E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Për vitin 2010, rritja ekonomike 2.3 për qind, në 2011 mbi 3 për qind”

Sipas FMN-së, Shqipëria vazhdon turravrapin e zhvillimit ekonomik

Viti i ardhshëm pritet të konfirmojë për ekonominë shqiptare edhe rritjen më të madhe ekonomike në rajon dhe në Evropë: “Shqipëria është ndër vendet e pakta në botë që njohu rritje ekonomike gjatë vitit 2009, ndërsa për këtë vit rritja ekonomike për Shqipërinë parashikohet 2.3 për qind”

Ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikojnë një rritje ekonomike prej 2.3 për qind gjatë vitit 2010 për Shqipërinë.
Ekonomisti në Departamentin Europian të Politikave dhe të Studimeve Rajonale të FMN-së, Johan Mathisen, tha dje gjatë një konference në Tiranë mbi parashikimet ekonomike të rajonit, se “Shqipëria është ndër vendet e pakta në botë që njohu rritje ekonomike gjatë vitit 2009, ndërsa për këtë vit rritja ekonomike për Shqipërinë parashikohet 2.3 për qind”.
Vitin që vjen, sipas Mathisen, Shqipëria do të njohë një rritje më të madhe, që llogaritet në 3.3 për qind, por ai kërkoi politika të kujdesshme fiskale nga ana e qeverisë.
“Qeveria duhet të bëjë kujdes me politikat fiskale”, deklaroi Mathisen.
Sipas tij, menaxhimi i flukseve hyrëse të kapitalit është një tjetër sfidë e qeverisë shqiptare.
“Menaxhimi i flukseve hyrëse kërkon politika makroekonomike të adaptueshme dhe përmirësimin e rezistencës së sektorit financiar nëpërmjet politikave të matura dhe forcimin e kuadreve ndërkufitare të stabilitetit financiar”, vuri në dukje eksperti i FMN-së.
Sipas Mathisen, Shqipëria në krahasim me vendet e tjera të rajonit ka qenë më pak e ndikuar nga kriza ekonomike për shkak se ka ditur të shmangë flukset e tepërta të kapitalit.
Mathisen u ndal edhe në sfidat e menaxhimit të flukseve hyrëse të kapitalit në Europën në zhvillim.
“Flukset hyrëse të kapitalit ishin të mëdha në Europën në zhvillim dhe ranë më shumë gjatë krizës se në ekonomitë e tjera”, tha Mathisen, ndërsa nënvizoi faktin se “flukset e mëdha hyrëse krijuan dobësi makroekonomike dhe në sektorin financiar, defiçite më të mëdha të bilancit të pagesave, rritje të shpejtë të kreditimit, pozicione fiskale të përkeqësuara dhe rritje të nivelit të borxhit të familjeve në shumë prej vendeve në rajon”- deklaroi ndër të tjera eksperti i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Johan Mathisen.
Kësisoj, me anë të këtyre shifrave zyrtare, u jepet komenteve dashakeqe të eksponentëve të caktuar që për ditë e me radhë flasin për rrënim ekonomik. Të dhënat për rritjen ekonomike të Shqipërisë i bëri publike edhe kryeministri i vendit Sali Berisha, duke u bazuar vetëm në të dhënat e 3 mujorit të parë të 2010-ës të cilat janë optimiste dhe mbi nivelet e parashikuara.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›