Studentët rrisin qiratë, ja çmimet sipas zonave
Pas një periudhe të konsiderueshme pezull në tregun imobiliar, ky fillimviti akademik ka rigjallëruar këtë sektor, por në kahun e qirasë, pasi shit-blerjet e pasurive të paluajtshme pothuajse kanë ngrirë. Agjencitë imobiliare në kryeqytet raportojnë për gazetën MAPO se këtë fundvere ka patur një rritje të konsiderueshme, pothuajse 50% të kërkesave për qira. Ata e argumentojnë këtë kërkesë në rritje të tregut të qirasë, me të cilin aktualisht po mbahen si biznes, me fluksin e studentëve dhe mungesën e kapaciteteve të mjaftueshme në konvikte, kategori e cila renditet e para në listë për rritjen e kërkesave për banesa me qira. Në të njëjtën kohë, ata argumentojnë se mungesa e hipotekave të apartamenteve të reja, rënia e remitancave, kriza ekonomike, forcimi i euros, janë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në ngrirjen e tregut të shit-blerjes së apartamenteve, e si rrjedhojë kërkesat për të patur një banesë për të jetuar plotësohen me qira që, gjithsesi, sipas personave që kanë kërkuar një banesë, llogaritë u rezultojnë më të leverdishme sesa të blejnë një apartament me kredi dhe të rrezikojnë të paguajnë këstet e larta të saj sipas luhatjes së këmbimit valutor në tregun e brendshëm. “Është një periudhë e mirë për tregun tonë. Kishim kohë pa hasur një fluks të tillë për qiradhënie. Kryesisht kërkesat kanë ardhur nga studentë, por nuk kanë munguar edhe familjarë apo çifte të reja”- shprehet një agjente imobiliare në Rrugën e Shallvareve. Sipas saj, kërkesat kanë nisur të rriten për banesa me qira nga studentët, që në gjysmën e dytë të gushtit. “Kemi gati 50% më shumë kërkesa për banesa me qira se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kërkesat kanë nisur që në muajin gusht. Studentët përgjithësisht kërkojnë apartamente 1+1, 2+1 dhe 3+1 për të ndarë qiranë mes tyre. Ndërsa familjarët 1+1 ose 2+1. Të huajt, zyra ose apartamente në zona të preferuara si “ish-Blloku”, “Myslym Shyri”, “Pallatet Agimi”, “Shallvaret”, “9-katëshet”, në qendër etj. Zonat e preferuara nga studentët, ku qiraja është edhe më e leverdishme janë “Qyteti Studenti”, “Rruga e Elbasanit”, “Unaza e Re””- shprehet një agjente imobiliare. Ndërkaq, me rritjen e kërkesës për qira, janë rritur edhe çmimet për muaj të banesave. Madje prej kohësh, për një banesë me qira, duke marrë parasysh vendin dhe gjendjen e banesës, mund të paguash edhe në euro. Duke iu referuar listës që disponojnë agjencitë imobiliare në kryeqytet, një apartament 1+1 në zonën e “Pallateve Agim” e gjen 300 euro nga 25 000 lekë që ishte më parë. Ndërsa po në të njëjtën zonë një apartament 2+1 e gjen 350-400 euro nga 35 000 lekë që ishte më parë. Kurse ata që interesohen për apartamente 3+1, paguajnë qira çdo muaj nga 700-1200 euro. Përsa i përket garsoniereve; çmimet e tyre variojnë nga mobilimi dhe vendndodhja, nga 15 000 lekë në muaj në 250 euro. Kurse apartamentet, të cilët janë preferuar nga studentët këtë fillimvit kanë qenë ata të pozicionuar në “Komunën e Parisit”, çmimet e të cilave kanë variuar nga 25 000 lekë 1+1 e mobiluar, 20 000 lekë bosh, 35 000 lekë 2+1. Në zonën e Unazës së re një apartament 1+1 është 20 000 lekë; në “Qytetin Studenti” 1+1- 20 000 – 30 000 lekë etj. Sipas agjentëve imobiliarë në kryeqytet, studentët kanë preferuar të përzgjedhin për të banuar kryesisht shtëpi të mobiluara dhe kërkesat më të mëdha kanë qenë për apartamente 2+1, me synimin që qiraja do të përpjesëtohet me sa studentë do të ndajnë apartamentin.
Tabela e çmimeve të apartamenteve me qira
Pallatet Agimi - 1+1 300 euro e mobiluar
- 2+1 350-400 euro e mobiluar
- 1+1 30 000 lekë bosh
- 3+1 700-1200 euro e mobiluar
Zona e “Ish-Bllokut” - 1+1 350-500 euro e kompletuar
- 2+1 500-800 euro e kompletuar
“Komuna e Parisit” - 1+1 20 000 - 30 000 lekë
2+1 25 000 - 40 000 lekë
Unaza e Re 1+1 15 000 - 25 000 lekë
2+1 20 000 - 30 000 lekë
Qyteti Studenti Garsonierë 15 000 - 18 000 lekë
1+1 20 000 - 25 000 lekë