë, François Mitterrand.
Ide të tilla duket se u varrosën për shkak të zgjerimi të BE-së drejt lindjes në vitin 2004 dhe nga kundërshtimi i kushtetutës së re të BE-së nga votuesit francezë në vitin 2005. Por kriza e borxhit të eurozonës ngjalli përsëri këto ëndrra të vjetra. Por çfarë lloj federalizmi mund të krijohet? Sarkozi ndoshta dëshiron të krijojë një eurozonë, sipas imazhit të Francës, me pushtet (dhe shumë maturi) të përqendruar në duart e liderëve, ku “Merkozy”, dyshja Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy do të dominojë. Gjermania pa dyshim do të dëshironte të krijonte një kopje të sistemit të saj federal, me rregulla të forta dhe institucione të fuqishme e të pavarura për të kufizuar politikanët. Gazeta “Le Monde” ka një seri artikujsh mbi atë se çfarë mund të kuptojmë me një Evropë të tillë.
Nëse eurozona i mbijeton krizës, ajo sigurisht ka nevojë për një reformë të thellë në lidhje me traktatet e BE-së. Duke i mbajtur dyert e eurozonës të hapura për vendet që duan t’i bashkohen asaj (si Polonia) dhe duke forcuar tregun e përbashkët për ata që nuk duan të jenë pjesë e saj (si Britania), krijimi e një BE-je më fleksibël mund ta lehtësojë shumë atë nga tensionet ekzistuese. Integrimi i mëtejshëm nuk duhet t’u imponohet atyre që nuk e duan atë. Por kjo mund të jetë një recetë për shkatërrimin e Evropës. Dhe mbetet të themi jo më një Evropë me dy marshe, por një Evropë e ndarë në dysh. Hapat e parë drejt integrimit, ideja e mbajtjes rregullisht të samiteve të udhëheqësve të 17 vendeve të euro-zonës, ka shkaktuar mosmarrëveshje me Britaninë. Këtë javë ka pasur kontradikta të mëtejshme, kur, gjatë një takimi të ministrave të financave të eurozonës në Bruksel, kolegët e tyre nga dhjetë shtetet jo të eurozonës kishin darkuar më vete në një hotel aty pranë.
E gjithë kjo po alarmon Komisionin Evropian, shërbimin civil të BE-së dhe mbrojtësit e traktateve të saj. Duke folur në Berlin më 9 nëntor, presidenti i saj, José Manuel Barroso, i drejtoi një qortim të drejtpërdrejtë z. Sarkozi. Komisioni mirëpret dhe nxit -në fakt e kemi dashur këtë për një kohë të gjatë- një integrim më të thellë të politikave dhe qeverisjeve brenda eurozonës. Një integrim dhe konvergjencë e tillë është e vetmja mënyrë për të rritur disiplinën dhe stabilitetin dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e euros. Me fjalë të tjera, ne duhet të përfundojmë një punë të pambaruar të Mastrihtit -për të kompletuar bashkimin monetar në një bashkim të vërtetë ekonomik.
Por stabiliteti dhe disiplina duhet të shkojnë së bashku në rritjen. Dhe tregu i përbashkët është aseti ynë më i madh për të nxitur rritjen e mëtejshme ekonomike. Le të jemi të qartë, një përçarje e bashkim nuk do të funksionojë. Kjo është e vërtetë që kemi një bashkim me vende të ndryshme të angazhuara në objektiva kontradiktore, një bashkim me një bërthamë të integruar, por me një periferi të paangazhuar, një bashkim i dominuar nga një balancë e pashëndetshme e pushtetit apo në të vërtetë e çdo lloj kryesie. Të gjitha këto çojnë në paqëndrueshmëri dhe nuk do të funksionojnë në terma afat gjatë, sepse ata do të vënë në pikëpyetje një parim themelore, madje do të thoja një parim të shenjtë, parimin e drejtësisë, parimin e respektimit të barazisë, parimin e respektimit të sundimit të ligjit. Dhe ne jemi një bashkim i bazuar në respektimin dhe sundimit e ligjit dhe jo në bazuar në pushtet apo forcë. Do të ishte absurde nëse thelbi i projektit tonë - bashkimi ekonomik dhe monetar, të bëra realitet në eurozonën është thelbi i projektit- pra po përsëris dhe një herë, se do të ishte absurde nëse kjo bazë do të trajtohej si një lloj “opsioni për t’u zgjedhur” nga Bashkimi Evropian.
Fjalët e Sarkozisë duket se kanë tërhequr vëmendjen e Joschka Fischer, ish-udhëheqësi i partisë së Gjelbër të Gjermanisë dhe ish-Ministër i Jashtëm, i cili tha se 27 vendet e BE-së ishin bërë shumë të ngathëta. “Le të harrojmë BE-në me 27 anëtarët e saj - për fat të keq”, tha ai për Die Zeit, një gazetë gjermane javore. “Unë thjesht nuk shoh se si këto 27 shtete do të bëjnë ndonjë reformë të rëndësishme”. Në të vërtetë, disa mendojnë se vetë eurozona mund të jetë me më pak se me17 anëtarë (Greqia së shpejti mund të mos shlyejë detyrimet e saj dhe ta lërë eurozonën). Tani, fjala që të gjithë po presin është ajo e zonjës Merkel. Kancelarja dëshiron të ndryshojë traktatet, dhe në 9 nëntor ajo bëri thirrje për “zbulimin e një Europë të re”. Por çfarë lloj Evrope bëhet fjalë, kjo ka mbetur akoma e pashprehur.