Universitetet, Berisha: Qeveria do të bëjë gjithçka për infrastrukturën
Kryeministri zgjedh Universitetin e Korçës, për t’u uruar studentëve fillimin e vitit të ri akademik
Kryeministri Sali Berisha i ka uruar nga Universiteti i Korçës studentët në mbarë vendin, për fillimin e vitit të ri akademik. Në vijim të vizitës së tij në qytetin e Korçës, kryeministri Berisha vizitoi dje Universitetin “Fan Noli”, nga ku u drejtoi një përshëndetje studentëve të mbarë vendit, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2011-2012, ditë e cila përkon edhe me 40-vjetorin e krijimit të Universitetit “Fan Noli”.
Në takimin e zgjeruar me pedagogë e studentë, kryeministri Berisha, duke falenderuar për ftesën, shprehu kënaqësinë që ndodhej mes tyre në një ditë të shënuar për universitetin.
Kryeministri e vlerësoi Universitetin e Korçës, si një universitet, i cili ka krijuar një trashëgimi të shkëlqyer në rrugën e dijes dhe i ka dhënë vendit gjatë këtyre 40 viteve me mijëra specialistë të përkushtuar në shumë fusha. “Ky universitet është shndërruar në vatrën më të fuqishme, gjeneratorin më kryesor të dijes dhe zhvillimit në rajonin e Shqipërisë Juglindore”, - u shpreh kryeministri. Duke shprehur respektin më të thellë për pedagogët themelues të universitetit dhe studentët e parë të tij, kryeministri Berisha premtoi se qeveria do të bëjë gjithçka për t’i krijuar këtij universiteti dhe të gjitha universiteteve të vendit, infrastrukturën më moderne, laboratorët më bashkëkohore, bashkëpunimin më intensiv me mbarë universitetet e botës. Më pas, kryeministri u ndal në arritjet dhe sfidat e sistemit arsimor në Shqipëri, si dhe përpjekjet e pandalshme të qeverisë shqiptare, për arritjen e standardeve të vendeve më të zhvilluara, në fushën e arsimit. “Dua t’ju siguroj ju të nderuar pedagoge dhe pedagogë se për qeverinë time, arsimimi dhe shkollimi i të rinjve dhe të rejave, fëmijëve të këtij vendi është dhe do të mbetet përparësia e të gjitha përparësive”, - tha kryeministri. Së bashku me kryeministrin kanë qenë të pranishëm edhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafai, ministri i Financave, Ridvan Bode, rektori i universitetit, Gjergji Mero, drejtues dhe pedagogë të universitetit, studentë, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor.