Apeli i Brukselit: Shqipëria ka lënë pas një vit të humbur, momenti për të rifituar kohën – integrimi të konsiderohet si interes kombëtar

Frattini, Lambrinidis: Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të marrë statusin kandidat brenda këtij viti
- Bashkimi Evropian përcjell edhe njëherë mesazhin tek autoritete shqiptare, përmes ministrave të Jashtëm Franko Frattini dhe Stavros Lambrinidis, se Shqipëria duhet të fitojë kohën e humbur, në mënyrë që progres-raporti i Komisionit Evropian, të rekomandojë dhënien e statusit të vendit kandidat. Kryediplomati italian Frattini, në konferencën e përbashkët për shtyp të mbajtur pas takimeve të zhvilluara në vendin tonë me krerët e politikës, tha se në këto takime është folur për angazhimin politik, por sipas tij, nëse kjo nuk pasqyrohet në veprimet e duhura dhe jo vetëm me fjalë, atëherë nuk do të ketë asgjë pozitive në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian. “Mbeten ende shumë gjëra, si p.sh 52 rekomandimet që janë dhënë nga OSBE-ODIHR dhe Këshilli i Evropës. A është e mundur që këto rekomandime të zbatohen? Unë them se po. A do ishte e mundur që të rifillojnë takimet e komisionit parlamentar për çështjen e integrimit? Unë mendoj se po. A është e mundur që të dyja palët të bien dakord për Avokatin e Popullit? Unë mendoj se po. Këto ishin vetëm disa shembuj, unë them se Shqipëria ka nevojë për një pakt kombëtar për Evropën, ashtu siç e arriti Shqipëria për integrimin në NATO”, u shpreh Frattini. Ndër të tjera ministri i jashtëm italian theksoi se ky pakt politik nuk do të drejtohet nga ndërkombëtarët, por nga shqiptarët. Sipas Frattinit, nëse ndodh kjo, Shqipëria ka një shans të rëndësishëm,që të bëhet së shpejti anëtare e Bashkimit Evropian. Pyetjes se çfarë garancie ka marrë nga lideri i opozitës në takimin e zhvilluar sot, Frattini nënvizoi se Rama tha se do bashkëpunojnë për funksionimin e parlamentit. Ndër të tjera, ministri i Jashtëm italian theksoi se opozita dhe qeveria të bëjnë që parlamenti të funksionojë normalisht. “Ne nuk mund t’ju japim garanci se çdo të ketë në raportin e KE-së, që do të dalë në shtator apo tetor. Çdo gjë do të varet nga ato arritje konkrete. Kam përmendur deri më tashti tre gjëra; përsa i përket Avokatit të Popullit, rifillimi i funksionimit të parlamentit dhe takimet e reja të Komisionit Parlament për çështje të integrimit evropian”- vuri në dukje ministri i Jashtëm italian, Franko Frattini.
Lambrinidis: 12 rekomandimet janë kritere vendimtare, të miratohen reformat në Kuvend
Mesazhi që dërgojnë ministrat e jashtëm të Italisë dhe Greqisë për politikën shqiptare, është që ka ardhur koha për një bashkim kombëtar drejt rrugës së Evropës. Ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Lambrinidis theksoi se vizita e tyre në Shqipëri është në çast kritik për integrimin e vendit në BE. “Një gjë është e qartë nga takimet, që përsa i përket të ardhmes evropiane të Shqipërisë, Shqipëria e ka këtë objektiv të qartë, i cili i bashkon të dyja palët në Shqipëri. Ky është një objektiv i shumicës dërrmuese të popullit shqiptar. Ne jemi këtu të përfaqësojmë BE-në. Zoti Frattini dhe unë gjendemi këtu pasi jemi mbështetës të fortë të Shqipërisë dhe të ardhmes së saj evropiane. Tashmë që parlamenti ka rifilluar punën e vet, ne jemi të mendimit që vëmendja e politikanëve duhet të jetë në 12 prioritetet e BE-së”, u shpreh ministri grek. Ndër të tjera ai shtoi se KE dhe ministrat e jashtëm të BE-së, janë të mendimit që Shqipëria i ka kapacitetet dhe mundësitë që të arrijë e plotësojë rekomandimet që kërkohen nga BE. Lambrinidis theksoi se Shqipëria ka mundësinë e duhur për të punuar drejt të ardhmes evropiane, dhe se rruga e së ardhmes është e vështirë.
...