E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis sot hartimi i testit të matematikës

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Izolohen sot në AVA 17 specialistët e dytë të arsimit, të cilët do të hartojnë testin e matematikës. Pas përfundimit ditën e hënë të testit të letërsisë, maturantët do t i nënshtrohen më 17 qershor testit të matematikës. Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), strukturë në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, është në fazën përfundimtare të përgatitjes për zhvillimin e provimit të dytë të detyruar të Maturës Shtetërore, testin e matematikës. Drejtori i kurrikulës në MASH, Ndriçim Mehmeti, theksoi se ecuria e procedurave dhe afateve të Maturës Shtetërore janë përmbushur brenda kohës së përcaktuar në rregullore. Sipas tij, nesër një numër i madh specialistësh do të "izolohen" në ambientet e AVA-s për të përgatitur provimin e matematikës, të cilit do t i nënshtrohen rreth 33 400 maturantë. Ai tha se fondi i pyetjeve është pothuaj 3-fish më i madh se vitin e kaluar. Tashmë është caktuar fondi i plotë i kërkesave, i sistemuar sipas përmbajtjes e niveleve të vështirësisë. Po ashtu, ka përfunduar edhe procesi i kontaktimit dhe i organizimit të punës në qendrat e vlerësimit në rrethe, pasi një nga risitë e korrigjimit të provimeve të maturës 2008 është se ato nuk do të përqendrohen vetëm në Tiranë, por dhe në Shkodër, Elbasan dhe Fier. Lidhur me fillimin e KOEPS- it të dytë për testin e matematikës (Koha e Ekspozimit Potencial të Sekretit), Mehmeti tha se dita e sotme është përcaktuar si dita ku do të "izolohen" në ambientet e AVA-s grupi i 17 specialistëve që do të merret me hartimin e testit të matematikës (që do të zhvillohet më 17 qershor). Më pas, në çdo mjedis ku do të zhvillohen provimet e maturës, do të dërgohet një kuti e vulosur, e cila do të përmbajë testet për të gjithë nxënësit pjesëmarrës në provim, bashkë me listat e tyre, bar-kodet dhe me të gjitha elementet e nevojshme për zhvillimin e provimit". Mehmeti tha se, sipas përcaktimit të MASH, lloji i testit me të cilin do të promovohet nxënësi, varet nga lloji i programit lëndor që ai ka punuar në shkollën e mesme dhe në përputhje me këto kritere, sivjet do të hartohen 7 lloje testesh, në varësi të profilit të arsimit. Pikët maksimale për testin e matematikës do të jenë 50. Ky provim do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje me përgjigje alternative (13 pikë) dhe 12 pyetje me zhvillim (37 pikë).
Ky lajm është publikuar: 11/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›