Nis takimi në Strasburg ndërmjet Kryeministrit Berisha dhe kreut të PS-së me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve

UPDATE- Ka nisur pak minuta më parë në Strasburg takimi i kryeministrit Sali Berisha me kryetarin e opozitës, në prani të përfaqësuesve më të lartë të Brukselit. Darka e rezervuar në restorant "Crocordile", pritet të mbyllet pas dy orësh, me konfirmimin e një rrugë- zgjidhje, për situatën politike në Shqipëri.
Ndërkombëtarët ndërmjetësuan drekën dypalësh ndërmjet përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës. Meta: Zgjidhja vjen nga Strasburgu. Moratinos: Opozita t’i japë fund lëvizjeve ekstreme, po dëmton integrimin
Kryeministri Berisha niset për në Strasburg - darkë private me kryeparlamentarët Daul e Shulz, ku merr pjesë edhe kryetari i PS
Pas kurseve të dështuara të ndjekura opozita e Edvin Ramës dhe rreziku që i kanosej aspiratës së Shqipërisë, për integrim në Bashkimin Evropian, bëri që kasnecët e opozitës, të ndalin grevën e urisë dhe njëherazi edhe protestat. Kësisoj, kryeministri Sali Berisha është nisur pak minuta më parë drejt Strasburgut, me ftesë së Presidentit të Partive Popullore Evropiane, Jozef Daul dhe atij të intenacionales Socialiste, Martin Schulz. Kreu i qeverisë në këtë udhëtim është i shoqëruar nga deputetët Ilir Rusmajli, Fatos Beja dhe shefi i kabinetit të kryeministrit Oert Bylykbashi. Ndërsa kreu i opozitës, është i shoqëruar në këtë takim nga Taulant Balla, Vasilika hysi, Damian Gjiknuri dhe Endri Fuga. Takimi i ndërmjetësuar nga përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, vjen në një kohë kur vendi është përballë sfidave të rëndësishme të integrimit, siç është liberalizimi i vizave dhe marrja e statusit kandidat. I pranishëm në takimin e sotëm është edhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, i cili për të qenë i pranishëm në bisedimet ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, ka anulluar një vizitë të parashikuar për në Algjeri.
Moratinos: Opozita t’i japë fund lëvizjeve ekstreme, po dëmton integrimin
Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta takon në Madrid ministrin e Jashtëm spanjoll, vendi i të cilit ka presidencën e radhës të BE, Moratinos
Kryediplomati i spanjoll Miguel Moratinos ka pritur dje në një takim zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta. Takimi u fokusua në marrëdhëniet bilaterale dhe në situatën në Ballkanin Perëndimor në kuadër të përgatitjeve për Mbledhjen e Nivelit të Lartë në Sarajevë si dhe, në veçanti, në krizën politike që po kalon aktualisht Republika e Shqipërisë. Takimi mes dy homologëve bëhet i ditur nga ambasada spanjolle në Tiranë. Gjatë takimit, ministri Moratinos ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin e Shqipërisë, z. Berisha, të cilin e ka inkurajuar për të gjetur një zgjidhje për krizën sa më parë që të jetë e mundur. Për këtë qëllim, ministri Moratinos pati gjithashtu një bisedë telefonike me liderin e Opozitës, z. Rama, të cilit i kërkoi që të përfundonte grevën e urisë që po zhvillohej prej disa ditësh. Qeveria e Spanjës u shpreh se gjetja e një zgjidhje të pranueshme do t’i japë shtysë procesit të integrimit të Shqipërisë dhe perspektivës evropiane të shqiptarëve. Presidenca e Bashkimit Evropian ka reaguar edhe më herët për situatën politike në Shqipëri. Protestat e opozitës dhe greva e urisë, janë konsideruar si lëvizje ekstreme, të cilat nuk mund të sjellin kurrsesi zgjidhje dhe dialog për tejkalimin e ngërçit. Moratinos ka vlerësuar gjithashtu se faktori politik shqiptar duhet të ecë drejt një zgjidhje të qëndrueshme dhe që t’i shërbejë kuadrit të perspektivës evropiane të vendit.
Meta: Zgjidhje e sigurt nga Strasburgu Zëvëndëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta ka folur për tryezën e negociatave të Strasburgut ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Kryediplomati shqiptar deklaroi se inicimi i bisedimeve shënon një moment të qartë kthese në uljen e palëve dhe për të nisur dialogun e munguar prej muajsh të tërë. Sipas nr 2 të qeverisë, dialogu do të çojë edhe në zgjidhjen e situatës. “Për mua ajo që është më e rëndësishme dhe që vlen për t’u përshëndetur është mbyllja e grevës së urisë dhe zëvendësimi i saj me dialogun, që është edhe një kërkesë në drejtim të integrimit europian, sidomos, për marrjen e statusit të vendit kandidat”- u shpreh zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm. Meta shtoi më tej se mazhoranca dhe opozita duhet të nisin nga puna pa humbur kohë për nisjen e hartimit të reformës së re zgjedhore.
...