Nis sot edicioni i dhjetë i panairit të librit në Ulqin
çelet sot në mbrëmje në Ulqin edicioni i dhjetë i Panairit të Librit. Kjo është ngjarja më e rëndësishme kulturore e vitit në Ulqin, e cila tradicionalisht organizohet nga Komuna e Ulqinit në bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë nga Shqipëria. Pritet që mbrëmja e sotme kushtuar kësaj veprimtarie të çelet nga katër ministrat e Kulturës së katër vendeve të rajonit, Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Shkrimtari Besnik Mustafaj do të jetë i ftuari i nderit për edicionin e sivjetshëm të Panairit të Librit. Mbi 60 botues do të marrin pjesë gjatë ditëve të panairit, ose do të dërgojnë botimet e tyre më të mira të përfaqësuara nëpërmjet agjencive të shpërndarjes së librit. Veç librave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, do të ekspozohen libra e do të marrin pjesë botues edhe nga Mali i Zi, Bosnja e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike. Në këtë edicion të dhjetë, i cili do të zgjasë deri më 4 gusht, parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen për shitje mbi 6000 tituj librash, nga të cilët mbi 500 janë tituj të rinj. Letërsi artistike, autorë shqiptarë e të huaj, histori, botime enciklopedike, guida turistike e harta të çdo lloji, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për zanate e profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh do të jenë librat që do të paraqiten para lexuesve ulqinakë e pushuesve të huaj.
#