E Diel, 1 Nëntor 2026

Revolta e banorëve: Ja bizneset familjare të Flamur Bimes

Tragjedia në Gjirokatër, akuza kryetarit të bashkisë për masakrën urbane

Spektakli makabër shikohet nga lart. Sorra dhe njerëz presin mbi tarracën e pallatit pesëkatësh që shikon përballë pallatit, që para orës 11 të së dielës ishte edhe me dy “krahët” që kanë fluturuar, duke marrë me vete jetë njerëzish. Vëzhguesit janë gjirokastritë, fqinjë të Valbonës që u nxor në mesditë nga gërmadhat, apo shokë klase të Anxhelës që do të dilte e mbështjellë në velenxë, pak më tepër se dy orë më vonë. Flamur Bime shfaqet në rrugicën e shtruar me beton, 10 minuta para vizitës së kreut të shtetit. Mbështet fort herë te njëra këmbë, herë te tjetra dhe bën përpara me ngadalë te zona e krimit, e mbushur me forca ushtarake dhe policore, në pritje të mbarimit me “sukses” të operacionit të shpëtimit. Kryetarit të bashkisë së Gjirokastrës nuk i flet askush, por edhe ai nuk i hedh sytë njeriu.

Në orën 15.10 ekipi i shpëtimit gjen diçka, shumë më sipër vendit ku gërmonte prej disa orësh. Janë dy këmbë që varen, ndërsa pjesa tjetër e trupit është poshtë dy pllakave të betonta. Kur ato hiqen, Anxhela 13-vjeçare, duket sikur po fle e mbështetur në anën e djathtë. Prej vendit ku ajo ka qenë e murosur për së gjalli, prej orës 11.00 të së dielës, bien kukullat e pellushit, një arush kuq e blu dhe një lepurush ngjyrë rozë e pane. Dhe, ndërsa kufoma e shpërfytyruar e nxënëses së klasës së gjashtë mbështillet me një copë të zbërdhylët, poshtë në rrugën nacionale Kakavijë-Gjirokastër, zvarritet eskorta e presidentit, që bën rrugën e kthimit.

Drejtori i zjarrfikësve, Dilaver Laçi mbyll me vështrim të qeshur operacionin e shpëtimit. Premton se nesër do të fillojë shkatërrimi i pallatit nga katet e sipërm, sepse ai është një rrezik për të gjithë.

Deri të dielën ishin banorët e tij që bënin ultimatume rreziku. Kush pati mundësi iku me kohë. Gjirokastritët i shitën apartamentet dhe në vend të tyre erdhën tepelenasit. Pallati, i nisur me punë vullnetare që në vitin 1986, mezi kish mbaruar në 1991-shin, por ai, shumë shpejt, i kishte dhënë shenjat.

Si ai ka shumë në Gjirokastër. Gati në të gjithë cepat e kodrave ku është kacavjerrë një pjesë e madhe e qytetit të shpallur pasuri e UNESCO-s, gjen pallate të tillë. Gjirokastritët të marrin për dore për të treguar se ku do të krisë sot, apo nesër. Shkojmë pak më tutje, te Universiteti “Eqerem Çabej”. “Këtu kanë qenë fushat e studentëve”- thotë udhërrëfyesi vendas, duke treguar hyrjen e universitetit që mezi duket nga ndërtimet e shumta, bërë vitet e fundit. Më tej vijojnë ndërtime marramendëse, të ngjitura “sup më sup” si mali pas kalasë. Janë kryeveprat e qeverisjes vendore, që deri më sot i ka ruajtur zoti nga ndonjë zjarr, sepse aty është e vështirë të futen. Prapa, shumë metra larg tribunës së stadiumit të qytetit, ka banesa të tjera të rrezikuara, por për to, deri më sot, askush nuk ka çarë kokë. “Këtu është thënë përditë se po bien shtëpitë e vjetra, po ato nuk i gjen gjë se janë bërë me themele të forta në gur, jo si këto që po bien këto ditë”.

Engjëll Seriani ështënjëri prej gazetarëve më të njohur dhe më kritikë të Gjirokastrës. Ai e sheh me dyshim të ardhmen politike të kryetarit të bashkisë, kur pyetet për heshtjen e Bimes.

-“E çfarë të thotë?!-përgjigjet ai i çuditur.

Flamur Bime është në vitin e dytë të mandatit të dytë si drejtues i bashkisë së Gjirokastrës. Para se të bëhej pushtetar vendor, kishte qenë vetë ndërtues dhe ishte diplomuar për inxhinieri. “Ai e dinte se çfarë po bëhej”, –thotë Janaqi, që pranon me krenari se sa të jetë gjallë do të votojë për të majtën, por kurrë më për një kryetar bashkie si Flamuri. Popullariteti i drejtuesit të pushtetit vendor është ulur në minimum, veçanërisht pas zgjedhjeve të 18 shkurtit 2007, kur ai u rikonfirmua si drejtues i pushtetit vendor. Kjo nuk ishte në të mirë të komunitetit, por të bizneseve të lidhura me emrin e tij, qoftë nga protagonistët, qoftë nga veprat e tyre. “Ky është pallati i kunatit të Flamurit”,- thotë një banor, duke goditur me grusht betonin e bardhë të ndërtesës 8-katëshe karabina. Është skeleti i betontë ngjitur me pallatin e shembur, edhe ai i ngritur duke çarë shkëmbin dhe duke betonuar anët, vetëm tre metra nga themelet e pallateve ngjitur.

Me emrat e kryebashkiakut janë të lidhura edheviktimat e tragjedisë të së dielës. Donin të bënin një qendër tregtare, aty buzë rruge, përballë ish-nënstacionit të vjetër elektrik të qytetit, vota tw këshilltarëve edhe nga PD-ja, por që paralajmëronin tragjedinë. Ditën kur ishte votuar projekti në bashki, tre vota kishin qenë kundër. Nën dheun që ka rrëshqitur, banorët betohen se janë një skrap që gërmonte dhe një autoveturë. Se çfarë masakre është bërë e tregon lëvizja e pallatit të tragjedisë, rreth 15 metra në drejtim të rrugës Gjirokastër-Kakavijë dhe pastaj 5 metra poshtë. Aksionerët? Të afërm të kryetarit të Bashkisë, një drejtor tatimesh dhe nja dy të “fortë” të tjerë të zonës. “Ne kishim ngritur disa herë zërin”, - thotë njëri prej banorëve të mbijetuar, por këtu bëhet fjalë për bosa dhe nuk na e kishin varur” dhe ai nuk kishte lëvizur as gishtin për tu ardhur në ndihmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›