E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani, gati për dialog lidhur me programin nuklear

Presidenti Iranian Mahmud Ahmadinexhad është treguar i gatshëm të takohet me Presidentin amerikan Barak Obama. Deklarata është bërë gjatë një konference për shtyp, ku Ahmadinexhad tha se Irani po kështu, është gati të dialogojë lidhur me planin nuklear me grupin 5+1, që përfshin Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën, Francën, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë. Megjithatë tha ai, qeveria nuk do të lejojë shkeljen e të drejtave saj. Programi nuklear i Iranit do të jetë dhe çështja kryesore e mbledhjes së Agjencisë Ndërkombëtare të energjisë, javën që vjen në Vienë. Pritet që në ditët në vazhdim, Irani të bëjë publike dy propozimet e tij lidhur me planin nuklear. Sipas Ahmadinexhad, nga njëra anë duhen krijuar mundësitë për përdorimin e energjisë nukleare e nga ana tjetër, duhet ndalur zhvillimi i armëve shkatërruese në masë. Kjo deklaratë e Presidentit erdhi pas mbledhjes së parë të qeverisë së re të dalë pas zgjedhjeve të qershorit. Disa analistë e cilësuan këtë deklaratë si një fillim i mbarë për të ndryshuar kursin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›