E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis reforma në sistemin 9-vjeçar, arsimi fillor 6 vjet

Stuktura e re parashikon kalimin nga sistemi 5+4 në 6+3. Synohet ulja e ngarkesës mësimore për nxënësit, duke e bërë atë të përballueshme për të gjithë fëmijët

Jonida Tashi

Kurrikula aktuale e arsimit bazë që nga klasa e parë deri te e nënta do të pësojë disa ndryshime, në qendër të të cilave do të jetë përvetësimi i mësimeve nga nxënësit, sipas ngarkesës që ata mund të mbajnë në varësi të moshës. Një nga ndryshimet më thelbësore të kurrikulës është ndryshimi i strukturës së arsimit të detyruar, duke e kthyer arsimin bazë nga 5+4 në 6+3. Kalimi nga sistemi 5+4 në 6+3 synon të ulë ngarkesën mësimore për nxënësit, problem për të cilin prindërit janë ankuar vazhdimisht duke pohuar se tekstet e sotme janë tepër të vështira dhe të mbingarkuara. Kështu, sipas kurrikulës së re, parashikohet që numri i lëndëve në fushë të jetë më i vogël në ciklin fillor se në arsimin e mesëm të ulët, ndërkohë që do të ketë një ndarje të fushave të nxënies për klasat 1-3, 4-6, 7-9. Përgjegjësja e Sektorit të Kurrikulës pranë Institutit të Zhvillimit të Arsimit, Prof.as.Dr. Marita Hamza, shpjegon se arsyet e këtij ndryshimi janë: “Në rreth 2/3 e vendeve të OECD arsimi bazë funksionon sipas strukturës 6+3. Studiuesit dallojnë dy faza të zhvillimit mendor të fëmijëve: deri në moshën 12 vjeç dhe pas saj. Gjatë periudhës 6-12 vjeç mbizotëron kryesisht dhe përgjithësisht të menduarit konkret, kurse më pas ai abstrakt. Ky dallim përcakton edhe përmbajtjen e lëndëve, si dhe metodat e mësimdhënies-mësimnxënies në secilën prej dy fazave. Me strukturën aktuale, ku cikli fillor zgjat pesë vjet, nisin më herët nga sa duhet dozat e të menduarit abstrakt nga sa nxënësit në përgjithësi munden. Duke e shtrirë arsimin fillor edhe në një vit synohet një ulje e ngarkesës për nxënësit, duke e bërë atë të përballueshme për të gjithë fëmijët dhe sidomos më tërheqëse e më të dobishme. Kalimi nga sistemi 5+4 në 6+3 mundëson standarde të arritjeve të nxënësve të krahasueshme me shumicën e sistemeve të tjera arsimore europiane”. Një tjetër arsye, po kaq e rëndësishme për përmirësime në kurrikulën e arsimit bazë është edhe plani mësimor në shkolla. Kurrikula aktuale për klasat 1-9 është produkt i reformës së arsimit bazë të kryer në vitet 2003-2007, që mundësoi ndryshimin e strukturës së arsimit bazë nga 8 në 9 vjet, si dhe disa ndryshime të tjera pozitive të kurrikulës përkatëse. Por, megjithë risitë që u përcollën nga kjo reformë, plani mësimor i arsimit bazë nuk i shpëtoi konceptimit tradicional në bazë lëndësh të veçanta të ndara dhe përfshirjes së një numri shumë të madh lëndësh mësimore si në ciklin fillor, ashtu dhe atë të mesëm të ulët. Për këtë çështje, përgjegjësja e Sektorit të Kurrikulës në IZHA sqaron: “Koha në dispozicion për kurrikulën në bazë shkolle në sasi të përgjithshme paraqitet e konceptuar jo keq, por një pjesë e kësaj kohe është e shpërndarë midis lëndëve mësimore, çka vështirëson planifikimin e saj sipas kërkesave të shkollës. E konceptuar jo drejt është dhe shpërndarja në vite e kohës për kurrikulën në bazë shkolle. Kështu ajo pakësohet në klasat 7, 8 dhe 9-të krahasuar me klasat 4, 5 dhe 6-të, ndërkohë që duhej të ndodhte e kundërta. Nuk ka një konceptim unik të programeve lëndore, struktura e programeve lëndore dhe rubrikat që e përbëjnë paraqiten me ndryshime nga lënda në lëndë, nga klasa në klasë. Programet përgjithësisht janë të mbingarkuara dhe kjo rezulton kryesisht për shkak të mbizotërimit të njohurive krahasuar me proceset dhe aftësitë e të nxënit, si dhe për shkak se në shumë raste ato tejkalojnë aftësitë moshore të nxënësve për përpunimin e informacioneve”. Ndaj, MASH duke u nisur nga këto probleme të kurrikulës ekzistuese të arsimit bazë dhe nga kërkesa tashmë reale, për nevojën e rakordimit më të mirë midis kurrikulës së arsimit bazë me kurrikulën e re të gjimnazit ka ndërmarrë reformën për rishikim të kurrikulës së arsimit bazë.

Një nga ndryshimet më thelbësore të kurrikulës është ndryshimi i strukturës së arsimit të detyruar, duke e kthyer arsimin bazë nga 5+4 në 6+3

Ndryshimet që parashikohen

Do të jenë objekt i rishikimit të kurrikulës prirjet e sotme europiane të zhvillimit të kurrikulës së arsimit parauniversitar, si:

Zgjatja e arsimit bazë kryesisht në 9 vjet dhe strukturimi i tij në 6+3.

Hapësirat kurrikulare për kurrikulën me zgjedhje.

Vënia e theksit në kompetencat kyçe europiane të të nxënit.

Dimensioni integrues i kurrikulës.

Zgjerimi i rolit dhe rëndësisë së TIK-ut në kurrikulë.

Kurrikulë e orientuar nga rezultatet e të nxënit.

Mësimdhënie me në qendër nxënësit.

Karakteristikat e kurrikulës së re

Kurrikula e re e arsimit bazë do të jetë:

Kurrikulë me nxënësin në qendër, që plotëson nevojat dhe interesat e tij dhe të shoqërisë për tani dhe për të ardhmen.

Kurrikulë me ngarkesë të normalizuar.

Kurrikulë me thekse integruese.

Kurrikulë që nxit mendimin kritik e krijues dhe aftësi të tjera bazë dhe u mundëson nxënësve shprehitë bazë të të nxënit gjatë gjithë jetës.

Kurrikulë që siguron jo vetëm njohuri lëndore, por dhe aftësi sociale, aftësi për jetën, vlera qytetare.

Kurrikulë që siguron impakte të thella të TIK-ut ( si lëndë me vete, si mjet mësimor i zbatuar në të gjitha lëndët).

Kurrikulë që jep shanse të barabarta për të gjithë nxënësit, duke respektuar edhe veçoritë individuale të tyre.

Kurrikulë e zhvilluar jo vetëm në nivel qendror, por dhe në nivel shkolle.

Standardet e fushave lëndore të të nxënit

Standardet e nxënies mundësojnë lidhjen e gjithë pjesëve të kurrikulës në përgjegjësinë e rezultateve. Vendosja e standardeve të fushave të nxënies për klasat 1-3, 4-6, 7-9 të arsimit bazë të rishikuar do të sigurojë:

Objektiva të qarta të arritjes për fusha të nxëni e njësi mësimore.

Shmangie të mbivendosjes së objektivave nga njëra lëndë tek tjetra.

Qartësi në përcaktimin e përmbajtjeve mësimore.

Hapësira për të nxënit e diferencuar në shkollë.

Rritje të cilësisë së mësimdhënies e nxënies në shkollë.

Vlerësim të standardizuar të arritjeve të nxënësve.

Çështjet që zgjidhen

Mbingarkesa

Përvojat e mësuesve, të nxënësve e të prindërve dëshmojë për një mbingarkesë në kurrikulën e arsimit bazë, duke sjellë pakësimin e interesit të nxënësve ndaj të mësuarit. Lehtësimi i ngarkesës së nxënësve në të dyja përmasat, si në volumin e njohurive dhe në vështirësinë, bazuar në një studim shkencor mbi ngarkesën optimale të nxënësve sipas veçorive të zhvillimit moshor, do të jetë në fokus të rishikimit të kurrikulës së arsimit bazë.

Tekstet

Ndonëse kurrikula e re do të mundësojë përdorim të burimeve alternative gjatë procesit të mësimdhënies-nxënies, teksti i nxënësit do të vazhdojë të mbetet burimi kryesor i mësimdhënies dhe nxënies. Në masat e marra për të garantuar sukses në zbatimin e kurrikulës së rishikuar në shkollë, përparësi do të jetë bashkëpunimi i specialistëve të kurrikulës me autorët e teksteve. Përmes këtij bashkëpunimi do të mundësohet që tekstet të sigurojnë arritje cilësore të kompetencave themelore të nxënësit, aftësive ndërkurrikulare e të parimeve themelore të mësimdhënies e të vlerësimit të nxënësve.

Mësuesit

Kurrikula e re, sado mirë që të jetë shkruar, nuk mund të arrijë suksesin e parashikuar nëse mësuesi nuk është pjesë integrale e arritjes së këtyre qëllimeve. Mësuesi është një faktor kyç në një reformë të kurrikulës. Përgatitja e mësuesve për zbatimin e kurrikulës së re do të jetë me rëndësi për hartuesit e kurrikulës së arsimit bazë. Hartimi i materialeve ndihmëse, si udhëzues kurrikular, trajnimet e shumta dhe sidomos komunikimi i mirë mes specialistëve të qendrës dhe mësuesve para dhe gjatë zbatimit të kurrikulës, do të ndihmojnë për këtë.

Kurrikula aktuale, nevojat për rishikim

Kurrikula aktuale për klasat 1-9 është produkt i reformës së arsimit bazë të kryer në vitet 2003-2007, që mundësoi ndryshimin e strukturës së arsimit bazë nga 8 në 9 vjet, si dhe disa ndryshime të tjera pozitive të kurrikulës përkatëse. Kështu, arsimi bazë u pajis me kurrikula të fokusuara tek nxënia, të hapura, fleksibile dhe zhvilluese, të cilat, për herë të parë krijuan kushtet për zbatimin e altertekstit në arsimin tonë. Por, krahas risive dhe vlerave që përcolli reforma e viteve 2003-2007, në arsimin bazë u vunë re një sërë problematikash dhe mosrealizimesh. Kështu:

Nuk u arrit të miratohej Korniza Kurrikulare e arsimit bazë që do të siguronte koherencën horizontale dhe vertikale të kurrikulës gjatë viteve.

Aftësitë kyçe dhe temat ndërkurrikulare nuk janë të integruara dhe prezente në masën e duhur në të gjitha kurrikulat lëndore, kjo dhe për shkak të mungesës së kornizës kurrikulare.

Standardet e nxënies për arsimin fillor dhe atë të mesëm të ulët nuk u hartuan.

Plani mësimor i arsimit bazë nuk i shpëtoi konceptimit tradicional në bazë lëndësh të veçanta të ndara dhe përfshirjes së një numri shumë të madh lëndësh mësimore si në ciklin fillor, ashtu dhe atë të mesëm të ulët.

Nuk është e konceptuar drejt shpërndarja në vite e kohës për kurrikulën në bazë shkolle; kështu ajo pakësohet në klasat 7,8 dhe 9-të krahasuar me klasat 4, 5 dhe 6-të, ndërkohë që duhej të ndodhte e kundërta.

Nuk ka një konceptim unik të programeve lëndore, struktura e programeve lëndore dhe rubrikat që e përbëjnë paraqiten me ndryshime nga lënda në lëndë, nga klasa në klasë.

Programet përgjithësisht janë të mbingarkuara dhe kjo rezulton kryesisht për shkak të mbizotërimit të njohurive krahasuar me proceset dhe aftësitë e të nxënit.

Tekstet në shumicën e rasteve janë të vështirë dhe të ngarkuar me një numër të madh konceptesh.

IZHA nis diskutimet për kurrikulën e re

Vlerësimet e kurrikulës aktuale të arsimit bazë kanë evidentuar një sërë mangësish në konceptimin e përgjithshëm të kurrikulës, në planin mësimor dhe programet mësimore, si dhe në zbatimin e tyre në shkollë. Kjo kurrikulë nuk është e rakorduar me kurrikulën tashmë të reformuar të gjimnazit. Këto gjetje shtrojnë nevojën e rishikimit të kurrikulës së arsimit bazë. Për këto arsye, Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZHA) që ka dhe përgjegjësinë kryesore për organizimin e rishikimit të kurrikulës, për hartimin me cilësi të dokumentacionit qendror të kurrikulës së re të arsimit bazë dhe për të mbështetur zbatimin e kurrikulës së re në shkollë ka hapur diskutimet për këtë çështje. Në këtë kuadër, IZHA do të organizojë takime periodike në të cilat do të ballafaqohen idetë dhe shqetësimet për tekstet aktuale të arsimit bazë dhe për programet mësimore, gjithashtu për tekstet aktuale të gjimnazit të reformuar, duke i marrë lëndët një për një. Këto takime do të organizohen mes autorëve të programeve, autorëve të teksteve, mësuesve, prindërve dhe ish-nxënësve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›