E Diel, 1 Nëntor 2026

Shokët: Nuk e dinim që ishte Eleni jonë

Flasin shokët dhe shoqet e klasës. Pritëm që Anxhela të vinte në mësim

Lagjia “11 janari”, Gjirokastër

E prisnin që të vinte si zakonisht në mësim, të ulej në bankën e saj në rreshtin e tretë dhe të buzëqeshte ëmbël, ashtu sikur u ndanë në ditën e fundit të shkollës. Megjithëse kishin kaluar diçka më shumë se 24 orë nga tragjedia në lagjen “11 janari”, askush në klasën e 6-të, në shkollën 9-vjeçare “Koto Hoxhi” në Gjirokastër, nuk e besonte se Anxhela Dalani, vajza e humbur nën rrënoja ishte Eleni, shoqja e tyre. Mësuesja kujdestare, Ermira Kallani, u paraqit si zakonisht në klasë për të kryer ritualin e përshëndetjes mëngjesore me nxënësit. Të gjithë prisnin të ngrirë një lajm të mirë. Ajo u përpoq të jepte kurajo, por lotët e tradhëtuan. “Shpresa vdes e fundit dhe unë kam besim se Eleni do të jetë sërish midis nesh”,- u tha ajo mëngjesin e djeshëm nxënësve të saj. Edhe nxënësit u shkrehën në vaj. Për të ulur sadopak tensionin që vihej re dukshëm në sytë e tyre, mësuese Ermira vendosi që mësimi të zhvillohej normalisht. Në bankë nuk u vendos asnjë buqetë me lule. Ata pritën Elenin përgjatë gjithë orëve të mësimit, por më kot. Shpresat u shuan përfundimisht në orën 15.05 të ditës së djeshme, kur një dorë e ngritur lart urdhëroi të ndaloheshin menjëherë gërmimet. Për fatin e keq të saj vogëlushja nuk do të mund të jetë më midis shokëve, babait, vëllait të vogël dhe të afërmve që prisnin me sy nga pallati gjysmë i rrënuar. Ajo u gjet pa jetë nën masivin e rëndë të betonit, duke shumëfishuar dhimbjen e të atit, Jetnorit, i cili humbi në këtë tragjedi edhe bashkëshorten Valbonën. Mariuli, shok klase me Elenin, na tregon se ajo ishte një vajzë shumë e mirë. Ata kishin mëse një vit që ndanin së bashku bankën dhe të dy e ndihmonin njëri-tjetrin në mësime. Djaloshi na tregon se me shoqen e bankës nuk kishin biseduar kurrë më parë për pallatin. Kuptohet këto ishin probleme shumë të mëdha për moshën që ata kanë. Mariuli madje, na rrëfen se deri dje nuk e dinte që emri i vërtetë i shoqes së bankës nuk ishte Eleni, por Anxhela. Vajza ishte e pagëzuar dhe në shkollë përdorte emrin e dytë. “Shkuam në shkollë si zakonisht. Anxhela është shoqja ime e bankës. Nuk e dija që kishte këtë emër, pasi në klasë e thërrisnin Eleni”,- pohon Mariuli, ndërsa kishte gjetur tarracën e një pallati diku pranë për të ndjekur ecurinë e kërkimeve. Ai qëndrote aty së bashku me shokët e tjerë të klasës, të cilët mezi kishin pritur përfundimin e orëve të mësimit. “Për herë të fundit Elenin e pashë ditën e fundit të mësimit, të premten. U ndamë si zakonisht. Sot (dje) shkuam në shkollë dhë mësuam se ajo ndodhej te pallati i shembur. Mësuesja na tha që të mos shqetësoheshim, pasi ajo do të vinte shumë shpejt në mësim. Madje mësuesja kujdestare na kërkoi që të vazhdonim normalisht të gjitha orët e mësimit”, - na tregon Klausi, një tjetër shok klase me 12-vjeçaren.

Gërmimet për gjetjen e tre personave të humbur në rrënojat e pallatit të shembur në lagjen “11 janari” në Gjirokastër, të dielën në mesditë, vazhduan për gjatë gjithë paradites së djeshme, pas një shkëputje kohore të detyrueshme në orët e para të mëngjesit. Fillimisht nga rrënojat është nxjerrë trupi i pajetë i 65-vjeçares, Parashqevi Zoto. E moshuara është gjetur në gërmadha në orën 10.30. Pas gjetjes së trupit të parë të pajetë, kërkimet kanë vazhduar për gjetjen e dy personave të tjerë të humbur që ishin nënë e bijë, Valbona dhe Anxhela Dalani. Kryefamiljari, Jetnori, dhe të afërm të familjes Dalani kanë qëndruar përgjatë gjithë kohës pranë vendit të tragjedisë me shpresën se të dashurit e tyre do të gjendeshin të gjallë. Tre orë pas gjetjes së trupit të parë të pajetë, në orën 1:05, punonjësit e specializuar në kërkimin e njerëzve të humbur kanë pikasur midis rrënojave trupin e dytë të pa jetë, që i përkiste 35-vjeçares Valbona Dalani. Vetëm dy orë më pas është gjetur edhe trupi i tretë që i përkiste Anxhelës 12-vjeçare, gjetja e së cilës i ka dhënë fund edhe kërkimeve të gjatë që zgjatën për pothuajse 27 orë.

Dy vite më parë, Shpresa Bozgo, u përzu nga kreu i bashkisë, ndërsa kërkoi ndalimin e erozionit në lagjen “11 Janari”

Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Bime, u paralajmërua për tragjedinë

Pallati në lagjen “11 Janari” në Gjirokastër, ku si pasojë e shembjes humbën jetën 3 persona dhe u plagosën 15 të tjerë, ishte i rrezikuar të binte në tokë kohë më parë dhe kjo për faj të bashkisë së Gjirokastrës dhe më konkretisht të kreut të saj, Flamur Bime, i cili paçka ankesave të vazhdueshme nuk ka marrë asnjë masë për parandalimin e tragjedisë. Ky pallat nuk është rrezikuar vetëm nga punimet amatoreske në këmbë të tij, por edhe nga erozioni i dherave në pjesën e pasme, i ardhur si pasojë e shpyllëzimit të zonës. Shpresa Bozgo, banore e lagjes në fjalë, kishte mëse dy vite që ankohej për problemet e tokës në këtë lagje. Fillimisht ajo ka paraqitur ankesë në bashkinë e qytetit, në zyrën e kryetarit Flamur Bime, i cili sikurse thotë vetë zonja Bozgo, “nuk e ka vënë ujin në zjarr” për problemin që ajo ka paraqitur. Ndërsa ka parë indiferencën e kreut të bashkisë, banorja e lagjes “11 janari”, i është drejtuar prefekturës së rrethit Gjirokastër, ku i ka kërkuar me ngulm këtij institucioni të shikojë me përparësi problemin e pallatit në lagjen ku ajo banon, i cili rrezikon të shembet si pasojë e shkarjes së dherave në pjesën e pasme të tij. “Kam shumë kohë që shkoj në Bashki për të zgjidhur problemet te kryetari Flamur Bime, dhe nuk ma ka zgjidhur”, - shkruan zonja Bozgo në fillim të letrës drejtuar prefekturës. Ajo pretendon se një person, i afërm me kryetarin e bashkisë Flamur Bime, në mënyrë të paligjshme ka prerë të gjithë pemët frutore që ndodhen në bregun mbajtës të pallatit ku ndodhi së fundmi tragjedia. Në letër, zonja Bozgo, sqaron të gjithë situatën e krijuar, si edhe pasojat që mund të vijnë si shkak i veprimeve të paligjshme të kryera. Pas verifikimit të ankesës, preferektura e Gjirokastrës dhe më konkretisht kreu i saj, Spiro Ksera, i është drejtuar me një letër kreut të bashkisë Flamur Bime, ku i kërkon këtij të fundit të shikojë me përparësi problemin e paraqitur nga zonja Shpresa Bozgo. Por çfarë ka ndodhur? Nga dita e dërgimit të shkresës, përcjellë bashkisë së Gjirokastrës, kanë kaluar më shumë se një vit, dhe që nga ajo kohë nuk është marrë asnjë masë nga institucioni vendor, çka tregon papërgjegjshmërinë e drejtuesve të tij, papërgjegjshmëri e cila, së fundi, mori jetë njerëzish të pafajshëm, ato jetë për të cilat Shpresa Bozgo kishte kërkuar të shpëtoheshin me ngulm kohë më parë në derën e kreut të bashkisë Gjirokastër Flamur Bime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›