E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama bën Edi pëson

Letër e hapur mikut tim, Edi Rama

Një humbje dinjitoze është më e vyer se një fitore e parakohshme dhe më e çmuar se një fitore e pamerituar. A ishte dinjitoze humbja e PS -së?

Mik i dashur, "Profetësia e zezë" u bë realitet. Jo për faktin se humbi Partia Socialiste, por për arsyen se "Edi Rama nuk duhet të fitonte".(?!?)

...refuzimi i thirrjes Superiore, është një nga karakteristikat e heronjve tragjik.

Teoria e lashtë greke e tragjedisë, midis cilësive të shumta të admirueshme të heronjve tragjik, evidenton një defekt të tyre të përbashkët, Hamrtia, defekt ky që i vë ata në kundra pozicion me fatin e tyre, me prindërit, me gruan,(ata që kanë),me miqtë, me këshilltarët e deri edhe me perënditë. Në heronjtë antikë, zakonisht ky defekt tragjik shfaqej si krenari o si arrogance e quajtur Hybris. Heronjtë tragjik, duke qenë persona superior me të dhëna të jashtëzakonshme, ndjehen të barabartë me Zotin, madje guxojnë ta sfidojnë Atë. Si të tillë, shpesh injorojnë këshillat e urta o shkelin rregullat morale të vendit, të bindur në të qenët superior mbi ligjet njerëzore e hyjnore. Sipas mitologjisë, kjo arrogance fatale, çliron në mënyrë automatike e të paevitueshme, një forcë të quajtur Nemezi, në origjinë Perëndia e Dënimit, detyra e të cilit është të ekuilibrojë, zakonisht duke shkatërruar bash heroin tragjik....(Aristoteli, kodi i heroit tragjik)

Qëllimet e heronjve e mjetet për ti arritur ato, janë të ndryshme, por fatet e tyre ngjajnë.

Rri i qetë miku im, ti nuk je hero, as tragjik, as antik e as grek. Megjithatë, humbja nuk i kursen as kryetarët shqiptarë post-modern. Kësaj here gozhdat janë gati. Mungon vetëm kryqi. Mëngjarashët "e rinj" po e bëjnë gati. Humbja është shtrigë e pamëshirshme. Çon në Ferr edhe shenjtorët. Fitorja jo, përkundrazi është "zonjë grua".

Po të kishte fituar Edi Rama, po këta që e fajësojnë, e shumë të tjerë do të gjunjëzoheshin para tij, do ta adhuronin e do ta lavdëronin për largpamësinë e zotësinë e tij. E bash këtë "rrugë të gabuar" do ta quanin jo vetëm "të drejtë" por do ti shtroheshin tapet strategut të tyre, madje do ta pagëzonin "Rruga e Ndryshimit Edi Rama". Nuk është çudi që ndonjë militant i flakët do ti ngrinte një shtatore në vend të asaj që kemi rrëzuar.

"MOS I FOL SHOFERIT!" -këshillonte më i riu i "të rinjve" socialist në "nisje", ndonëse "e dinte se partia po ecte vetëm me bori, pa motorë". Gjatë garës, të rinj e të vjetër, zunë nga një vend në "autobusin" e Edit dhe ia morën këngës; "Yes, We can Baraku jonë, lum si ne ku po shkojmë", veç kur sosen në Week - end, të rinj, aleatë e pleq: ZDRYP! -i thanë, SHOFER I KEQ!

Mos u nxitoni shokë komunistë e socialistë! Keni humbur zgjedhjet por mos humbni edhe Edin. Bashkë me Ramën do humbisni edhe "autobusin e ri". Keni këllqe ta bëni vetë, në këmbë? Apo do prisni Nanon mos kthehet me "autobusin e vjetër"?!?

"Ndryshimi, është misioni im", -shpalli qëllimin politik Edi Rama, dhe mori teserën Roze të partisë si mjet për ta realizuar. Shqiptarët të lodhur, nga mjerimi e përçarja, kur panë të shfaqej Edi Rama në skenën politike, të djathtë e të majtë, katolik e ortodoks, myslimanë e bektashinj, kthyen sytë e veshët nga djali me zë të ri me shpresë se më në fund kishte ardhur ai që prisnin, ndonëse nuk e dinin ç'ishte; demokrat, komunist, artist politikan apo politikan artist?

As pagëzimin e tij në altarin e socialist, e as martesën me "vejushën" komuniste PS me "buzëkuq rozë", pjesa laike, përtej të djathtës e të majtës, nuk e festoj, por e interpretoj si "makiavelizëm shqiptar", "qëllimi i mirë justifikon mjetin e keq"?!? Dimensioni, karizma, oratoria, ngjyrat marramendëse e komprometuese të artistit politikan, bënë që shqiptarët të ëndërrojnë e të shpresojnë se kishte ardhur momenti e personi adapt për të ndryshuar: e kush do të mund ta bënte Shqipërinë "alla frënga", më mirë se ky artist e bir artisti, i freskët nga Parisi, (ndonëse "me thonj të paprerë"), ky trim që kishte guxuar të ngrinte dorë i pari kundra Enver Hoxhës së vdekur dhe që i kishte ra hasha të atit për së gjalli e realizmit socialist në agoni.(?!?)

Si pararendësi i tij socialist, edhe Rama, kalëron mbi partinë e "vegjëlisë". Nano i ndërroj emrin dhe i holloj ngjyrën, por huqet nuk ja hoqi dot as Edi e nuk do t'ia ndërrojë dot as "i biri".

..."Shekulli i XX në mbarimin e tij do të marrë me vete edhe flamën që solli në fillimin e vet. Kreu i shqiptarëve nuk do ta shohë fundin e epokës së kuqe. Ai ka hyrë në histori si "prijës i vegjëlisë", Perëndimi e bëri "sulltan" e populli do ta përcjellë si "mbret". Po këta do t'ia tërheqin zvarrë copat e trupit të tij të thyer. Kockat e tij të gjata nuk do t'i zënë vend e do të hapin shumë varre të tjera. Të bijtë e nipat e tij do ta sundojnë këtë popull edhe pas vdekjes së tij." (Venere, Xh. Delia, bot. Dituria, 2005)

Me gjyshër, baballarë, fëmijë, fëmijë të fëmijëve, nipër e mbesa, halla e teze, kushërinj, xhaxhallarë e fare e fis, që nga 8 Nëntori 1941 deri me 28 Qershor 2009, dalin më shumë se gjysma e Shqipërisë. Çka do të thotë se nuk është aq zotësia e kryetarëve të partive të majta për votat që mbledhin se sa e "e nënës parti me shumë fëmijë", të cilët nuk i bashkon edhe aq ideali, se sa inercia e një sundimi të gjatë dhe dëshira për ta vazhduar. Ka njerëz që votojnë sot e kësaj dite për PKSH-në, PPSH-në e për Enver Hoxhën, në kutinë e PS-së, të LSI-së e në kutiçkat e tjera të majta. Janë pikërisht këta kryetarë "me shumicë" që e kanë katandisur "kokoshin në thela".

Nuk ndodhë e njëjta gjë në krahun e djathë. Berisha nuk është trashëgues, por themelues i PD-së, me bazë pakicën e persekutuar. Falë energjisë dhe populizmit të tij si lider, dhe pragmatizmit politik, që ky subjekt politik propozon, po e bën atë parti të shumicës. Nëse administrata e Berishës nuk do të ishte përlyer në korrupsion, konsensusi politik i PD-së do ti kishte kaluar kufijtë e krahinës e të ngjyrës. Por edhe PD-ja është parti shqiptare e nuk mund të jetë imune ndaj kësaj sëmundje të cilës nuk i ka shpëtuar asnjë strukturë.(madje janë në garë mes tyre).

Korrupsioni është pjella më e mbrapshtë që Shqipëria postkomuniste po e rritë bashkë me mirëqenien, varfërinë dhe injorancën. Të verbuar në garën për "të fituar", nuk po shohim ç'jemi duke humbur. Për të kuptuar ku po shkojmë mjafton të vëzhgojmë "fëmininë" e kësaj shoqërie që po ndërtojmë. Ish shqiptarët "e barabartë", "një për të gjithë e të gjithë për një", ku njeriu ishte "kapitali më i çmuar", janë shndërruar në "ujqër" për njeri tjetrin dhe po rrënojnë tokën, po fëlliqin detit e po ndotin edhe qiellin. (të keqen e ujkut, kur ngopet nuk nget as qengjin, pale ambientin e natyrën). Shqipëria po ndryshon vërtetë por së jashtmi. A është vetëm asfaltimi, çimentimi e pasurimi, "NDRYSHIMI" që Shqipëria e shqiptarët kanë nevojë? A nuk do të ishte e udhës, ashtu si natyrës, edhe birit të saj, njeriut shqiptar, t'ia ulnim dozën e bitumit e të çimentos e t'ia shtonim në edukim, shëndet e kulturë? Në boten e sotme kapitaliste, paraja është vene në piedestal, dhe shqiptarët po rendin me të katra që të mbërrijnë të parët.(lum të fundit që nuk do të jenë kurrë të parët!)

ATENTION! Jo çdo gjë që "fluturon nga Perëndimi hahet"! Bashkatdhetarë të dashur; nuk jetohet PËR parà por ME parà e dinjitet.

Shqiptarët e miqësisë, të besës e të vëllazërisë, janë shndërruar në matrapazë, e matrapazllëku në normë morale.

Për të ndryshuar, Rama, si politikan artist, zgjodhi variantin "bardh e zi"; të mbyllë derën e vjetër për të hapur një portë të Re. Për ta kryer shpejt, "perfekt" e pa shumë andralla, si mjet, zgjodhi PS -në, dhe ndezi menjëherë motorët drejt Kryeministrisë.

...dëshira për ti imponuar rregull kaosit, për të veçuar harmoninë nga disonanca, njësinë nga bashkësia, është një lloj instinkti artistik intelektual....ky biçim "vullnet i rregullit" është i dobishëm në fushën e shkencës, të artit e të filozofisë, por jo gjithmonë në atë sociale, politike e aq më pak në atë ekonomike. "Vullneti i rregullit" paraqet rrezikshmëri, madje mund të transformohet në tirani...me gjithë përpjekjet e përjetshme, njerëzit nuk i kalojnë dot caqet e një organizimi. Sa here që kanë tentuar të krijojnë një organizëm kanë ngritur në këmbë mostra despotike totalitare. (God Bless America, Xh. Delia, bot. Dituria 2009).

Miku im, nuk kishe dhe nuk ke pse të nxitohesh për të marrë pushtetin por duhet të punosh për ta merituar atë. Marrja e pushtetit, në demokraci, nuk është "aksion me goditje të përqendruara" e as lojë për tu fituar, por përgjegjësi e lartë morale e politike për tu merituar. Aq më pak ndryshimi i cili është proces i gjatë dhe i do dhënë koha e duhur. Në të kundërt precipiton në ndërrim. Që provove të marrësh pushtetin bëre mirë. Nuk kishte ardhur dita, por ishte pjesë e procesit politik. Që humbe nuk është faj, përkundrazi, është një eksperiencë më shumë. Humbja dinjitoze është më e vyer se fitorja e parakohshme dhe më e çmuar se ajo e pamerituar. A ishte humbja e PS-së dinjitoze?

Në fakt Edi Rama, "dhe i vetëm trim në luftë", nuk ka humbur, por matematikisht ka fituar Berisha. Thyerja e Shqipërisë më dysh, në "kuq e blu", nuk është "opinion" por "fakt". Fakt ky që, jo vetëm nuk kënaq ambiciet e dy partive të mëdha por lëndon ndarjen e hershme nga "lufta e klasave", të pa ngjitur akoma mirë dhe thellon hendekun e heshtur por ekzistues Veri - Jug. Ndaj koalicioni PD - LSI, ndonëse jo koherent e i sforcuar për të dy subjektet është zgjidhja më e mirë politike e kombëtare, madje shumë më e shëndetshme se ajo PS - LSI.

E thënë më troç, as njeri e as tjetri s'kishin rrugëdalje tjetër; Berisha zgjodhi LSI-në si "të keqen më të vogël" për të vazhduar projektin e nisur, ndërsa, Meta, PD-në si shansin më të mirë për mbijetesë, me pikësynim për tu rritur në shpatullat e Salës, dhe për tu mbrojtur nën flatrat e PD-së nga kërcënimi asimilues Ramës. Uroj që ky kompromis politik të mos degjenerojë në pazar kolltuqesh. Kjo është prova, para së cilës do të përballet çifti Berisha & Meta; i pari për ta përmbushur me nder karrierën e tij politike, dhe i dyti për të rikuperuar çka humbur rrugës e për të projektuar të ardhmen e LSI-së, vënë në dyshim nga PS-ja.

Edi Rama, megjithë "dritëhijet" e tij, është pa dyshim eveniment kompleks politik e kulturor në jetën shqiptare në përgjithësi, e në atë të majtë, në veçanti. "Fatkeqësia" e tij qëndron në faktin se ai është "ndryshe". Si artist politikan, Rama sheh, dëgjon e mendon ndryshe dhe vepron ndryshe. Të qenit "ndryshe", është fatkeqësi, sepse përjashtohesh si "i dëmshëm", madje në shoqëri me zhvillim të ulët konsiderohesh si "dele e ndarë nga tufa" dhe fati mbetet "në dorë të ujkut". Por Edi, ndryshe nga "delja", edhe pse "i ndarë nga tufa" nuk i nënshtrohet ujkut, përkundrazi, i sulet atij.

Një tjetër problem, jo më i vogël por që ka lidhje me të parin, është; "konflikti" që ka Rama politikan artist, me Edin artist intelektual; i pari ia preu rriten si artist dhe i dyti po e vonon të disiplinohet politikisht. Ky dualizëm i manifestuar në; "vrull artistik" e vizioni politik jashtë skemave tradicionale, ka krijuar "dallgë" në të majtën e vjetër, të cilat përplasen po tek ai. "Rama bën Edi pëson". Bash çoroditja e përplasja që kanë brezat, mendësitë, "krerët", kryetarët, klanet, interesat e "konfliktet e interesave", krahinat e shtresat në një gjeografi të re politike, orientuar me hartën e vjetër, është shkaku i krizës së të majtës në përgjithësi, dhe i PS-së në veçanti.

Partia e vjetër, zgjedhur nga Rama si "mjet" për një politikë të re, është çështja. Këtu fillon "ngërçi" i Ramës dhe kapsllëku i Edit. Pantallonat e Majkos, ia kthyen Ramës vrapin në hap, por kollarja Rozë me nyje të kuqe e Gramoz Ruçit, ia bëri kungull "mollen e Adamit", sa i ngeci në fyt edhe "trigoni" Servet, i ëmbël sherbet".

Rama ka trazuar ujin e ndenjur, Meta po peshkon në ujërat e turbullta, Berisha mbretëron mbi turbullirë, Nano pret të kthjellohet.

Në legjendën e Minatauros është Dedalo ai që krijon Kuçedrën dhe po ai që konstrukton labirintet për ta kurthuar atë. Është po Dedalo ai që mundëson arratisjen e Ikaros, bashkë me të atin duke i pajisur ata me flatra dylli. Ikaro, i ekzaltuar nga fluturimi harroi kush ia kishte dhënë krahët e me se ia kishte bërë. Madje i tunduar nga drita e Diellit, nuk dëgjoj as të atin që e këshillonte të mos fluturonte afër Diellit derisa flatrat iu shkrinë e u gremisë në humnerë...

Të kuptosh shkaqet e humbjes dhe ta pranosh atë është cilësi e burrave të ndershëm, të mençur e të zotë. Secili nga ne është thirrur për një detyrë në këtë dynja dhe do kryer. Kur kjo detyrë bëhet mision, nuk ka kthim mbrapsht. Ti nuk e ke kryer hala misionin që ke marrë përsipër, por nuk e ke humbur shansin. Je akoma në kohë, por jo në drejtimin e duhur! Reflekto! Verifiko hartën tënde politike! Koherenca nuk është gjithmonë "virtyt", aq më pak në politikë. Kryelartësia akoma më pak.

Vetëm një kryetar me një ideal në zemër, program të ri në kokë e jo demagogji në gojë, me një partie të reformuar, do të ishte në gjendje ti bashkonte shqiptarët; jo në "bashkimi bën fuqi" kundra Berishës e PD -së, por rreth vetes, "përtej të majtës e të djathtës", për një Shqipëri më të mirë. E majtë, e djathtë, veri - jug, myslimanë e të krishterë, janë një dhe vetën një Shqipëri. Mjaftë më me "antiBerishë" e "antikomunizëm"! Mësoni; të konkurroni me ide të reja dhe të harroni mllefet e vjetra!

Nëse ka një gjë për tu çmuar tek Edi Rama si lider postokunist, është bash ajo çka mëngjarashët "e rinj" socialist, po e kritikojnë mbas humbjes, vizioni i tij profetik, filozofik "përtej të majtës e të djathtës"; si program politik e kulturor afatgjatë: E SHKUARA si trashëgimi për tu ndarë midis nesh, dhe e ARDHMJA si program për tu realizuar së bashku. (te pakten keshtu e interpretoj unë)

Mos u ngutni shokë "të rinj"socialistë! Gjykohet rezultati nuk paragjykohet ideja."Përtej të majtës e të djathtës", është vizion i largët nuk është "plan 5vjeçar". Honi më shumë se gjysmë shekullor, nuk mund të rrafshohet me një fushatë elektorale. Nuk e di nëse se do të na duhet edhe një gjysmë tjetër shekulli, por jam i sigurt që nuk do të mjaftonte as një, as dy e as tre mandate për ta shkapërcyer këtë hendek kuq e blu, veri - jug. Mos ecni vetëm me drita të shkurtra, ndizni edhe të gjatat herë pas here! Mos shikoni gishtin e Edit, por ATJE ku gishti i Ramës është drejtuar! (Ku e ka drejtuar, më mirë seç e shikoni ju që e keni aty, nuk mund ta shoh unë që këtej.)

Shumë njerëz nuk besojnë në Zot, sepse duan ta shohin e ta prekin. Krishtit, përveç të qenit të dyfishtë, Hyjnor e Tokësor, iu desh të bënte disa mrekulli, për t'iu provuar dishepujve të tij se ishte shprehje vullnetit të Atit në qiell për një mision të lartë në Tokë. (dhe prapë se prapë e kryqëzuan).

I dashur mik, nuk të kërkoj atë që Ati i kërkoj të Birit, pasi unë, vërtetë jam Xhove, por jo Jehovà, e as ti nuk je Biri i Shenjt e as Shenjt, por të kujtoj se; Kodi i Shenjtë, nëse për njerëzit e thjesht është themeli moral e qytetar, për një lider, është froni i vërtetë dhe më pushtet dhënës se kolltuku, vula, ushtria e policia së bashku. Nëse Dhjetë të parat nuk ti kanë mësuar nëna e babai si "Dhjetë cilësitë e komunistit",(për të mos indoktrinuar), jam i sigurt se gjyshe Vera, ti ka pëshpëritë të shtatëmbëdhjetat, çdo natë para se me fjet,( për të edukuar).

Është pikërisht Edi i djeshëm fëmijë, rritur në një familje të denjë me mbiemër mysliman, ku kanë jetuar në ekuilibër, në harmoni e me dashuri; ortodoks, laik, katolik e ateistë, komunistë, demokratë e antikomunistë, fshatarë e qytetarë, gegë e toskë, në varfëri e mirëqenie, ai që më bën të besoj akoma, se Rama burrë, mund të jetë një lider shqiptar, përtej të majtës e të djathtës e mbi Jug e Veri, në gjendje të dëgjojë arsyen e të respektojë rregullin.

Por përpara se të shpallesh lider, duhet të jesh. Që të jesh do të thotë ta meritosh. Që ta meritosh, duhet të zgjidhesh me votën e lirë. E para se të zgjedhin, duhet të japësh prova se;

-Ke një ideal në zemër e një program në kokë.

-Je vërtet për ndryshim, e jo thjeshtë për ndërrim.

-Partia nuk është "putanë" që kujt i ngrihet mund t'ia hipi, por një komunitet njerëzish bashkuar për një ideal disiplinuar me statut e kushtetutë.

-Politika nuk është han e politikanët nuk janë hajvanë, hajdut e aventurier, por njerëz seriozë, të përgjegjshëm e të përkushtuar me shpirt dhe me mendje, jo bythës së vet, por popullit e vendit të tyre.

-Pushteti nuk blihet me lekë por fitohet me merita e jo me marifete.

-Drejtësia do të jetë e drejtë.

-Pushteti demokratik nuk do të jetë vegël në duart e mafies, por mjet i shumicës për të garantuar bashkëjetesën në ekuilibër e harmoni të gjithë shqiptarëve.

-Politika nuk do të jetë mjet për t'u pasuruar për vete e për të sunduar të tjerët, por detyrë e lartë fisnike e përgjegjësi e madhe, morale e qytetare për të qeverisur e prosperuar vendin e popullin.

29 Gushti është prova jote e dytë pas 28 Qershorit. Më e rëndësishme se RIZGJEDHJA, është SI do të rizgjidhesh kryetar? Kjo është çështja! Zgjedhja direkt nga njerëzit e thjeshtë, me votën e lirë e jo nga nëpunësit servilë që presin një kockë në këmbim të votës, do të ishte aleanca e re për një politikë të re, drejt për së drejti me Tokën dhe njerëzit, me Shqipërinë e shqiptarët. Një pakt i tillë "martesor" besnik, do të ishte garanci për NDRYHIM, çka do të thotë garanci për civilizim të shoqërisë tonë. Ke shansin për të vendosur një standard të ri demokratik në kulturën politike shqiptare, e një normë të re në moralin shqiptar tejet të sëmurë . Mos e humb! Mbill besimin farën e fitores.

Humbja e 28 Qershorit ishte Prova jote e parë. "Sukses i dështuar": i dështuar si humbje, sukses si vdekja e "UNIT", e frikës ndaj humbjes, çka do të thotë kalim i kufijve të vjetër të Egos. Kalimi me sukses i kësaj prove, zhvendos në mënyrë natyrale "qendrën" tënde Ego në Unin, në pjesën hyjnore. A është ky stadi jot aktual? Nëse po, nga ky stad, kalohet në stadin final, në zhvendosjen nga "Uni", në "për të tjerët", çka do të thotë se Edi Rama është bërë i përgjegjshëm për misionin që ka marrë përsipër e në të njëjtën kohë nuk do t'ia di për vete. Nga ky moment ai është gati të sakrifikojë edhe jetën e vet për të mirën e përgjithshme. A je gati? Nëse po, ky përkushtim të garanton besimin e dishepujve të cilët do të shpallin Lider, Kryetar partie e qeverie kur ti vij koha, madje të bëjnë edhe mbret. Kjo është rrugë e gjatë dhe e mundimshme por ja vlen për një ideal të lartë e një qëllim të madh.

Nga e thëna në të bërë nuk mjafton një jetë e tërë, po kush është ideali jot? Të bëhesh kryetar e kryeministër? Jo mik i dashur, nuk ja vlen një telashe aq e madhe për një qëllim kaq të vogël. Për të marrë thjeshtë pushtetin ka rrugë edhe më të shkurtra por ato nuk të çojnë më lart se tek kolltuku. Në atë kolltuk janë ulur para teje shumë bythë, e do të ulen edhe shumë të tjera. Ai fron nderi nuk është privilegj por përgjegjësi e lartë morale e ligjore, dhe si i tillë, më shumë se për bythë e pordhë, ka nevojë për krye me mënd dhe shpirt. Si dy të parat, shqiptarët kanë parë e dëgjuar, madje edhe tepër, për dy të fundit janë bash të dëshiruar. Populli do prova nga lideri i tij para se ta vërë në Krye të vendit. Nuk të mungon asgjë, përkundrazi, Zoti ti ka dhënë pa hesap. Mos i ço dëm!

Bindu zërit hyjnor nëse vërtetë të ka thirrur për këtë mision të madh. Në të kundërt, dil vetë nga "kulla e fildishtë" sepse një ditë, do të dalë dikush që do të nxjerrë; kush ka hyrë nga dritarja, nga dera nuk del dot, e kush del nga oxhaku edhe nëse shpëton pa u djegur nuk del i bardhë.

* Xhovalin Delia, Regjisor-piktor-shkrimtar, jeton ne Itali

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›