E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti i Ri, Topi e Berisha vizitë në spital e maternitet

Është një vajzë, qytetarja e parë shqiptare që erdhi në jetë 5 minuta pasi ora shënoi ndërrimin e viteve. Krerët më të lartë të shtetit zgjodhën Spitalin e Fëmijëve dhe Maternitetin Geraldinë për vizitën e parë për vitin 2009. 

TIRANE- Presidenti i Republikës Bamir Topi zgjodhi dje spitalin e fëmijëve për të dhënë mesazhe humane por edhe politike në ditën e parë te vitit 2009. I shoqëruar nga bashkëshorja e tij Teuta, presidenti u ka uruar shërim të shpejtë fëmijëve që kaluan natën e ndërrimit të viteve nën kujdesin e mjekëve dhe shprehu optimizmin se ky vit do të jetë një hap para në procesin integrues të vendit.

“Sikurse është festa tradicionale, por aq tradicionale është edhe vetëmohimi i punonjësve që punojnë në këto struktura. Duhet të kapin ritmin për krijimin e një sistemi shëndetësie të shendosh që do ti shërbejë per te gjithe shqiptaret”- tha presidenti Topi.

Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri uruan nënat e reja dhe fëmijet e lindur në minutat e parë të vitit 2009 në maternitetin, Mbretëresha Geraldinë’. I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, kryeministri përshëndeti nënat e reja që lindën në minutat e para të Vitit të Ri 2009.

“Ditën e parë të Vitit të Ri e nisa me urimin për fëmijët e sapolindur të këtij viti. Fëmija është mbarësia e familjes, është mbarësia e shoqërisë. Ndaj unë e shfrytëzoj këtë rast për të uruar familjet e nënave që kanë lindur sot fëmijët e parë, por edhe për të uruar të gjithë familjet shqiptare një vit plot mbarësi, një vit me suksese dhe natyrisht një vit me fitore, sepse fitorja është pjesë e mbarësisë”, tha dje kryeministri Berisha.

Qytetarja e parë shqiptare që erdhi në jetë 5 minuta pasi ora shënoi ndërrimin e viteve, është një vajzë. Vogëlushja peshonte 3 kilogramë dhe lindi ne maternitetin “Mbreteresha Geraldinë”.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›