Nis sezoni turistik në Gjirokastër, dyfishohen taksat parkimit me pagesë
100 dhe 200 lekë të reja nga 50 lekë që ishte tarifa e mëparshme. Në një nga mbledhjet e fundit të Këshillit Bashkiak të qytetit të Gjirokastrës është miratuar edhe vendimi tjetër për të administruar si vend-parkim me pagesë edhe territorin e sheshit të "Mullirit të Vjetër" në zonën historike, përveç territorit të Sheshit të Çerçizit. Pas këtyre dy vendimeve dhe në rrethanat specifike të Gjirokastrës, me sipërfaqe të kufizuara publike brenda shtrirjes së qytetit muze dhe me një terren të përthyer dhe malor, është zvogëluar ndjeshëm mundësia për të gjetur një vend parkimi në qytetin muze. Tarifat e larta të parkimit dhe shtimi i rrugëve të administruara si vend-parkime me pagesë bien në kundërshtim me të gjitha politikat e strukturave të qeverisjes vendore dhe qendrore për të favorizuar turizmin dhe biznesin e vogël të lidhur me turizmin që ushtron veprimtarinë e tij në zonën historike, që është edhe zona më e vizitueshme, thotë A. Dhrami, një banor i kësaj zone të qytetit. Sipas tij, tarifat e përcaktuara për pagesën e taksës së parkimit nuk janë aspak logjike dhe të aplikueshme, pasi për këtë pagesë nuk është vendosur asnjë kufizim kohor për qëndrimin e automjeteve në këto vend-parkime. Drejtuesve të automjeteve që kanë biznese në këtë zonë do tju duhet që të paguajnë taksën e parkimit sa herë që u duhet të lëvizin dhe të qarkullojnë për nevoja të biznesit të tyre gjatë ditës. Pavarësisht nga rritja e pagesave dhe shtimi i sipërfaqeve të parkimit me pagesë, në zonën muzeore historike të qytetit, parkimi i automjeteve bëhet gjithmonë e më i vështirë për të mos thënë krejt i pamundur, sidomos në periudhën e sezonit turistik.
Last Updated on E Hene, 07 Qershor 2010 18:36