Nis zbardhja e krimit
Refik Z., 24 vjeçar, nga fshati Miratoc i Preshevës është arrestuar si i dyshuar për vrasjen monstruoze të vogëlushit pesëvjeçar, Nijazi Ibrahimi. Burime nga policia kanë bërë të ditur për mediet serbe se në shtëpinë e të dyshuarit, i cili është kushëri dhe fqinj i parë i Ibrahimëve, është gjetur thika me të cilën besohet se ai e ka prerë në qafë Ibrahimin. Thika ka qenë e pastruar, por në të kishin mbetur megjithatë njolla gjaku.
Motivi i krimit ende nuk dihet dhe policia po heton dy pista: vrasje për hakmarrje dhe vrasje rituale, që ka lidhje me “magji të zezë”. Fshatarët kanë treguar se familja Ibrahimi më herët ishte ankuar se Refik Z. kishte hedhur gjak në shtëpinë e tyre dhe u kishte thënë se dëshiron vdekjen e të gjithëve.
Trupin e vogëlushit me qafë të prerë, të shtrirë në një pellg gjaku, e ka gjetur xhaxhai i tij, në një objekt ndihmës të një shtëpie të braktisur. Trupi i viktimës ishte i mbuluar me një derë. Ai e kishte marrë atë në krahë për ta dërguar në ambulancë, por kur e kishte kuptuar se nipi kishte ndërruar jetë, atëherë e kishte lënë në rrugë, pasi ishte frikësuar se lëvizja e trupit nga vendi i krimit do t’i nxjerrë telashe hetuesisë.
Banorët e Miratocit shprehen të tronditur me atë që ka ndodhur. “Vetëm ndonjë i çmendur mund të veprojë kështu dhe ta masakrojë një fëmijë. Ndoshta këtë e kanë bërë edhe satanistët, por më shumë besoj se bëhet fjalë për hakmarrje“, ka thënë fqinji tjetër i Ibrahimëve, Enver J.
Një banor tjetër, Aron K., thotë se gjaku dhe plagët në kokë, qafë dhe trupin e fëmijës tregojnë qartë qëllimin e vrasësit që të gjithë ta shohin se si një fëmijë torturohet dhe vritet.
“Me qëllim i është prerë qafa dhe është lënë t’i rrjedhë gjak“, ka theksuar ai.
Planifikimi i krimit
Pesëvjeçari Nijazi Ibrahimi bashkë me një shok ishin nisur nga enti parashkollor drejt shtëpive të tyre rreth orës 13 00, ndërkaq nga prapa i kishte përcjellë një burrë. Shoku i Nijaziut kishte hyrë në një dyqan dhe një person aty brenda nuk e kishte lënë të dalë jashtë, duke e pyetur diçka dhe duke i ofruar biskota. Kështu, vogëlushi fatkeq e kishte vazhduar rrugën i vetëm drejt shtëpisë.
Banorët e Miratocit besojnë se personi, i cili e kishte ndalur shokun e Nijaziut në dyqan, ishte hakmarrësi-urdhërdhënësi i krimit, ndërkohë që vrasësi e kishte pritur viktimën më tutje në rrugë.