Shtesë page për orët e doktoraturës
14/01/2010 Pedagogët, përcaktohen normat e reja vjetore për mbulimin e orëve mësimore në auditorë
Ndarja e pagave dhe shtesave sipas pozicionit të punës për secilin akademik
Personeli akademik që do të angazhohet me udhëheqjen e tezave të doktoraturës do të përfitojë shtese page për ngarkesën mësimore. Urdhri më i fundit i nxjerr nga Ministria e Arsimit mbi përcaktimin e ngarkesës mësimore vjetore për stafet akademike ka eliminuar orët e përgatitjes për punimet e doktoraturës nga norma vjetore e punës që duhet të kryejnë pedagogët. Për të gjitha orët shtesë që këta pedagogë do të mbulojnë për kandidatët që do të pranohen në ciklin e studimeve të doktoraturës, do të trajtohen me shesë page në varësi të numrit të orëve të frekuentuara. Marrja e këtij vendimi është bërë pas polemikave të shumta të lindura ndërmjet stafeve akademike në lidhje me ngarkesën mësimore që ata duhej të plotësonin gjatë vitit akademik. Pak kohë më parë kreu i Ministrisë së Arsimit ka firmosur shkresën në të cilën bëhen ndarjet e reja të normës vjetore akademike, që do të shërbejnë edhe për përcaktimin e pagesave fikse apo shtesë të pedagogëve. Megjithatë, rregullorja kategorizon kufirin e orëve shtesë që stafet e pedagogëve mund të mbulojnë. Konkretisht, personeli akademik me kohë të plotë në universitetet publike mund të tejkalojë normën vjetore deri në 30 për qind vetëm pasi të ketë plotësuar detyrimet e punës. Ndërkohë tejkalimi i normës mbi këtë kufi mund të bëhet vetëm për nevoja të vetë institucionit të arsimit të lartë, i cili duhet të marrë edhe miratimin e Ministrisë së Arsimit për këtë gjë.
Shtesat mbi pagë
Me urdhrin e ri stafet akademike do të paguhen në masën 100 për qind për orët shtesë që do të kalojnë në auditorët e universiteteve publike për përgatitjen mbi studimet pasuniversitare të llojeve të ndryshme. Pagesat do të vijojnë të jepen në varësi edhe të llojit të programit akademik që vetë pedagogu do të ndjekë. Në vendimin e qeverisë të fillimit të vitit akademik është miratuar që pagat e pedagogëve do të përcaktohen në varësi të titullit që ata kanë si dhe orëve të mësimit që do të japin për vitin 2009-2010. Gjithashtu edhe marrja e shtesave të pagës për orët plus do të jepet në varësi të titullit që gëzon pedagogu. Sipas ndarjeve të bëra në lidhje me pagesat e stafeve akademike, për këtë vit është miratuar që pagat e pedagogëve do të variojnë nga 61 mijë lekë deri në 12500 lekë, sipas pozicionit të punës. Njëkohësisht do të jepet edhe shtesa për vjetërsi në punë, që llogaritet të jetë 0.5 për qind për çdo vit akademik. Por kjo shtesë nuk do të jepet për më shumë se 15 vjet punë. Përveç pagës fikse shtesat për orët plus do të jepen në varësi të pozicionit. Kështu, pagesa për orët mbi normë do të jetë “për profesorët 1200 lekë, profesor i asociuar 1100 lekë, docentët do të marrin 1000 lekë për orë, lektorët 600 lekë, ndërsa lektorët e asociuar 800 lekë për orë”. Fondet për zbatimin e këtyre ndryshimeve për mbulimin e orëve shtesë do të merren në masën 70 për qind nga të ardhurat e vetë universitetit, si dhe në masën 30 për qind nga të ardhurat e buxhetit të shtetit të përcaktuara për universitetet. Vetëm pranë Universitetit të Tiranës janë rreth 900 pedagogë të brendshëm që do të përfitojnë nga ndryshimet e bëra për normën vjetore të punës.
Ngarkesa
Një tjetër pikë që ka ndryshuar në lidhje e rregulloren për ngarkesën mësimore është dhe ajo e përcaktimit të elementëve të mësimdhënies së normuar vjetore të cilat do të konvertohen në orë mësimore si më poshtë: një orë leksion në studimet e nivelit të parë do të mbetet rreth 1.5 orë mësimore ose e thënë ndryshe 60 minuta; një orë leksioni në masterat e nivelit të parë apo të dytë si dhe në diplomat e nivelit të parë do të jetë dy orë mësimore (120 minuta); ndërsa një orë ushtrime dhe seminar do të jetë 60 minuta, një orë laborator do të jetë 0.8 orë mësimore, një orë praktikë mësimore ose profesionale do të jetë 0.5 orë mësimore dhe një orë mësim shoqërimi në Akademinë e Arteve do të jetë 0.5 orë mësimore.
Ngarkesa
Sipas përcaktimeve të bëra në udhëzimin e përcaktimit të orëve mësimore që duhen plotësuar nga stafet akademike në universitetet publike përcaktohet se “mësimdhënia e normuar vjetore për personelin akademik me kohë të plotë organizohet me jo më pak se 6 orë mësim në auditor për çdo javë mësimore të vitit akademik. Mund të përjashtohen nga ky rregull deri 5 për qind e personelit akademik të fakulteteve, sipas rregullave të përcaktuara. Këto përjashtime vlerësohen rast pas rasti dhe miratohen në mbledhjen e këshillit të fakultetit mbi bazë të propozimeve të departamenteve. Nga rregulli përjashtohet personeli akademik i instituteve dhe qendrave të kërkimit e zhvillimit.
Tejkalimet
Personeli akademik me kohë të plotë mund të tejkalojë normën vjetore për mësimdhënie deri në masën 30 për qind, pasi të ketë plotësuar të gjitha detyrimet e kohës vjetore të punës. Tejkalimi i paguar mbi 30 për qind i mësimdhënies së normuar vjetore mund të bëhet vetëm për nevoja të institucionit dhe me miratim nga Ministria e Arsimit. Për personelin akademik të ftuar në fakultetet përkatëse mësimdhënia e normuar vjetore duhet të jetë deri në 150 orë mësimore në vit, ose 150 orë punë vjetore për veprimtari të kërkimit apo krijuese. Personeli akademik i ftuar mund të thirret nga një institucion i arsimit të lartë kur ai nuk i plotëson nevojat për mësimdhënie nga personeli akademik i punësuar me kohë të plotë.
Kategorizimi
Mësimdhënia e normuar vjetore për personelin akademik me kohë të plotë evidenton: zhvillimin e leksioneve, seminareve, ushtrimeve, laboratorëve, praktikave mësimore apo profesionale, të përcaktuara këto për çdo disiplinë apo veprimtari formuese në planet mësimore të programeve të studimit. Ndërsa për personelin akademik me kohë të plotë në institut dhe qendër të kërkimit e zhvillimit mësimdhënia e normuar vjetore do të jetë 20-30% e orëve mësimore. Si rregull, ky personel aktivizohet në fusha që përputhen me misionin e tyre. Për nevoja të veçanta të kërkimit për këtë personel akademik mund të planifikohet mësimdhënie e normuar vjetore më e paktë, në varsi të nevojave të institucionit.
Niveli i pagave për pedagogët për vitin 2009 në varësi të pozicionit do të jetë:
Lektor/Kërkues 61 000
Lektor i parë/Kërkues i parë 77 000
Docent 80 000
Profesor 10 3500
Profesor i asociuar 90 000
Përgjegjës i njësisë bazë, kategoria “Profesor” 95 000
Përgjegjës i njësisë bazë, kategoria “Profesor” 10 7000
Zëvendësdekan, kategoria “Docent” 95 000
Zëvendësdekan, kategoria “Profesor” 10 7000
Dekan, kategoria “Docent” 11 8000
Dekan, kategoria “Profesor” 12 0000
Zëvendësrektor, kategoria “Docent” 11 8000
Zëvendësrektor, kategoria “Profesor“ 12 0000
Rektor 12 5000