Nis sot raundi i gjashtë i bisedimeve Kosovë-Serbi

Kosova dhe Serbia nisnin sot raundin e gjashtë të bisedimeve, pas ndërprerjes në muajin korrik. Brukseli do të jetë sërish pika e takimit midis dy shefave të delegacioneve, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.
Delegacionet e të dyja palëve janë pajtuar të vazhdojnë debatet për disa çështje në mesin e të cilave edhe atë të vulave doganore të Kosovës, mospranimi i të cilave nga ana e Serbisë u bë shkas për ndërprerjen e bisedimeve. Nisja e këtyre bisedimeve hasi në shumë kundërshti nga ana e opozitës kosovare e cila kërkoi, si në rastin e lëvizjes “Vetëvendosja” pezullimin e përhershëm të tyre. Zhvillimet në veri, bëjnë që këto bisedime të zhvillohen në një frymë të tensionuar, pasi të dyja palët kanë akuzuar njëra tjetrën se janë shkaktare të konfliktit në veri të pak javëve më parë. Një ditë më parë zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijancic deklaroi se Komisioni Evropian do të dëshironte të shihte normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Ajo tha se bashkëpunimi rajonal paraqet kusht të domosdoshëm për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor në procesin e përafrimit të tyre me Bashkimin Evropian.
"Ky është një qëndrim yni shumë i njohur. Momentalisht jemi të fokusuar në dialogun. Nesër fillon rundi i ri i bisedimeve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, të cilat në emër të BE-së i kryeson Robert Cooper", tha Kocijancic në konferencë me gazetarë. Kosova do të përfaqësohet nga shefja e delegacionit dhe njërehësh zëvendëskryeministre e qeverisë Edita Tahiri, ndërsa Serbia nga Borko Stefanoviç.