E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis puna për përfundimin e Unazës së Shkodrës

25/03/2009  Prishen 7 objektet e fundit

SHKODER- Dita e djeshme ka shënuar ndërhyrjen e Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë së Shkodrës për shembjen përfundimtare të të gjitha ndërtimeve me leje që ishin bërë pengesë për vijimin e punimeve dhe përfundimin e tyre në segmentin perëndimor të unazës së qytetit. Puna e mirë e Inspektoratit të Bashkisë ka sjellë si rezultat arritjen e konsensusit mes banorëve, të cilëve u shembej prona e tyre e ligjshme dhe Ministrisë së Financave, e cila u angazhua për kompensimin monetar, sipas hartës së vlerës së tokës. Ditën e djeshme janë shembur nga Inspektorati Ndërtimor 7 objekte, ku bënin pjesë 3 shtëpi mbi 100-vjeçare dhe mure rrethuese të oborreve të disa banesave të tjera. Vetëm pak ditë më parë po ky inspektorat shembi 12 objekte në segmentin e unazës perëndimore të qytetit të Shkodrës, ku bënin pjesë kryesisht banesa pjesë banesash, dyqane dhe mure rrethuese. Ndërhyrja është bërë në një gjatësi prej rreth 700–800 metrash ku ndodheshin dhe ndërtimet e fundit të ligjshme që ishin bërë pengesë për përfundimin e unazës perëndimore të qytetit të Shkodrës. Me shembjen e këtyre ndërtimeve tashmë i është përfundimisht rruga punimeve për ndërtimin e kësaj pjesë të unazës. Drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës kanë kërkuar nga firma ndërtuese që të fillojnë që nesër punimet, pasi tashmë rruga është e lirë për përfundimin e investimit infrastrukturor rrugor më të rëndësishëm në këtë qytet.

Për të arritur deri në shembjen e ndërtimeve të fundit pa leje në unazën perëndimore të qytetit të Shkodrës ndikoi vendimi i rreth 10 ditëve më parë i Këshillit të Ministrave, i cili vendosi dhe çmimin e ri për kompensimin e tokës dhe të truallit për banorët e unazës së Shkodrës. Tashmë pronarët që do të dëmtohen në pasuri të paluajtshme nga ndërtimi i unazës do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, me vlerë të përgjithshme shpronësimi 47.8 milion lekësh. Unaza e Shkodrës filloi të ndërtohej që në vitin 2006, në sajë të një fondi prej rreth 245 milionë lekësh nga Drejtoria e përgjithshme e Rrugëve. Unaza perëndimore e Shkodrës ka një gjatësi 3.5 km dhe gjerësi 13.5 metra. Ndërtimi i Unazës së qytetit të Shkodrës filloi para më se 20 viteve. Për ndërtimin e unazës, e konsideruar kjo si arteria e qytetit, në vitin 1984 u hartua dhe një projekt, i cili u mendua të zbatohej që në fillim të vitit 1985, por në vitet ‘90-të, askush nuk mori përsipër për të vazhduar këtë investim. Përkundrazi,edhe ajo pjesë e rrugës së unazës ku u kryen disa punime, u dëmtua dhe investimi që ishte bërë në fillim shkoi dëm. Projekti u miratua në 1985-n dhe puna vazhdoi deri në vitin 1989. Gjatë këtyre viteve punimet ecën shumë ngadalë. Ata u përqendruan vetëm në krijimin e hapësirës së trasesë së rrugës, një pjesë e kanalizimeve, të cilat më pas dolën jashtë funksionit të tyre si dhe prishjen e disa ndërtesave nga ku do të kalonte rruga. Nga fillimi i ‘90-s nuk u krye më asnjë punim në zonën e Unazës. Me kalimin e viteve ajo çfarë ishte bërë deri atëherë u amortizua plotësisht.

Në vitin 2006 filluan punimet për ndërtimin e unazës perëndimore të qytetit të Shkodrës, por që hasi në probleme të shumta për shkak të pakënaqësive të shumta të banorëve përgjatë unazës, të cilët kërkonin kompensim real të vlerës së ndërtesave dhe trojeve që po u shembeshin e merreshin. Kundërshtitë vijuan deri pak muaj më parë derisa erdhi dita e djeshme ku u lirua plotësisht aksi i unazës perëndimore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›