E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qe 10 vjet pa ligj të sigurimeve

Më gjithë premtimet e Bankës Qendrore të Kosovës dhe Shoqatës së sigurimeve, tregu i sigurimeve në Kosovë filloi vitin 2010 pa Ligj për sigurimet.

BQK-ja pati premtuar se ky ligj do të jetë gati në shtatorin e vitit të kaluar. Më vonë u dha si datë përfundimtare fundi i vitit 2009. Mirëpo, me gjithë këto premtime, drafti i Ligjit, edhe pse i përgatitur që dy muaj, nuk po miratohet.

Sipas ekspertëve, në mungesë të këtij ligji, Kosova krijon përshtypje jo të mirë para ndërkombëtarëve dhe ajo largohet edhe më shumë nga mundësia për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurimeve. Në fakt kanë qenë ndërkombëtarët ata që kanë kritikuar institucionet për neglizhencë ndaj përgatitjes se infrastrukturës ligjore në sigurime.

Eksperti i sigurimeve dhe anëtari i grupit punues për nxjerrjen e këtij ligji, Besnik Nikçi, thotë se Ligji për sigurimet e detyrueshme është përgatitur që nga 5 nëntori i vitit të kaluar. Ai thotë se puna e tij ka qenë deri në përgatitjen e draftit, ndërsa se ku ndodhet momentalisht ligji, Nikçi beson se BQK-ja tashmë e ka dërguar në Ministrinë për Ekonomi dhe Financa. Kjo e fundit e dërgon në Kuvend për shqyrtim dhe miratim.

“Duke marrë parasysh presionin e BQK-së për afatin e finalizimit, nuk dua të besoj që drafti të gjendet në sirtar të BQK-së”, ka thënë Nikçi.

Ndërkaq, Banka Qendrore pati premtuar se Ligji për sigurimet do të miratohet brenda vitit 2009.

“Ligji për sigurimet e detyrueshme është në fazën përfundimtare”, pati thënë Bujar Abdullahu, drejtor i Drejtoratit për marrëdhënie me jashtë në BQK, në shtatorin e vitit të kaluar. Mirëpo, tani kur jemi në vitin 2010, BQK-ja, e cila në mungesë të ligjit ka kompetencë të dyfishtë si ligjdhënës dhe mbikëqyrës i sigurimeve, thotë se duhet pritur ende, pasi ligji iu nënshtrohet disa procedurave deri në miratim.

“Drafti është përgatitur, priten edhe konsultime shtesë dhe shumë shpejt shpresojmë të ketë sponsorizim që t’i kalojë për procedim parlamentit nga ana e ekzekutivit”, ka thënë Besnik Kada, zyrtar për informim në BQK.

Sipas tij, Ligji krijon bazën ligjore për themelimin e Byrosë se Kartonit të Gjelbër të Kosovës dhe kjo do të ndodhë menjëherë pasi Ligji të aprovohet nga parlamenti.

“Byroja do ta rregullojë kryesisht sigurimin kufitar dhe përgatitjen apo ngritjen e kapaciteteve për të qenë gati për anëtarësim të plotë në Byronë e Kartonit Jeshil”, pohoi Kada.

Edhe Arben Mikeli, kryetar i Shoqatës se sigurimeve, pati premtuar se Ligji për sigurimet do të miratohet fundvitin e kaluar.

“Besoj se sivjet do të miratohet Ligji për sigurimet”, pati thënë Mikeli, në shtatorin e vitit 2009.

Ndërkaq, Nikçi thotë se edhe më herët ka vërejtur mungesë të interesimit për ta miratuar këtë ligj. Pa të Kosova nuk mund ta krijojë Byronë Nacionale të Sigurimeve, ndërsa pa këto dy elemente as që mund të bëhet fjalë për anëtarësim në Këshillin e Byrove në Bruksel.

Ai i hedh poshtë pohimet se, që Kosova të jetë pjesë e këtij këshilli, së pari duhet të jetë anëtare e OKB-së.

“Për aplikim në këtë sistem, nuk është i vetmi kusht pranimi i Kosovës në OKB, por edhe aprovimi i Ligjit për sigurimet dhe themelimi i Byrosë Nacionale”, tha Nikçi.

Ai përkujton se Asambleja e Këshillit ka manifestuar përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në Sistemin e Kartës Ndërkombëtare edhe kur zgjidhja e statusit nuk dukej as afër. Por, ndërkombëtarët nuk kanë parë seriozitet te kosovarët, pasi ende mungon infrastruktura ligjore.

Në mungesë të këtij anëtarësimi, Kosova vazhdon t’i aplikojë sigurimet e detyrueshme kufitare. Ajo nuk mund ta këtë kartonin e gjelbër. Për këtë arsye, për të gjitha automjetet me targa të huaja që hyjnë në Kosovë, duhet të paguhet sigurimi, pa marrë parasysh se e kanë kartonin e gjelbër.

Nikçi shpreson se me gjithë vonesat, Kosova do ta ketë Ligjin deri në qershor të këtij viti. Në këtë kohë mbahet mbledhja e Asamblesë Gjenerale të Këshillit të Byrove. Të paktën, thotë ai, të kemi diçka me të cilën mund t’u dilet para ndërkombëtarëve.

Ekspertët thonë se aprovimi i këtij ligji parasheh dënime për kompanitë e sigurimeve, të cilat nuk i paguajnë klientët për dëmet. Gjithashtu, Banka Qendrore nuk do të këtë edhe më tutje funksionin e ligjdhënësit dhe mbikëqyrësit. Edhe gjykatat nuk do të kenë rezervë dhe qasje selektive në aplikimin e dispozitave në fushën e sigurimeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›