E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis veprimi i ligjit “Antimafia”, Prokuroria sekuestro për 14 prona

Pas daljes së ligjit të ri antimafia Prokuroria e Krimeve të Renda dërgon në gjykatë kërkesat për vendosje sekuestroje për 14 prona që janë në llogari të dy nga pjesëtarët e bandës së Lushnjës dhe bandës së Durrësit.
Disa nga këto prona që organi i akuzës pret të konfiskohen nga gjykata i përkasin Klodian Saliut i vrarë pesë vjet me parë pas përplasjeve mes bandave. Ndërsa pjesa tjetër janë për llogari të Afrim Hoxhës, nën gjykim mes të pandehurve të tjerë në pjesën e dytë të bandës.
Por nga miratimi i ligjit të ri antimafia vihen re një sërë risish mes të cilave edhe hetimi pasuror pas vdekjes në rast se i ndjeri ka qenë i implikuar në organizata kriminale.
Ligji për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar dhe që shfuqizon ligjin e mëparshëm antimafia, ka zgjeruar kategorinë e veprave penale dhe rrethin e subjekteve ndaj të cilëve zhvillohet hetim pasuror, madje edhe ndaj atyre veprave që nuk janë në kompetencën lëndore të Gjykatës së Krimeve të Renda.
Të tilla janë shfrytëzimi i prostitucionit, pastrimi i parave apo prodhimi dhe mbajtja e narkotikëve.
Ligji ka fuqi jo vetëm tek të afërmit e personave të dyshuar, por edhe tek trashëgimtarët në rast se i dyshuari ka vdekur, por për një periudhë prej pesë vjetësh.
Duke qenë se nga ligji i mëparshëm në mjaft sekuestrime sistemi i drejtësisë dështoi, në këtë ligj antimafia në ekzekutimin e masës së sekuestros shtohet edhe funksioni i përmbaruesit gjyqësor.
Mes risive është edhe kalimi i barrës së provës për të vërtetuar pasuritë që janë fituar në mënyrë të ligjshme. Gjithashtu neni 6 i jep të drejtë prokurorit të kryejë verifikime për burimet e të ardhurave të personit nën hetim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›