13 vjet pa Azem Hajdarin, Berisha: Tribun i pashembullt, Shqipëria rrezikonte të mbetej “Kuba” e Adriatikut
Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar homazhe në bustin e Azem Hajdarit, sot kur shënohet 13 vjetori i vrasjes së tij. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë theksoi se tribuni legjendar i lirisë së shqiptarëve Azem Hajdari, dhe si vëllau i tij Besnik Çerja, u ekzekutuan në 12 shtator 1998 u ekzekutuan nga falangat terroriste të shtetit të asaj kohe.
“Azem Hajdari hyri në historinë e lirisë së shqiptarëve si një tribun i pashembullt, në një kohë kur kombi rënkonte ndër shtypjen më të egër, kur në tërësi besohej se Shqipëria do të mbetej “Kuba” e Adriatikut dhe se shqiptarët nuk do të dilnin dot nga regjimi i skllavërisë në të cilin jetonin”- u shpreh kryeministri Berisha. Kryeministri theksoi gjithashtu se Hajdari me studentë të tjerë, u përballën rrugë për rrugë, shesh për shesh me diktaturën më të egër në Evropë dhe e gjunjëzuan atë. “Azem Hajdari do të shndërrohej me shpejtësi në flamur mbajtësin, në maratonomakun e demokracisë shqiptare. Ai me një energji, guxim e trimëri do të vërshonte si uragan në mbarë Shqipërinë, të vriste frikën”- nënvizoi ndër të tjera kryeministri.
Shefi i ekzekutivit shprehu bindjen se idealet e Azem Hajdarit do të lartësohen më shumë në këtë vend.