E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis seanca plenare, mungon PS-ja

Për të tretën herë në historinë e pluralizmit opozita bojkoton punimet e parlamentit duke e motivuar bojkotin me parregullsitë në zgjedhje. Legjislatura e 18 ka nisur me një seancë ku mungonin 65 deputetët e PS-së. Nga 75 deputetët prezentë në sallën e parlamentit, i vetmi deputet në këtë seancë të parë plenare i cili nuk është pjesë e maxhorancës qeverisëse ishte kreu i PBDNJ-it Vangjel Dule.
Ndërkaq në këtë seancë e cila kishte karakter ceremonial morën pjese Presidenti i Republikës, trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri si dhe drejtues të institucioneve kushtetuese.
Drejtuesi i seances deputeti me i vjetër Fatos Beja ka vlerësuar se ky duhet të jetë parlamenti që do të integrojë vendin në BE.
Në këtë seancë u ngrit komisioni i verifikimit të mandateve i cili do të verifikojë mandatet e deputetëve, ndërkohë që në seancën plenare të së martës do të zhvillohet ceremonia e betimit të deputetëve.
Ndërkaq PS-ja ka publikuar tashmë edhe kushtet të cilat e mbajnë atë jashtë parlamentit, pjesa më e madhe e të cilave ka lidhje me procesin zgjedhor të 28 qershorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›