E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronësia, gangrena e nismave ekonomike



Nga Urim Kola

Shqipëria 1 Euro”, taksa e sheshtë apo edhe ndonjë nismë tjetër e kësaj natyre, shihet qartë se kanë qenë nisma që nuk kanë luajtur ndonjë rol të rëndësishëm në tërheqjen e investitorëve të huaj. Këto nisma të paraqitura me shumë bujë nga qeveria, duket se nuk kanë dhënë efektin që pritej në ekonominë e vendit. Paketa e nismave lehtësuese për bizneset e ofruar nga qeveria, të reklamuara më shumë edhe si nisma personale të Kryeministrit Berisha, duket se janë në fakt paketa reformash që nuk kanë justifikuar ende energjinë e investuar. Ato më shumë kanë hapur telashe me grupet e interesit, të tilla si organizatat e biznesit, ish- pronarët e deri te qytetarët e thjeshtë, të cilët janë viktimat kryesore të taksës së sheshtë. Një pjesë prej pengesave janë theksuar nga disa organizma financiarë që mbikqyrin ekonominë shqiptare, të tjera edhe nga vetë investitorët e huaj. Problemi i pronësisë renditet i pari, pasi nuk lejon të sigurohet një truall apo pronë tjetër e sigurt, ku mund të ngrihen kapacitete për të bërë biznes. Edhe kur ndodh të gjendet një pronë e disponueshme, kanë qenë të shumta rastet, kur shumë “pronarë të tjerë”, kanë çuar investitorin në gjykatë, sepse ky i fundit kishte lidhur kontratë me njeriun e gabuar. Por, dublimi i pronësisë nuk është hendeku i vetëm që ndan Shqipërinë nga investitorët. Pengesa tjetër, para se të arrihet te barra e lartë fiskale, apo te oferta fantazmë me vlerë 1 euro, është pasiguria ligjore. Kjo e fundit është rrjedhojë e nivelit të lartë të korrupsionit apo klientelizmit politik në drejtësinë shqiptare, veçanërisht në gjykata. Siç vihet re problemet e pronësis mbeten pengesa kryesore e zhvillimit ekonomik. Vetëm përkushtimi dhe voluntarizmi pozitiv, të mishëruara në ligje demokratike dhe në të Drejtat Universale të Qytetarëve, mund të garantojnë ligjërisht dhe të ndikojnë, nëpërmjet nëpunësve të përkushtuar, zbutjen dhe pakësimin e problemeve të akumuluara në sistemin e drejtësisë dhe administratën tonë.
Ndër viktimat më të mëdha të informalitetit në vendin tonë, është tregu i kapitaleve, brenda të cilit tregu i tokës dhe i pasurive të paluajtshme, ndodhet në gjendje të mjerueshme. Për pasojë, edhe kriza e rëndë e sistemit të hipotekave, ka gjasa të mos tejkalohet asnjëherë sa kohë që, ky sistem, ndonëse ka 15 vjet që funksionon, sidomos në përcaktimin dhe evidentimin e pronësisë private dhe titujve pronësorë, sipas të dhënave statistikore ende nuk ka arritur të formulojë e saktësojë më shumë se 15 përqind të totalit të pasurive të paluajtshme të vendit. Por kur merr në konsideratë edhe faktin se shumica e titujve pronësorë janë regjistruar në emër të qytetarëve "jopronarë", pas të cilëve qëndrojnë politikanë dhe pushtetarë që i tremben verifikimit të pasurive, si dhe faktin që mbi shumicën e pronave të paluajtshme ka mbivendosje, mund të konkludohet lehtësisht se edhe shifra e mësipërme, (përveç kontigjentit të apartamenteve dhe dyqaneve private të regjistruara në fillim të viteve '90-të), është pothuajse fiktive dhe fsheh shumë konflikte pronësore. Në këtë kuptim, sado përkushtim nga drejtuesit e Hipotekave për përmirësimin rrënjësor të gjendjes, rrezikon të nulifikohet për shkak të konflikteve të brendshme dhe pasaktësive ligjore, kushtetuese dhe formale, që qëndrojnë në themel të dokumentacionit me të cilin operojnë hipotekat. Pra as integriteti moral dhe principialiteti i lartë i stafit të ri drejtues të Hipotekave shqiptare, nuk mund të garantojë drejtësi dhe bazueshmëri në ligj. Dhe kjo sepse, p.sh., një shtetas i cili si origjinë të sigurimit të pronësisë mbi tokën paraqet tapinë e marrë konform Ligjit 7501, ai nuk mund të jetë i sigurt në regjistrimin e pasurisë së mësipërme, sa kohë që nenet 41 dhe 181 të kushtetutës sonë, përcaktojnë qartë se rrugët e përftimit dhe njohjes së pronësisë janë krejt të ndryshme nga ato që shtetasi në fjalë paraqet si dokumenta të zotërimit të pronësisë. Aq paradoksale është bazueshmëria në ligj e posedimit të pronës sipas ligjit 7501, saqë nëse "pronari i ri" do të ndodhej, supozojmë, para Gjykatës së Strasburgut dhe përballë pronarit legjitim me tapi të kohës së Mbretërisë Shqiptare, ai padyshim që do ta humbiste gjyqin dhe rrjedhimisht edhe pronësinë mbi këtë pronë të dhuruar në vitet 1991-1992. Kjo është edhe arsyeja e bllokimit të konsiderueshëm të tregut të kapitaleve në vendin tonë dhe e mungesës së investimeve strategjike, pavarësisht vullneteve politike dhe marrëveshjeve të nënshkruara nga qeveritë paspluraliste me qeveri, kompani dhe operatorë privatë të huaj. Sa kohë që në tregun tonë të kapitaleve, kryesisht të tokës dhe pasurive të tjera të paluajtshme, ekzistojnë kundërvënie të formatit kushtetues, ligjor dhe në raport me kartat ndërkombëtare të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, në trajtën e pretendimeve për të njejtën pronësi, apo raste të mbivendosjes së pronave në hartat kadastrale e genplanet hipotekore, ne kurrë nuk do të mund të përmirësojmë dhe institucionalizojmë në parametrat e duhur punën, funksionimin, vlefshmërinë, bazueshmërinë ligjore dhe saktësinë e evidentimit të pronave e titujve pronësorë. Dhe sa kohë që vijojnë të mos marrin zgjidhje këto probleme e përplasje të kuadrit ligjor, ku kushtetuta aktuale nulifikon ligjet tona dhe rrjedhojat pasvepruese lidhur me pronësinë, as që mund të mendohet se shqiptarët do të mund të rigjallërojnë, rifunksionalizojnë dhe shfrytëzojnë me efiçiencë tregun e kapitaleve, si një nga komponentët më kryesorë të tregut të lirë, për ta përdorur atë për interesat afatgjata të zhvillimit të vendit. Ndaj, askush me mend në kokë, nuk shpreson se, me këto handikape e përplasje kushtetuese, ligjore e të të drejtave të Njeriut, problemet e evidentimit të pronësisë dhe regjistrimet e "ndershme" hipotekore, mund të përmirësojnë situatën alarmante në këtë sektor të rëndësishëm të administrimit të pasurive të shqiptarëve. Për sa kohë që nuk zgjidhet problemi i pronësis, për aq kohë do të vijoj që edhe ekonomia të lëngojë. Pa u zgjidhur më parë ky problem, të gjitha nismat ekonomike me karakter lehtësues, sado të mira të duken apo të formulohen në letër, do të jenë të destinuara të dështojnë në praktikë.

17 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›