E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis reforma, 42 spitale tani në skemën e sigurimit

Reforma spitalore konsiston pikërisht në shndërrimin e spitaleve në institucione shëndetësore autonome, me pavarësi juridike, administrative dhe financiare. Plot 42 spitale rajonale të vendit do të përfshihen në skemën e sigurimeve. 

TIRANE- 42 spitale rajonale në mbarë vendin përfshihen në skenën e sigurimeve. Kjo shënon edhe fillimin e reformës spitalore zbatimi i së cilës shihet me optizëm nga drejtuesit e shëndetësisë dhe pritet që të sjellë një përmirësim të ndjeshëm të shërbimit shëndetësor ndaj qytetarëve. Sipas Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, këto shërbime do të ofrohen nëpërmjet mirëmenaxhimit të kapaciteteve ekzistuese njerëzore, financiare, materiale, ku përfshihen zbatimi i kritereve të punësimit për stafin, furnizimi permanent me barna e materiale mjekësore cilësore dhe kostoefektive, për të mos krijuar mungesa, apo keqpërdorime të tyre.

Rritja e shkallës së shfrytëzimit të spitaleve, nëpërmjet zhvillimit të metodave të reja të pagesës së shërbimeve shëndetësore, është një ndër risitë e pritshme të reformës spitalore. Ndërkohë, sipas ISKSH-së, zbatimi i reformës pritet të sjellë rritjen e të ardhurave nga pagesat e kontributeve të sigurimeve shëndetësore.
Gjithashtu, shërbimet shëndetësore do të ofrohen nëpërmjet synimit për privatizimin e shërbimeve ndihmëse, si dhe financimit të shërbimeve të reja. Ndërkohë, refoma synon gjithashtu rritjen e shkallës së mbledhjes së të ardhurave dytësore dhe krijimin e hapësirave të nevojshme për përdorimin e tyre.

Në kuadër të zbatimit të reformës, sipas ISKSH-së fillimisht do të ndryshojë mënyra e funksionimit dhe administrimit të spitaleve. ISKSH do të ketë kontrata të posaçme me 42 spitalet në të gjithë vendin, ndërkohë që aktualisht nuk ka kontrata me spitalet përveç një kontrate kolektive pune.
Në një fazë të dytë synohet që jo vetëm medikamentet, por edhe pjesa tjetër e veprimtarisë, siç janë investimet, të kalojnë në vetëadministrim nga spitali. Përsa i përket fondit për spitalet, ai do të përcaktohet në bazë të buxhetit historik, që do të thotë, buxheti që spitalet kanë patur ndër vite me shtesat e caktuara vit pas viti, sipas planifikimeve të bëra nga Ministria e Shëndetësisë dhe miratimeve të dhëna nga Ministria e Financave.
Deri tani spitalet kanë qënë në varësi të MSH me një mënyrë funksionimi tërësisht të centralizuar. Këto institucione kanë pasur një buxhet fiks, i cili menaxhohej nga MSH dhe nuk ishte i lidhur me eficiencën e vetë spitalit.
Reforma spitalore konsiston pikërisht në shndërrimin e spitaleve në institucione shëndetësore autonome, me pavarësi juridike, administrative dhe financiare. Tashmë spitalet janë person juridik, publik, jobuxhetor me status të veçantë, institucione të drejtuara me Bord dhe drejtor të tij, si dhe me llogari bankare të veçanta.
Nga ana tjetër, refoma spitalore konsiston në informatizimin e aktivitetit mjekësor dhe financiar, sipas shërbimeve, si dhe krijon mundësi në llogaritjen e kostos së shërbimeve spitalore. Aplikimi i indikatorëve vlerësues të performancës është një tjetër pikë kyçe e reformës, nëpërmjet së cilës do të synohet kalimi nga financimi me buxhetim drejt financimit për diagnozë.
Ndërkohë, sipas ISKSH-së, nëpërmjet kontratave që do të lidhen me sigurimin shëndetësor, do të kërkohet disiplinë administrative, financiare, profesionale, për të siguruar efiçencën e shërbimeve shëndetësore, rritjen e produktivitetit dhe përmirësimin e cilësisë së tyre.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›