“Liberalizimi i vizave, sapo KE të vlerësojë kriteret”
Ambasadori austriak në Tiranë, Florian Raunig
Liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë do bëhet fakt i kryer, menjëherë sapo Komisioni Evropian, të vlerësojë realizimin e kushteve nga ana e Shqipërisë.
Kështu është shprehur, ambasadori austriak në Tiranë, Florian Raunig, gjatë një interviste televizive. Ai tha se, vlerëson angazhimin e autoriteteve shqiptare në drejtim të përmbushjes së detyrimeve të KE-së ndërsa inkurajoi vazhdimin e reformave.
Në këtë kuadër diplomati austriak vë në dukje se Shqipëria ka të gjitha mundësitë për përfitimin nga liberalizimi i vizave brenda këtij viti.
Duke u ndalur te reforma më drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit, ambasadori austriak tha se është bërë një punë e mirë në këtë drejtim.
Diplomati austriak nuk ka lëne pa komentuar edhe situatën politike ne Shqipëri.
Sipas tij, klasa politike duhet të zgjidhe sa më parë ngërçin politik pasi deri më tani ka harxhuar shumë energji.
Apeli i ambasadorit austriak në Tiranë vjen në një kohe kur kryeministri Berisha dorëzoi në Bruksel pyetësorin e Bashkimit Evropian e kur autoritetet më të larta të BE u shprehën me nota pozitive për ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe kërkuan kapërcimin e ngërçit aktual.