E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbimi i Toksikologjisë zhvendoset në QSUT



Qeveria miratoi kalimin në varësi administrative të shërbimit universitar të toksikologjisë klinike nga Ministria e Mbrojtjes në Ministrinë e Shëndetësisë. Arsyeja e zhvendosjes së shërbimit të Toksikologjisë në QSUT u bë për shkak se nevojitet zgjerimi i këtij shërbimi, duke e kthyer në të ardhmen në një klinikë Universitare Polivalente Adiktive, e cila do të drejtojë të gjithë procesin ku përveç trajtimit të intoksikacioneve të bëhet dhe prevencioni dhe të ndiqet detoksikimi dhe rehabilitimi i pacientëve. Kapaciteti aktual i shërbimit të toksikologjisë është i pamjaftueshëm për përballimin e rasteve që drejtohen çdo ditë në Repartin e Toksikologjisë, pranë Spitalit Ushtarak. Në këtë qendër drejtohen pacientë që janë në gjendje të rëndë dhe nuk ka ambiente për trajtime afatgjate të pacientëve, por thjesht kurime për një kohë të shkurtër deri në kapërcimin e krizës së rastit. Shërbimi universitar i toksikologjisë klinike do të ketë 12 shtretër klinikë dhe 2 shtretër në njësinë e terapisë intensive. Sipas, Ministrisë së Shëndetësisë në numrin e përgjithshëm të punonjësve do të shtohen edhe 9 punonjës të tjerë. Shpenzimet për mallra e shërbime, për shërbimin universitar të toksikologjisë klinike, deri në fund të vitit 2008 do të përballohen nga buxheti i këtij viti, miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes. Shërbimi universitar i toksikologjisë klinike, deri në sigurimin e mjediseve të përshtatshme, brenda vitit 2010 do të realizojë veprimtarinë e vet në mjediset dhe me pajisjet e Spitalit Universitar Qendror të Ushtrisë, që përcaktohen nga drejtoria e këtij institucioni. Sipas një raporti të Ministrisë së Shëndetësisë, shtimi i numrit të vartësve nga substancat narkotike shkon në 35 mijë persona të cilët kërkojnë trajtim mjekësor të specializuar. Ndërsa rritja e preferencës për administrim intravenoz të drogës çon në rritjen e propabilitetit të infektimit nga sëmundje të transmetueshme si HIV/AIDS, Hepatit B e C, si dhe kapaciteti i pamjaftueshëm në shtretër për përballimin e rasteve çoi në propozimin e këtij projektvendimi.

17 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›