Shpërndahet bonusi për mjekët dhe infermieret në qendrat shëndetësore
Emanuela Sako
Shpërndahet bonusi për mjekët dhe infermierët që rrisin cilësinë e shërbimit në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Pagesa që do të përfitojnë bluzat e bardha është 10 për qind shtesë page në bazë të numrit të vizitave të realizuara gjatë tremujorit të 2008-ës. Nga vlerësimi i mjekëve do të përfitojnë 9 mijë mjekë. Cilësia e shërbimit në të gjitha qendrat shëndetësore për 3 mujorin e parë të vitit 2008 është rritur në masën 70-80 për qind. Kjo rritje është verifikuar për disa rajone si Berati, Korça, Durrësi etj. Sipas të dhënave të ISKSH-së është rritur ndjeshëm treguesit e punës së kryer në qendrat shëndetësore krahasuar me nisjen e reformës në shërbimin shëndetësor parësor. Vendosja e standardeve për cilësinë e shërbimit, e shoqëruar me stimul financiar për qendrat shëndetësore, ka sjellë ndryshime të rëndësishme.
Standardet
Për të bërë vlerësimin e punës së mjekëve në qendrat shëndetësore, ISKSH-ja vendosi disa standarde bazë, për të matur cilësinë. Standardi i kërkuar është 12 vizita në ditë nga mjeku i familjes për të gjitha grupmoshat në zonat urbane. Ndërsa, numri i vizitave në një ditë në zonat fushore e kodrinore duhet të jetë 9 vizita në ditë. Në zonat malore e malore e thellë duhet të kryejnë vizitë 6 pacientë dhe duhet të kryhen 10 vizita në ditë nga mjekët për fëmijë dhe specialistë të kontraktuar me ISKSH-në.
ISKSH-ja tregon se bilanci i vizitave nga 3-mujori i parë i 2006-ës dhe deri në 3-mujorin e parë të 2008-ës ka ardhur duke u rritur me 9.1 vizita në ditë. Numri i vizitave ditore për mjek për 3-mujorët e parë të viteve 2006-2007-2008 dhe respektivisht është nga: 5.9 vizita në 2006 në 7.8 vizita në 2007 dhe në 9.1 vizita në 2008 ose e shprehur në përqindje, kjo rritje mund të pasqyrohet në këtë mënyrë, ku numri mesatar ditor i vizitave për mjek krahasuar me vitin 2006 u rrit me 32% dhe 54% në vitin 2008.
Qendrat
Fshatrat në zonat e thella kanë numrin më të ulët të vizitave që kryejnë në qendrat shëndetësore. Kjo vjen për faktin se të gjithë pacientët në zonat e thella kërkojnë të kryejnë vizita në qendrat shëndetësore më të mëdha dhe të afërta, për shkak të ofrimit të një shërbimi më të mirë. Ndërsa kriteri tjetër që nuk plotësohet është edukimi i vazhdueshëm mjekësor i mjekëve, i cili synohet të bëhet i përhershëm nga Ministria e Shëndetësisë. Rajonet që kanë arritur të kenë përqindje më të lartë të vizitave dhe shërbimit që kryhet janë rajone si Tirana, Korça apo Durrësi, që kanë arritur të sigurojnë që herën e parë afro 65-70% të bonusit. ISKSH-ja ka kontrata me 418 qendra shëndetësore në shkallë vendi, të cilat mbulojnë shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor. Numri më i madh i këtyre qendrave shtrihet në rajonin e Elbasanit me 52 qendra, rajoni i Fierit me 45 qendra, rajoni i Tiranës me 40 qendra, rajoni i Korçës me 39 qendra, rajoni i Shkodrës me 37 qendra dhe rajoni i Dibrës me 35 qendra.
Nr mes. I vizitave ditore
DRSKSH
2006 2007 2008
Rajoni Qytet Fshat Rajoni Qytet Fshat Rajoni
BERAT 6.9 10.9 5.8 8.35 13.4 6.5 10.0
DIBER 5.4 9.9 6.8 8.35 12 8 10
DURRES 3.7 6.5 2.8 4.65 8 5.4 7
ELBASAN 4.75 7.8 4.6 6.2 8.5 5.8 7.2
FIER 6.9 11.2 8.9 10.05 12.1 9.2 11
GJIROK. 5.45 9.8 3.4 6.6 10 4 7
KORÇE 8.3 12.4 7.3 9.85 14.3 8.6 11
KUKES 3.1 6.1 5.7 5.9 9.3 7.2 8.3
LEZHE 4.85 8 5.6 6.8 10 6.1 8.1
SHKODER 5.9 10.7 5.7 8.2 11.1 5.1 8.1
TIRANE 10 12.4 10.4 11.4 14.1 11.3 13
VLORE 5.55 9.5 5.2 7.35 12 7 10
TOTALI 5.9 9.6 6.0 7.8 11.2 7.0 9.1
Kushtet
Përqindja e pacientëve të regjistruar që janë vizituar për herë të parë (PVHP) brenda vitit nga MF.
Kosto mesatare e recetave për diagnozë, për diagnoza të zgjedhura
Përqindja e pacientëve kronikë të vizituar çdo muaj nga mjekët e familjes
Përqindja e grave shtatzëna që marrin vizitën e parë brenda tremujorit të parë
Përqindja e fëmijëve të moshës 0-14 vjeç të vaksinuar plotësisht
Përqindja e stafit që merr pjesë në Edukimin Mjekësor të Vazhdueshëm
17 Korrik 2008