E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis sot ndërtimi i rrugës së kombit, Morinë-Merdare

Dita e sotme do të mbahet mend gjatë në mendjet e shqiptarëve të Kosovës, pasi Rruga e Kombit nga sot do të marrë udhë dhe do të kalojë kufijtë duke bashkuar shqiptarët në të dy krahët. Tashmë është realitet. Projekti më i madh infrastrukturor ai i autostradës Morinë- Merdare, do të inaugurohet sot nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai shqiptar, Sali Berisha.

Punimet do të përfshijnë dy segmente të autostradës nga Vermica deri në Duhël, të cilat pritet të përfundojnë për një vit. Vetë Ministri i Transportit të Kosovës, Fatmir Limaj, tha se kur u nënshkrua kontrata me kompaninë Bechtel & Enka, ajo që kreu edhe punimet në autostradën Rrëshen-Kalimash, kjo kontratë do të përcillet me vlerësime në çdo segment. Krahas konfirmimit të përgatitjeve për fillimin e punimeve, ministri Limaj theksoi edhe seriozitetin që do të ketë vazhdimi i shtrimit të rrugës së autostradës, duke treguar se çdo pengesë dhe ndalim pune do të kushtojë për përgjegjësitë nga 40 mijë euro në ditë. Në qoftë se ne e dorëzojmë trasenë dhe i japim në përdorim ndërmarrjes dhe ajo ka pengesa në zhvillimin e punës, pra ne e hapim një segment që ka pengesa si në ujësjellës, në momentin që makinat rrinë, nuk punojnë atëherë duhet të paguhen 40 mijë euro në ditë për ndërprerjen e punimeve dhe asnjë penallti tjetër nuk ka. Por ne e kemi krijuar siguresën që të mos e dërgojmë trasenë përderisa nuk i kemi përgatitjet, nuk do ta lejojmë që kompania të futet në segment pa e përgatitur edhe shpronësimin, edhe problemet teknike dhe të gjitha ato, me qëllim që tu ikim penalltive. Po ashtu të njëjtën penallti e ka edhe kompania ndaj nesh, në qoftë se nuk e kryen punën në afatin e duhur, çdo ditë humb 40 mijë euro, ka sqaruar Limaj. Kompania fituese e tenderit Bechtel & Enka, të dielën e kaluar ka çuar në Kosovë mbi 30 makineri ndërtimi, në kuadër të fazës së parë të mobilizimit të mjeteve për autostradën Morinë-Merdare. Limaj tha se edhe brenda afatit të përcaktuar do të bëhet edhe përzgjedhja e kompanisë për mbikëqyrjen e punimeve të autostradës dhe krahas kësaj po punohet që të përgatiten njerëz nga Kosova për të kryer këto punë në të ardhmen. Po mundohemi që të kemi parapërgatitje të stafit tonë, që pastaj stafi ynë të jetë profesional për të vazhduar punën dhe të mos kemi nevojë që gjithmonë të marrim nga jashtë. Ju po e shihni që si në rrugë, si në mbikëqyrje, çdo kund jemi duke futur klauzola të trajnimit të djemve dhe vajzave tona, që pastaj bartjen e përvojat e tyre ta fusim në projekte të tjera. Besoj që shumë shpejt, mendoj që në afatin ligjor 15 - 20 ditë do të kemi edhe kompanitë mbikëqyrëse, theksoi Limaj. Autostrada do të jetë e sistemit të mbyllur dhe hyrje-dalje do të ketë vetëm në kyçet e autostradës. Gjerësia e autostradës do të jetë 28 metra, ku do të jenë 4 shirita qarkullues me nga 3.75 metra, 2 shirita për ngadalësim me nga 3 metra, si dhe brezi i gjelbër në mes në gjerësi prej 4 metrash.

Last Updated on E Shtune, 24 Prill 2010 20:07

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›