E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkoti i kushtëzuar, Rama: Transparencë për kutitë e votimit

TIRANË- Kryetari i PS-së, Edi Rama ka deklaruar sot se kushtëzimi i hyrjes në Kuvend nga ana e socialistëve është vetëm nisja e aksionit politik të opozitës.
"Ne kërkojmë hetim në pavarësi të plotë nga diktati i shumicës për krimin elektoral, në prani të OSBE/ODIHR-it, që janë garant i besueshëm nga të gjitha palët"- tha ai, duke shtuar se PS-ja është gati të hyjë në Kuvend nëse plotësohet kushti për hapjen e kutive të votimit dhe rinumërim të tyre për zonat që kontestojnë socialistët.
Gjatë një komunikimi me mediat, Rama e ka quajtur kuvendin jo vetëm shprehje të një deformimi të rëndë të procesit elektoral, por edhe që po afirmon që në lindjen e vet principin shumë të rrezikshëm të mungesës së plotë të vullnetit për transparencë në raport me të gjithë publikun dhe në raport me detyrimet themelore për respektimin e lirive dhe të drejtave kushtetuese të njerëzve.
"Është e qartë se në themel të kësaj mungese të plotë vullneti qëndron frika nga hapja e kutive që mbajnë brenda bazën e deformimit elektoral. Frika nga hapja e kutive që mbajnë brenda dëshminë faktike të asaj që ka ndodhur në 28 qershor dhe të batërdisë që është bërë me materialin zgjedhor"- tha ai.
Sipas Ramës, përveç frikës nga hapja e kutive është edhe frika nga transparenca me të gjithë veprimtarinë e një shteti të tërë të vënë në funksion të pushtetit. Duke filluar që nga shpërdorimi i aseteve publike për qëllime elektorale, deri tek përndjekja e patregueshme e qytetarëve që sot largohen nga vendi i punës, vetëm sepse janë identifikuar si njerëz të opozitës, se kanë qenë përfaqësuesit e saj në komisione.
"Kjo shtjellon kuptimin e kushteve tona, për të garantuar demokracinë, lirinë dhe të drejtat kushtetuese, të gjithë atë shtrat barazie përpara ligjit dhe në raport me parimet dhe vlerat e panegociueshme të demokracisë, që sot është e kërcënuar nga një kuvend që dominohet me mungesë legjitimiteti dhe nesër do diktohet nga një qeveri, që lind si shprehje e deformimit dhe mashtrimit publik, duke e bashkuar atë që dukej e pabashkueshme para 28 qershorit"- tha ai.
Më tej ai ka deklaruar edhe njëherë vullnetin e forcës që drejton për ta çuar para këtë kauzë përpara, si një kauzë që nuk është ajo e një partie, por shumë më e madhe se kaq, është një kauzë që sipas tij, ka të bëjë direkt me mënyrën si funksionon jeta demokratike në këtë vend dhe kërcënimit që u bëhet përmes pushtetit të sotëm funksioneve jetike të demokracisë.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›