Nis viti i ri akademik, Basha premton kampusin dhe kartën e studentit
Universitetet kanë hapur dyert për të pritur 23 mijë studentë të rinj, të cilët janë ulur për herë të parë dje në auditorë, si dhe mijëra të tjerë që janë duke vijuar pjesën e mbetur të studimeve të larta. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka zgjedhur studentët e Universitetit të Tiranës, për të uruar fillimin e vitit të ri akademik. Veç urimeve për një vit të suksesshëm, kryebashkiaku foli për marrëdhënien e re mes Bashkisë së Tiranës dhe botës akademike në kryeqytet, duke u ndalur tek tri angazhimet kryesore të Bashkisë, që kanë të bëjnë me përfshirjen në planin urbanistik të godinave dhe ambienteve të reja studentore, ngritjen e një fondi me të paktën 1 milion euro për stazhin e studentëve, si dhe hartimin e Kartës së Studentit, një dokument që parashikon lehtësi të ndryshme financiare për studentët e Tiranës. “Ka ardhur koha që bota universitare e Tiranës dhe qyteti i Tiranës të nisin një partneritet të ri, të nisin një marrëdhënie të re, për të cilën jemi zotuar bashkërisht dhe për të cilën po bëjmë të gjitha përgatitjet. Unë dua t’ju informoj sot, se ne jemi në rrugë të mbarë për të përfunduar një nga premtimet e mia kryesore: kartën bashkiake të studentit, për çdo student të Universitetit të Tiranës dhe të të gjitha universiteteve që rezidojnë në këtë qytet. Kjo kartë studentore do të jetë në duart tuaja dhe do të ofrojë një gamë të gjerë shërbimesh, lehtësirash, që nga transporti publik, tek jeta kulturore, tek shërbimet e infrastrukturës ushqimore e shumë të tjera”, - ka theksuar Basha. Gjithashtu, kreu i Bashkisë ka bërë të ditur se po punohet së bashku me Këshillin Bashkiak, anëtarë të të cilit janë edhe pedagogë të universiteteve të Tiranës, për një nga hapat më të rëndësishëm, që është hartimi i planit të ri urbanistik të Tiranës. Sipas kryebashkiakut, në këtë plan, një nga ngjyrat më të rëndësishme urbanistike do të jetë ngjyra e kampusit, apo kampuseve dhe korpuseve të reja universitare në qytetin e Tiranës. Rektori i Universitetit të Tiranës, së bashku me dekanët e këtij institucioni kanë mbështetur idenë, duke u shprehur se kjo do të ishte e vetmja zgjidhje për të përmbushur mangësitë me auditorë që sot kanë fakultetet. “Godina e ish-NPV-së është bërë pronë e Universitetit të Tiranës. Pra, na është shtuar një ambient dhe zgjidhja përfundimtare do të jetë ajo e kampusit që do ndërtohet këtu pranë nesh”, - tha rektori Dhori Kule. Më tej, Basha është ndalur edhe në një çështje të rëndësishme, siç është ajo e stazhit të studentëve të diplomuar, për të cilën, ai ka garantuar fonde dhe ndihmë konkrete. “Në buxhetin e vitit 2012, unë kam si qëllim t’i paraqes Këshillit Bashkiak të Tiranës një buxhet prej jo më pak se 1 milion eurosh, për programin e stazheve, për të gjithë studentët që studiojnë në Tiranë”, - ka pohuar kreu i Bashkisë së Tiranës. Në fund të fjalës së tij para pedagogëve dhe studentëve, kryebashkiaku ka garantuar për dyer të hapura dhe dëshirë për bashkëpunim, duke pritur nga rektori i UT-së, nga trupa pedagogjike dhe nga të gjithë studentët e qytetit të Tiranës, që t’i “përvishen” të gjithë bashkë kësaj marrëdhënieje të re, këtij partneriteti të ri, për Tiranën e brezit të ardhshëm, për Tiranën e shekullit të 21-të.
Tri angazhimet e Bashkisë
Përfshirja në planin urbanistik e godinave dhe ambienteve të reja studentore
Ngritjen e një fondi me të paktën 1 milion euro për stazhin e studentëve
Hartimi i Kartës së Studentit, dokument që parashikon lehtësi të ndryshme financiare
Ekonomiku
Studentët në protestë kundër stazhit
Në ditën e parë të nisjes së vitit të ri akademik, një grup studentësh të Fakultetit Ekonomik në kryeqytet kanë bojkotuar mësimin, duke dalë në protestë për heqjen e stazhit. Megjithëse sistemi që pretendohet se aplikohet në fakultetet tona është ai i Bolonjës, i cili nuk e përmend në asnjë vend stazhin, në Fakultetin Ekonomik, një student nëse ka mbetur në më shumë se 5 provime, humb të drejtën për të vazhduar studimet në vitin pasardhës. “Ne do të vazhdojmë dhe më tepër deri sa kjo të marrë fund. Ndërsa neve të na jepet e drejta që na mohohet, deformohet, cenohet padrejtësisht. Le të buçasim në veshët e tyre të shurdhët: ‘Hiqni stazhin’”, - thotë një student. Ndërkaq, studentët kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në rast se kërkesat e tyre nuk do të gjejnë një zgjidhje. Sistemi i Bolonjës, si masë penalizuese parashikon vetëm mosmarrjen e diplomës “Bachelor”, në rast se përgjatë tri viteve nuk ke arritur të marrësh 180 kredite, por jo stazhin. Por, sipas drejtuesve të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, studentët protestues nuk mund të kalojnë në vitin pasardhës, nëse nuk sigurojnë 90 kreditet e nevojshme. Sipas tyre, nuk është e drejtë kërkesa e të rinjve, të cilët duan ta marrin shkollën pa u interesuar aspak për të.