Nis zgjedhja e drejtuesve në Universitetin “Aleksandër Moisiu”
Durrës- Universiteti i Durrësit është përfshirë në zgjedhjen e organeve drejtuese. Mbi 2200 studentë si dhe personeli akademik dhe ai administrativ i universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit kanë nisur, dje, procesin zgjedhor për autoritetet dhe organet drejtuese të këtij universiteti. Zëvendësrektori i universitetit, Mit’hat Mema u shpreh se tre qendrat e votimit që u korrespondojnë fakulteteve të Edukimit dhe Ekonomi-Biznesit si dhe Shkollës së lartë profesionale do të qëndronin të hapura deri në orën 16.00 të ditës së djeshme. Mema shpjegoi se zgjedhjet synojnë të përzgjedhin emrin e Rektorit, të krijojnë Senatin akademik si dhe Këshillin e administrimit dhe atë të tre fakulteteve. Kandidatura e vetme për postin e Rektorit është ish-rektori Agim Kukeli, ndërsa votimi për Dekanët e fakulteteve respektive nuk do të zhvillohet për shkak të mangësive në curriculumet e kandidatëve të paraqitur. Rezultatet priten të dalin ditën e sotme.
17 Korrik 2008