Gjoba për bilancet e rreme, qeveria zhvlerësoi vendimin e Kushtetueses
Vendimi
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar nga shoqata mësohet se Është vendosur shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i Ligjit nr. 10091, dt. 05.03.2009 Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertëve kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar Sipas të njëjtave burime mësohet se pezullimi i Ligjit nr. 10091, dt. 05.03.2009 Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertëve kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar. Ndërkohë që papajtueshmëria me Kushtetutën e vendimit të këshillit të ministrave bazohet në nenet 131 shkronja a, 134 shkronja f të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; nenet 49/2 e 51 të ligjit nr. 8577, dt. 10.02.2000 Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Gjykata Kushtetuese
Pasi u njoh me pretendimet e Organizatës Profesionale të Ekonomistëve që kërkoi pranimin e kërkesës, përfaqësuesit e subjektit të interesuar: Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar që kërkuan rrëzimin e saj si dhe bisedoi çështjen në tërësi. Gjykata thekson se Kodi Penal përbën ligjin më të rëndësishëm, ku përmblidhen në mënyrë të sistemuar dispozitat penalo-juridike. Sipas gjykatës ky Kod përmban jo vetëm parimet kryesore mbi të cilat duhet të mbështetet drejtësia penale, por edhe veprat të cilat konsiderohen si të dënueshme. Një nga parimet kryesore që përshkon këtë Kod është edhe parimi i ligjshmërisë që nënkupton parashikimin me ligj të veprave penale dhe mosdënimin për një vepër që nuk është parashikuar shprehimisht si krim ose kundërvajtje penale. Qëllimi i këtij parimi është jo vetëm respektimi i ligjit për çdo rast dhe për çdo vepër penale, por edhe njohja e subjekteve me të gjitha ato veprime apo mosveprime, të cilat konsiderohen të dënueshme. Duke qenë se Kodi Penal, krahas Kushtetutës, është burimi kryesor i së drejtës penale dhe në zbatim të parimit të ligjshmërisë, parashikimi i veprave penale duhet të bëhet pikërisht në këtë Kod, si ligji bazë që parashikon krimet dhe kundërvajtjet penale ose në një ligj të barazvlefshëm me të nga fuqia juridike. Një gjë e tillë i vjen në ndihmë shtetasve, të cilët mund të orientohen më mirë në kuadrin e gjerë të ligjeve që mund të parashikojnë vepra penale, me qëllim njohjen e tyre me ndalimet ligjore sipas fushave të ndryshme.Gjykata çmon se dispozita që e klasifikon një veprim të caktuar në rastin konkret mbajtjen e padrejtë të titullit të ekspertit kontabël si vepër penale, jashtë dispozitave të Kodit Penal dhe si pjesë e një ligji të miratuar me shumicë të thjeshtë të deputetëve, bie ndesh me parimin e kushtetutshmërisë, pasi prek drejtpërdrejt shtetasit në të drejtat dhe liritë e tyre duke mosrespektuar shumicën e cilësuar për këtë qëllim. Dënimi penal është masë shtrënguese që zbatohet nga shteti nëpërmjet gjykatave, në bazë të ligjit, kundër personave fajtorë që kanë kryer veprën penale. Ai dallohet nga masat e tjera shtrënguese që merr shteti ndaj personave që kryejnë vepra penale për shkak të pasojave që ka. Në interpretim të nenit 1/a të Kodit Penal, i cili parashikon se legjislacioni penal përbëhet nga ky Kod dhe ligje të tjera që parashikojnë vepra penal, Gjykata Kushtetuese çmon se për këtë qëllim, me ligje të tjera do të kuptohen ato akte të ligjvënësit që miratohen me shumicë të cilësuar prej 3/5 të anëtarëve të tij. Për këtë arsye, ligjvënësi duhej të kishte gjetur mekanizmin e përshtatshëm procedural që, në kuadër të garancisë për ushtrimin e profesionit të ekspertit kontabël dhe në përputhje me kriteret ligjore për këtë qëllim, të respektonte shumicën e cilësuar prej 3/5 për dispozitën që parashikon veprën penale.Gjykata Kushtetuese ka tashmë praktikë të konsoliduar lidhur me respektimin e kritereve formale dhe materiale që vendos Kushtetuta, të cilat duhen respektuar gjatë procedurës ligjvënëse. Kështu, një nga kriteret është edhe kriteri formal i miratimit të një ligji që kërkon shumicë të cilësuar, në respektim të nenit 81/2 të Kushtetutës (vendime të GJK nr. 19, dt. 03.05.2007; nr. 25, dt. 15.12.2008). Nga sa më lart, Gjykata çmon se neni 58 i ligjit objekt shqyrtimi, që parashikon mbajtjen e padrejtë të titullit të ekspertit kontabël si kundërvajtje penale, nuk është në pajtim me nenin 81/2 të Kushtetutës.
Vendimi i Kushtetueses
- Shfuqizimin e nenit 58 të Ligjit nr. 10091, dt. 05.03.2009 Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertëve kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar.
- Rrëzimin e kërkesës për pjesët e tjera.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe, për shkak të boshllëkut ligjor që krijohet nga shfuqizimi i nenit 58 të ligjit nr. 10091, dt. 05.03.2009, hyn në fuqi 6 muaj pas botimit të këtij vendimi në Fletore Zyrtare.
Ornela Manjani
Last Updated on E Hene, 07 Qershor 2010 19:14