E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis rinumërimi i kutive të Lezhës. KQZ: Procesi rrit transparencën dhe integritetin e zgjedhjeve

20-07-2013 / Gazeta 55

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur rinumërimin e votave të kutive të Lezhës dhe Shkodrës. Edhe pse ky vendim është kundërshtuar fuqishëm nga e majta, veçanërisht PS dhe LSI, institucioni i administrimit të zgjedhjeve, KQZ vlerëson se kjo do të rrisë transparencën dhe integrimin e procesit zgjedhor.

Sipas anëtarit të KQZ-së, Hysen Osmanaj, ky ishte vendimi i duhur që KQZ morri pas problemeve të shfaqura në 10 QV të lezhës. Në këto kushte, 665 kuti votimi në Lezhë e më pas në Shkodër, do ti nënshtrohen proçesit të rinumërimit të votave.

Ndërsa për përfaqësuesin e PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, i rëndësishëm është integriteti i proçesit dhe jo ajo që mund të ndodhë me mandatet.

Ndërsa përfaqësuesi i LSI-së në KQZ, Ilirjan Muho thotë se megjithëse forca politike që përfaqëson është  vetëm palë e interesuar në këtë proçes, procesi i rinumërimit  është një hap pozitiv, por sipas tij  vendimarrja e KQZ-së është e kundraligjshme, pasi është marrë në kushtet kur KQZ funksionon vetëm me katër anëtarë.

Proçesi i rinumërimit të votave për qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës pritet të zgjasë së paku një javë, ndërsa janë ngritur 8 grupe për numërimin e votave që po realizohet në sallën e Komisonit Qendror të Zgjedhjeve. Vendimi u mor nga KQZ një ditë më parë pas kërkesës së anëtarit Klement Zguri, për ta çuar procesin deri në fund pas shkeljeve që u konstatuan në 10 qendrat e votimit të Lezhës të ankimuara nga PD.

Nga Qarku i Lezhës do të rinumërohen 248 kuti ndërsa në Qarkun e Shkodrës 417 kuti të të gjitha KZAZ-ve.

Reagim i LSI dhe PS: KQZ po keqpërdoret

Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për funksionim me dy standarde dhe e ka quajtur atë gjysmë KQZ. Në një deklaratë për mediat, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama ka shprehur qëndrimin e prerë të forcës që përfaqëson se cilido që ka vënë dorë mbi procesin do të përgjigjet ligjërisht.
Sipas tij, KQZ në këtë mënyrë po zvarrit, po tenton të kontaminojë dhe të kompromentojë rezultatin dhe cilësinë e procesit zgjedhor. “Vendimi i djeshëm dhe veprimi i sotëm i gjysmë-Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që mesa duket dhe mesa po shfaqet nuk është gjysmak vetëm për nga numri i përbërjes, është dëshmi e keqpërdorimit të kësaj gjysmë-KQZ-je si një instrument i verbër politik me synim zvarritjen, kontaminimin dhe ndoshta mundësisht edhe komprometimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe të cilësisë së procesit zgjedhor. Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj edhe një fakt tjetër që dëshmon se kjo gjysmë-KQZ po aplikon, në kundërshtim me ligjin, dy standarde. Kemi rastin e qëndrimit ndaj kërkesës legjitime dhe të argumentuar që bëri Lëvizja Socialiste për Integrim për rinumërim të votave në 15 kuti apo në 15 qendra votimit të Qarkut të Kukësit. Kërkesë që nuk u pranua nga kjo gjysmë-KQZ, ndërkohë që për rastin e Lezhës, apo të Qarkut të Lezhës, aplikon një standard të ndryshëm, një standard tjetër edhe pse nuk kërkoi njeri rinumërimin e qendrave të votimit në të gjitha KZAZ-të e kësaj zone zgjedhore, ashtu siç veproi edhe me Qarkun e Shkodrës. Natyrisht edhe kjo sjellje më e fundit e kësaj gjysmë-KQZ-je është reflektim i nervozizmit dhe shenjë e dëshpërimit për humbjen dhe rezultatin katastrofik që qytetarët shqiptarë i dhanë Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj. Më lejoni të bëj të qartë dhe të ditur, që jo vetëm kjo gjysmë-KQZ, por askush nuk do të mund të kompromentojë dhe të tjetërsojë rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit, që është jo vetëm i qartë dhe i pastër, por është bindës për vullnetin politik dhe qytetar të mazhorancës së shqiptarëve, që votuan të jetë mazhorancë koalicioni Aleanca për Shqipërinë Evropiane. Ndërkaq, qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim është i qartë, është i prerë, që cilido individ dhe cilado trupë zgjedhore në të gjithë nivelet e hierarkisë së trupave zgjedhore referuar kodit zgjedhor, që ka vënë dorë, që ka cenuar, që ka deformuar apo që ka kontaminuar procesin zgjedhor duhet dhe do të përgjigjet ligjërisht”- u shpreh Luan Rama.

Dritan Prifti, ankimim në Kolegj për rinumërim në Fier

Pas vendimit të KQZ, për të mos rinumëruar votat në 10 ZAZ të Fierit, zonë ku Dritan Prifti kandidoi si deputet i pavarur, ky i fundit vendos të ankimojë këtë vendim. Dritan Prifti kërkon rinumërim të votave për këtë qark, me pretendimin se votat e tij janë vjedhur dhe se duhet kthyer në vend vullneti i zgjedhësve.
Kërkesa e tij është depozituar në Kolegjin Zgjedhor. Kjo kërkesë përfshin edhe provat që sipas përfaqësuesve ligjorë të zotit Prifti, janë prova filmime, të cilat KQZ nuk i mori parasysh.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›