Nis viti i ri shkollor para-universitar 2011-2012. Krerët e shtetit urojnë nxënësit: Sot nis gara e dijes

Sot nisi viti i ri shkollor 2011-2012 në të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të vendit. Gjatë një vizite në shkollën e mesme profesionale të Hoteleri – Turizmit, në Tiranë, Kryeministri Berisha uroi që ky vit të shënojë për nxënësit shqiptarë në tërësi dhe për shoqërinë shqiptare një nivel më të lartë dijesh, një shkallë më të lartë përgatitjeje, si kusht i të gjitha kushteve për të ecur të sigurt në projektin “Shqipëria vend i zhvilluar”. Gjithashtu, kryeministri Berisha u shpreh se ky vit shkollor nis pasi reformat në fushën e arsimit po japin rezultatet e para shumë premtuese. Duke u ndalur në rëndësinë e arsimit profesional, Kryeministri Berisha përshëndeti shtimin e numrit të nxënësve që ndjekin shkollat profesionale dhe i ftoi qytetarët shqiptarë që fëmijët e tyre t’i adresojnë në këto shkolla. “Ne do të bëjmë gjithçka që raporti shkolla profesionale - shkolla të përgjithshme të arrijë në raportin e vendeve të zhvilluara, ku është 1 me 1, 50 përqind me 50 përqind”- u shpreh kryeministri Berisha. Më pas, Kryeministri vizitoi disa nga ambientet e shkollës së Hoteleri – Turizmit dhe u shpreh i impresionuar për nivelet e larta dhe kushtet shumë të mira të mësimdhënies. Kjo shkollë, - vijoi Kryeministri Berisha, - është shndërruar në një nga institucionet më kryesore të përgatitjes së specialistëve në fushën e turizmit në vend.
36 mijë nxënës ulen në banka për herë të parë
12 shtatori është dita zyrtare kur nxënësit në të gjithë vendin do të ulen në bankat e shkollës. Rreth 570 mijë nxënës do tu kthehen shkollave, ndërsa 36 000 do të ulen në banka për herë të parë. Autoritet e arsimit konfirmojnë se gjithçka është gati për të nisur vitin e ri shkollor, dhe nuk do të ketë asnjë prej tyre që do të qëndrojë e mbyll për shkak të ndërhyrjeve. Po në të njëjtën linjë gatishmërie kanë qenë edhe drejtuesit e shkollave te mesme në kryeqytet. Viti i ri para-universitar përmban 35 javë dhe do të përfundojë në datën 6 qershor ndërsa provimet e Lirimit do të jenë në periudhën 7 dhe 22 qershor. Do të kenë dy periudha pushimi, një në pushimet e Vitit të Ri, rreth 2 javë, dhe një në fund të marsit. Ndërsa, përsa i përket arsimit të mesëm, ky vit shkollor mbaron më 13 qershor të 2012-ës. Ndërsa maturantët kanë 2 javë më pak mësim pasi ata kanë 5 javë provimet e maturës dhe do të përfundojnë në fund të qershorit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës uron nxënësit dhe vogëlushët për vitin e ri mësimor: Basha: Siguri për nxënësit dhe shkolla të reja
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Z.Lulzim Basha vizitoi sot shkollën 9 vjeçare “Skënder Çaçi” në kryeqytet, për të uruar nxënësit dhe mësuesit, për vitin e ri mësimor. Kryetari i Bashkisë vizitoi shumë ambiente, klasa e sallat e shkollës, dëgjoi nga afër nxënësit dhe mësuesit, si dhe mori pjesë në një orë mësimi.
Bashkia e Tiranës ka marrë disa masa përpara fillimit të vitit të ri shkollor, kryesisht në drejtim të sigurisë së nxënësve në ato shkolla që gjenden afër rrugëve kryesore ku ka qarkullim të madh të makinave.
“Bashkia e Tiranës do të marrë në vazhdimësi masa për gjendjen në shkollat e kryeqytetit, sepse gjendja është larg të qenit ideale. Është bërë punë në disa aspekte, por ka shumë punë në aspekte të tjera. Ne, do ta përqendrojmë vëmendjen këtë vit shkollor në 3 drejtime; 1-Siguria në shkolla, duke nisur me sigurinë rrugore të fëmijëve në hyrje-daljet, në shkollat e Tiranës; disiplinimi i trotuarit dhe vendosja e sinjalistikës. Këtu, tek “Skënder Çaçi është një tregues se si do të veprohet, edhe në shkollat e tjera të kryeqytetit, me prioritet ato që kanë një ekspozim të menjëhershëm ndaj trafikut; 2-përpjekje për kurimin e gjendjes higjieno - sanitare në shkolla, një shkollë duhet të ketë tualete funksionale dhe të pastra; 3-me planifikimin e shkollave të reja, sepse në shumë shkolla ka nxënës që udhëtojnë 20-45 minuta për të ardhur në shkollë. Ky është një standard i papranueshëm në qytetin tonë, për qëllimet dhe objektivat që shoqëria e Tiranës i ka vënë vetes”- u shpreh Kryebashkiaku Basha para medias. Më tej ai sqaroi planet që ka Bashkia, për ndërtimin e shkollave të reja në Tiranë.
“Ne do të planifikojmë së shpejti, hapjen e shesheve të ndërtimit për ndërtimin e 6 shkollave 9- vjeçare gjatë vitit 2012, gjë që do të reflektohet edhe në buxhetin që do t’i paraqesim Këshillit Bashkiak”- tha Basha.
Përsa i përket punëve dhe ndërhyrjeve që po bën aktualisht Bashkia, Kryetari Basha sqaroi se: “Ndërhyrja në shkollat e mbyllura nga autoritetet e higjienës vazhdon. Jam informuar se janë eliminuar pasojat e klasifikimit të tyre, si të pasigurta, e rëndësishme është që të eliminohen edhe shkaqet, në mënyrë që gjendja mos të përsëritet. Ka gjithashtu, katër objekte shkollore, që kanë mbetur peng i burokracive dhe i mosveprimit. Po përgatitemi për të ecur përpara, me hapjen e tyre” - theksoi Kryebashkiaku.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës e nisi vizitën në shkollën “Skënder Çaçi”, ku ka qenë edhe vetë nxënës, me një urim, për një vit sa më të mbarë, për të gjithë nxënësit e kryeqytetit, për të gjitha shkollat 9- vjeçare dhe të mesme të qytetit, për vogëlushët e arsimit parashkollor të kopshteve dhe prindërve të tyre.
Bashkia e Tiranës merr masa për shkollat e kryeqytetit
Ndërkohë për të shmangur incidentet në kohën kur Tirana ka trafik të ngjeshur dhe që nxënësit të jenë më të sigurt në ambientin brenda dhe jashtë shkollës së tyre, bashkia e Tiranës nis një nga projektet e saj në mbrojtje të tyre. Në shkolla do të vendosen kangjella dhe sinjalistika që fëmijët të qëndrojnë larg rrugës kryesore ku kalojnë automjete. Ndërsa për shkollat 9-vjeçare “Servete Maçi”, “Siri Kodra” dhe “Amet Gashi” për të cilat autoriteti i higjienës nuk kanë lejuar hapjen e dyerve për shkak të mos plotësimit të kushteve higjeno- sanitare, bashkia konfirmon përfundimin e ndërhyrjeve. Taulant Zeneli, drejtori i menaxhimeve të shërbimeve në bashkinë e Tiranës ka deklaruar se po ndërhyhet në 27 shkolla të kryeqytetit në elemente të sigurisë dhe në infrastrukturë ndërkohë që brenda shtatorit pritet të përfundojnë rehabilitimet edhe në 47 shkolla që kanë po të njëjta problematika.
...