E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nis sot në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” rinumërimi i votave në 4 qarqe

Nis sot (17 qershor) te Pallati i Sportit “Farie Hoti” rinumërimi i kutive të votimit për qarkun e Elbasanit, Tiranës, Durrësit dhe Fierit.

96 kutitë e para që do të hapen janë të Elbasanit, ku grupet e numërimit do të kontrollojnë për mospërputhje mes numrit të votave të hedhura dhe numrit të votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje.

Pas përmbylljes së këtij procesi në dy KZAZ në Qarkun e Elbasanit, rinumërimi i kutive do të vijojë me 3 qarqet e tjera.

Në kryeqytet do të hapen dhe rinumërohen 1.282 kuti votimi, në Fier 587 kuti, ndërsa në Durrës do të rinumërohen 360 kuti, nga të cilat 275 brenda vendit dhe 85 jashtë vendit.

Procesi i rinumërimit do të zhvillohet në dy faza, ku fillimisht do të bëhet numërimi i votave për subjektet politike, ndërsa më pas do të numërohen edhe votat e kandidatëve për deputetë.

24 grupe numërimi me 63 punonjës administrate, prej të cilëve 48 numërues dhe 15 zëvendësues, do të marrin pjesë në procesin e rinumërimit të 2.323 qendrave të votimit, përfshirë edhe 85 kuti votimi nga jashtë vendit.

Rinumërimi realizohet në 24 tavolina, ku janë të pranishëm vëzhgues të autorizuar nga 3 subjektet ankimuese: Koalicioni PD-ASHM, Partia Socialiste dhe Partia Mundësia.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›