E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblehet Lumi

Shfaqja “Këmisha e gjakut” me regji të Bekim Lumit, prodhim i Teatrit Laborator Loja, e cila gjatë këtyre ditëve e ka përfaqësuar Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit MESS, në Sarajevë, është nderuar me Mirënjohjen Speciale “Zëri i MESS-it”, të cilën, në këtë festival, e jep Radio Sarajeva.

Regjisori Bekim Lumi dhe ekipi i tij i aktorëve që luajnë në shfaqjen ‘Këmisha e gjakut’, e cila u prezantua edhe para publikut sarajevas, nuk u kthyen nga atje duarthatë. Kësaj shfaqjeje iu dha mirënjohja speciale ‘Zëri i MESS-it’, çmim ky që e jep Radio Sarajeva në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit MESS, që mbahet në Sarajevë.

Në motivacionin për ndarjen e kësaj mirënjohjeje, e cila i dedikohet regjisorit dhe aktorëve të shfaqjes, thuhet se ajo u jepet atyre “për përdorimin e paramenduar dhe inovativ të elementeve të etno muzikës në shprehjen teatrore bashkëkohore, si dhe për shfrytëzimin optimal të hapësirës në kontekstin auditiv”.

“Zëri i MESS-it” është një shpërblim i themeluar nga Radio Sarajeva në vitin 2009, i cili, si i tillë, jepet “për përdorimin më të mirë të muzikës dhe të tingullit në teatër, për auditivitetin e skenës, muzikalizimin e shprehjes teatrore, apo për shfaqjen e gjeneruar përmes muzikës”, me qëllim që, përmes kësaj, të tërhiqet vëmendja për vlerën dhe domethënien e muzikës e të tingullit në teatrin bashkëkohor.

Regjisori Lumi, më këtë rast, u shpreh për Express se shfaqja kosovare është mirëpritur nga kritika dhe publiku sarajevas me duartrokitje të gjata. Ai shtoi se paraqitja e saj është pasqyruar me tone afirmative dhe admiruese në të gjitha mediumet kryesore të shkruara dhe elektronike boshnjake. Lumi theksoi se ndjehet mirë me fitimin e këtij çmimi.

“Nndjehem mirë, meqë kjo mirënjohje është vlerësim i disa nga aspekteve më të rëndësishme të shfaqjes, të tilla si zëri, tingulli, muzikaliteti dhe shfrytëzimi auditiv i hapësirës skenike, për të cilat unë dhe aktorët, gjatë punës kërkimore e kreative njëvjeçare, kemi punuar dhe investuar bukur shumë. Zaten, asnjë shfaqje bashkëkohore, e cila pretendon të jetë në trend me zhvillimet aktuale teatrore në botë, nuk mund të paramendohet pa këto aspekte, me të cilat zakonisht identifikohet teatri kontemporan”, tha Lumi.

Ai shtoi se ky është një vlerësim motivues për atë si dhe për aktorët e Teatrit Laborator Loja, si dhe një shtysë e fuqishme që të vazhdojnë më tutje me kërkimet dhe eksperimentimet e tyre kreative në fushën e teatrit.

Përndryshe, “Këmisha e gjakut” është një krijim artistik eksperimental i ndërtuar mbi motivet dhe fragmentet e tragjedive “Makbethi”, “Rikardi III” dhe “Hamleti” të Shakespeare-it dhe mbi disa nga motivet e kodit zakonor shqiptar “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, i cili ngërthen në vetvete shumë nga traditat, doket, zakonet dhe ritualet e vjetra shqiptare. Kësisoj, kjo shfaqje, përmes gërshetimit të motiveve shekspiriane dhe motiveve të kodit zakonor shqiptar, përmes lojës dhe kreacionit aktoresk, përmes asociacioneve, inicialeve, simboleve dhe metaforave të ndryshme skenike, duke tejkaluar qëllimshëm çdo lexim, interpretim dhe trajtim regjisorial konvencional të tragjedive të Shakespeare-it, në rrafshin artistik vjen në formën e një akti krijues eksperimental, gjatë të cilit publiku bën zbërthimin, transkriptimin dhe interpretimin e tri “përrallave” të ndryshme, të cilat në këtë shfaqje, të ngjizura në “gjakun” e njëra tjetrës, vijnë si një “përrallë” e vetme.

Shfaqja “Këmisha e gjakut” ishte pjesë e programit zyrtar “Mittel Europe” të edicionit të 52-të të festivalit MESS dhe, si e tillë, në një konkurrencë prej 33 shfaqjesh nga 21 vende të botës, është paraqitur më 4 tetor, në orën 22:00, në ambientet e një shtëpie tradicionale muzeale boshnjake, e njohur si “Svrzina kuća” (Shtëpia e Svërzës).

Shfaqja “Këmisha e gjakut” është realizuar nga Teatri Laborator Loja në Muzeun Etnologjik të Kosovës, në Prishtinë, si rezultat i një procesi kërkimor – kreativ eksperimental njëvjeçar. Premiera e kësaj shfaqjeje, për të cilën bileta kishte kushtuar 100 euro, është mbajtur më 27 shtator të vitit 2010.

Pjesëmarrja e shfaqjes në këtë festival është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›