Nis të vihet në jetë projekti i përdorimit të ambasadave turke nga shqiptarët
Disa javë më parë, gjatë vizitës në Turqi, kryeministri Sali Berisha diskutoi për mundësinë që ambasadat turke në botë të përdoren nga shqiptarët.
Sot qeveria ka marrë vendim që shqiptarët të përdorin ambasadën turke në Azerbajxhan. Miratimin, në parim, të protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për përfitimin e mundësive që ofron Ambasada e Republikës së Turqisë, në Baku, për përfaqësuesin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Azerbajxhanit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi, thuhet në vendimin e qeverisë, që nuk ka sqarime se si do përdoret ambasada turke në Baku.
Propozimi për përdorimin e ambasadave turke iu bë kryeministrit shqiptar nga ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutolu. Ministri Davutolu i shprehu Kryeministrit Berisha gatishmërinë e ministrisë dhe shërbimit diplomatik të Turqisë për të zhvilluar modelet më të shkëlqyera të bashkëpunimit me shërbimin diplomatik shqiptar, përfshi edhe ofrimin e shërbimeve konsullore apo të tjera për qytetarët shqiptare në përfaqësitë turke nëpër botë, në ato vende ku nuk ndodhen përfaqësi diplomatike shqiptare, thuhej në njoftimin e kryeministrisë pas takimit.