Nis shembja e pjesës së mbetur të pallatit
Gjirokastër-Sapo ka nisur shembja e pjesës së mbetur të pallatit 5-katësh. Operacioni për prishjen e tij u njoftua nga preferkti i qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksrea. Sipas tij, është vendosur që prishja të bëhet me mjete të rënda dhe jo me shpërthim, për të mos shkaktuar panik tek banorët e kësaj lagjeje. Ndërsa, Major Neflli Devolli nga Ministria e Mbrojtjes ka siguruar se “punimet për shembjen e objektit nuk do të kenë asnjë rrezik për banorët që jetojnë pranë kësaj ndërtese”.
“Pas konsultimit me ekspertë të Regjimentit të Infrastrukturës, në Ministrinë e Mbrojtjes u ra dakord që për të shmangur dëmet e tjera të mundshme dhe pasigurinë tek banorët, rrëzimi i objektit të mos bëhet me lëndë plasëse por me mjete të rënda”. Kështu u shpreh, Ksera. Ndërsa vijoi se u la të shembej në këtë orar në respekt të viktimave që u përcollën pak minuta më parë për në banesën e fundit.
Forca të policisë së rendit, të ushtrisë, etj. janë në vendngjarje duke shembur godinën pesëkatëshe, pjesë e pallatit të shembur tre ditë më parë që shkaktoi tragjedi në këtë qytet.
Ditën e diel në mesditë, është shembur një pejsë e pallatit 5-katësh në lagjen “11 janari”, nën rrënoja e të cilit mbeten 3 viktima dhe disa të plagosur.