E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditë zjarresh, digjen 5 shtëpi, dhjetëra ha pyje nën flakë

Zjarre të fuqishme kanë djegur dhjetëra hektarë pyje dhe po rrezikojnë seriozisht jetën e banorëve në disa qytete e fshatra të vendit. Situata më alarmante paraqitet në Rubik (Mirditë), ku 16 banesa janë të rrezikuara nga një zjarr i rënë dje dhe që s'është shuar ende. Po kështu në Mjedë (Shkodër), ka marrë flakë vendi i quajtur kodër Sukat dhe ndërhyrja e zjarrëfikëseve është e vështirë. Në orët e pasdites në qytetin e Elbasanit regjistrohet një tjetër zjarr që po shkrumbon magazinat e tregut të romëve. Po sot defektet në rrjetin elektrik jane bere shkak per djegien e katër shtëpive në Thumanë dhe një tjerer në Tiranë.

Digjen 10 ha pyje, vazhdon furishëm zjarri


RUBIK- Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë pyjet artificialë të zonës së Rubikut duke sjellë një dëm të madh në pyje si dhe ndotje ekologjike për tërë luginën e Faint. Edhe pse u angazhuan forca që me shfaqjen e vartës, zjarri u shpërnda më shumë sot pas erërave të forta që po fryjnë. Janë në rrezik 16 banesa në një lagje përballë qytetit të Rubikut dhe në fshatin Arishte të Fangut. Forcat policore dhe ushtria janë në ndihme për ruajtjen e banesave. Vatra e parë u shfaq në pyjet sipër ish-uzinës së bakrit në Rubik,dhe më pastaj edhe në 6 vatra të tjera duke përfshirë gjithë kurorën përballë qytetit të Rubikut,ndërsa vonë në darkë ai është zgjatur në drejtim të Arishtës së fshatit Fang duke bërë shkrumb mbi 10 ha pisha të reja. Sipas kryetarit të Bashkisë Mark Ruci, ky është zjarri më i madh që ka rënë ndonjëherë në këtë zonë dhe që ka sjellë dëm shumë të madh si në pasurinë pyjore ashtu dhe në ekosistem të kësaj zone, pyje këto që shërbenin si mushkëritë e qytetit dhe tërë fshatrave rrëzë lumit Fan.

Në Kodër Sukat zjarrfikëset s'mund të nderhyjnë



SHKODËR - Sot pasdite rreth orës 17:00 forcat zjarrëfikëse janë njoftuar nga banorët për një zjarr të rënë në Kodër Sukat të Mjedës. Mësohet se flakët kanë përfshirë pemët dhe po përhapen me shpejtësi për shkak të erës. Gjendja bëhet më e rëndë për shkak të terrenit të vëshirë malor, ku është thuajse e pamundur hyrja e zjarrëfikëse. Banorët po përpiqen me mjete rrethanore të shuajnë flakët.


Zjarri në tregun e romëve, digjen magazinat


ELBASAN- Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në tregun rom dhe në magazinat e veshjeve pasditen e sotme duke rrezikuar disa shtëpi përreth tregut. Gjithçka ka ndodhur rreth orës 18.30 kur është njoftuar ekipi zjarrfikës. Zjarri ka rënë në pjesën fundore të tregut rom. Më pas kanë marrë magazinat për të vazhduar me stendat e tregut. Për shkak se kanë qenë prej druri shpejtësia e përhapjes ka qenë e madhe dhe e frikshme. Banesa pranë tregut kanë qenë të rrezikuara dhe gjithçka është vështirësuar edhe me mungesën e ujit të njërit prej mjeteve zjarrfikës. Zjarri ka vazhduar për gati dy orë dhe dëmet llogariten të konsiderueshme në veshje dhe në stendat e tregut. Ndërkohë për këtë rast kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe autorëve të mundshëm.


Shkëndija elektrike djeg katër banesa


FUSHË-KRUJË - Një shkëndije elektrike që ka rënë nga kabllot e amortizuara të rrjetit elektrik te tavanit të një banese ka shkaktuar zjarr dhe ka bërë që të digjen plotësisht 4 banesa dhe te mbeten pa strehe rreth 25 banore te fshatit Thumanë të Fushe- Krujës.

Sipas informacionit të Policisë së Krujës, zjarri dogji plotësisht banesat që përkisnin shtetasve Hamdi Jangozi,Durim Haxhia, Pashk Deda dhe Fiqiri Kapo. Në ndihme te banoreve që rrezikoheshin kanë shkuar menjehere 2 zjarrfikëse nga qyteti i Krujes të ndihmuara nga një tjetër e qytetit te Lacit si dhe nje autobot i një firme private që operonte ne zonën ku ka rënë zjarri. Mjetet e shumta nuk kanë arritur që të shpetojne 4 banesat që u shkrumbuan, por kanë ndaluar avancimin e metejshëm te zjarrit drejt banesave te tjera që ndodheshin pranë.


Tjetër shtëpi, digjet në Tiranë


TIRANE - Një shtëpi dykatëshe në rrugën "Qemal Stafa" në Tiranë u përfshi sot nga flakët e zjarrit, por fatmirësisht nuk pati të lënduar në njerëz. Forcat zjarrfikëse, mbështetur nga forcat e rendit, bënë evakuimin e banorëve të zonës dhe më pas izolimin dhe shuarjen e plotë të flakëve të zjarrit. Flakët e zjarrit mësohet se kanë shkrumbuar thuajse të gjithë ndërtesën dy katëshe, duke shkaktuar për disa çaste panik te banorët e zonës. Sipas Policisë së Tiranës, grupi hetimor ka nisur punën për zbulimin e shkaqeve të zjarrit, që për momentin mbeten të panjohura.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›