Të ndarë për Gjykatën

Partitë politike ende s’e kanë saktësuar se çfarë interpretimi ligjor do të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me votimin e kontestuar të Presidentit të vendit.
Ato ende nuk po e dinë saktësisht se a do të kërkojnë interpretim nga Gjykata se është shkelur Kushtetuta, apo Rregullorja e Punës e Kuvendit të Kosovës. Asnjëra prej këtyre dy dokumenteve nuk e saktëson se tri raundet e votimit do të duhej të bëheshin pa pauzë.
Pikërisht pauza e dhënë nga Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, në ditën e votimit të Presidentit, është duke u përdorur si shkas nga një pjesë e opozitës për të kërkuar interpretim kushtetues.
Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që të mos merret fare me pretendimet e LDK’së dhe AAK’së, të cilat ende as nuk i kanë mbledhur 30 nënshkrimet e deputetëve për të dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese.
Udhëheqësi aktual i AAK’së, Blerim Shala, ka thënë se ende janë duke shqyrtuar mundësinë që ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese për të interpretuar mënyrën e zgjedhjes së Behgjet Pacollit për President. Mirëpo, sheh vështirësi në dykuptimësinë e Kushtetutës sa i përket zgjedhjes së shefit të shtetit.
“Mendoj se formulimi që ekziston aktualisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sa i përket përzgjedhjes së Presidentit, është plot ambivalenca, plot mundësi të interpretimeve të ndryshme. Megjithatë, aty nuk specifikohet që tri raunde duhet të zhvillohen brenda një dite, apo që duhet të zhvillohen një pas një”, ka thënë Shala për REL.
Edhe Burim Ramdani nga e njëjta parti thotë se tashmë lënda e Pacollit është në duart e ekspertëve.
“Nëse ekspertët na thonë se ka lëndë, ne e dërgojmë. Nëse nuk ka lëndë, s’e dërgojmë”, ka thënë Ramadani i AAK’së, i cili pret përkrahje edhe nga Jakup Krasniqi.
“Kur të përgatitet lënda, unë besoj se edhe Jakup Krasniqi do ta nënshkruajë, nëse e dorëzojmë. Se ai vetë e di që e ka shkel rregulloren”, ka shtuar ai.
Megjithëkëtë, partia më e madhe opozitare, LDK, duket se ka vendosur që t’i drejtohet Gjykatës për këtë çështje.
“LDK është në proces të përgatitjes së lëndës dhe do të marrë hapat konform ligjit dhe Kushtetutës”, ka thënë deputeti i LDK’së, Arben Gashi.
Ai ka sqaruar që nuk ka dilema se do t’i drejtohen institucionit më të lartë ligjor për të sqaruar përfundimisht mënyrën e votimit të Presidentit.
Ndërkohë, Vetëvendosje ka vendosur të mos identifikohet me asnjë hap me dy partitë tjera opozitare.
Glauk Konjufca thotë se është mirë që partitë tjera të dërgojnë Behgjet Pacollin në Gjykatën Kushtetuese, megjithëse thotë se ende nuk kanë vlerësuar se a ka shkelje të lehta apo të rënda të Kushtetutës.
“Valla ne jo, e ata kish qenë mirë me e dërgu. Po, ka shkelje për gjykatë, por nuk e di a janë të lehta apo të rënda”, ka thënë Konjufca për Express, të shtunën.
Megjithëkëtë, profesori i të drejtës kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, Xhavit Shala, thotë se partitë politike së pari duhet të saktësojnë pretendimet për shkeljet që kanë ndodhur në Kuvend, e pastaj t’i drejtohen Gjykatës.
Ai ka sqaruar se votimi në Kuvend i Presidentit është bërë konform Kushtetutës, duke marrë në raundin e tretë votat e më shumë se gjysmës së deputetëve.
“Në nenin 86, pika 5 thuhet se nëse nuk dy raundet e para asnjëri prej kandidatëve nuk i arrin 2/3 e votave, në raundin e tretë kandidati që fiton më shumë se gjysmën e deputetëve zgjidhet president. Votimi ka qenë konform Kushtetutës”, ka thënë ai.
Se a ka pasur shkelje të rregullores së punës, Shala thotë se i takon udhëheqjes së Kuvendit të ulet dhe të konstatojë se cilat prej neneve të saj janë shkelur gjatë votimit të Presidentit.
Edhe për pauzën e kontestuar gjatë votimit, Shala thotë se nuk ka pasur shkelje.
“Nëse është kërkuar pushimi nga një deputet dhe kryetari e ka dhënë pauzën, atëherë ku është çështja? Kërkesa e z. Kuqi për pauzë është miratuar nga Kryetari i Kuvendit”, ka thënë ai.
Por, a duhet të jep dorëheqje dikush në këtë situatë?
“Dorëheqja është akt moral. A jep dorëheqje z. Pacolli, z. Krasniqi që thotë se e ka shkelur rregulloren, apo z. Thaçi si kryeministër - u takon atyre personalisht”, ka thënë Shala.
Zgjedhja e Behgjet Pacollit vazhdon të kontestohet nga partitë opozitare, të cilat po mbështeten edhe nga Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ky i fundit ka deklaruar se është shkelur Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës në momentin që është kërkuar pauzë, kur është dashur të shkohet në votimin e fundit për të zgjedhur Presidentin.