E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjet në nevojë, tani 750 lek më shumë nga ndihma ekonomike



Jonida Tashi

Familjet e varfëra, duke filluar që nga muaji aktual e në vazhdim, do të përfitojnë 750 lekë më shumë nga ndihma ekonomike. Rritja e çmimeve dhe inflacionit në vend e ka detyruar qeverinë që të mendojë edhe për mbijetesën e këtyre familjeve. Sipas qeverisë, kjo rritje mbulon jo vetëm inflacionin, por krijon mundësi edhe për një përmirësim të mëtejshëm të nivelit të pagesës për këtë kategori sociale. Kështu, qeveria, në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, ka vendosur një shtesë prej 150 milionë lekësh në fondin e ndihmës ekonomike (NE). Ky fond shtesë, do t’u vihet në dispozicion më shumë se 90 mijë familjeve në nevojë në vendin tonë, të cilat janë të përfshira në skemën e ndihmës ekonomike. Aktualisht, pagesa e ndihmës ekonomike në vendin tonë është 7 mijë e 500 lekë në muaj. Më rritjen e re të vendosur dje nga qeveria, kjo pagesë shkon në masën 8 mijë e 250 lek. Por, pavarësisht kësaj rritjeje, për familjet e varfëra e sidomos për ato me shumë pjestarë të përballosh muajin me këtë pagesë është tepër e vështirë.
Reduktimi
Në zbatim të politikave sociale të qeverisë për zbutjen e varfërisë synohet që përfituesit e ndihmës ekonomike të jenë më të paktë, ndërsa pagesa që përfitohet të jetë më e lartë. Krahasuar me vitin e mëparshëm skema e ndihmës ekonomike ka ardhur duke u reduktuar. Pak ditë më parë abuzimet me përfitimin e ndihmës ekonomike kanë bërë që të nxirren nga skema rreth 3167 famije. Këto familje, të cilësuara si në nevojë, e përfitonin në mënyrë abuzive këtë pagesë. Ndërkohë ecuria dhe dinamika e programit të NE, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008, tregon se është përforcuar tendenca e uljes së numrit të familjeve përfituese nga ky program. Aktualisht, janë rreth rreth 93 500 familje të varfëra që përfitojnë NE ose rreth 7500 familje më pak krahasuar me dhjetorin e vitit 2007.
Kontrolli
Vendosja e kontrollit për cilësinë e informacionit që duhet të japin institucionet që veprojnë në nivel vendor lidhur me të dhënat e domosdoshme që vërtetojnë të ardhurat e familjeve aplikante, pritet të kufizojnë mundësinë e përfitimit abuziv të individëve dhe familjeve të ndryshme.
Pikërisht, për të evituar këto probleme, qeveria ka përcaktuar rregullat dhe masat që do të zbatojë autoriteti kontrollues lidhur me shkeljet e rregullave, duke përcaktuar të drejtën e dhënies së: gjobës, vërejtje me shkrim, propozim për largim nga puna; propozim për fillimin e procedurave nga autoriteti kompetent, për punonjësit që kanë abuzuar me detyrën. Sipas Ministrisë së Punës, këto masa do të rrisin autoritetin dhe efikasitetin e punës së organeve kontrolluese duke krijuar mundësi për parandalimin e rasteve abuzive dhe adresimin e fondeve buxhetore realisht tek njerëzit më në nevojë. Gjatë inspektimeve të ushtruara për tremujorin e parë të vitit 2008, janë konstatuar raste të: Moszbatimit të legjislacionit të përfitimit të ndihmës ekonomike për 3167 familje me një efekt financiar 8 102 000 lekë; Moszbatim të legjislacionit të përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar për 740 raste me një efekt financiar 6 410 000 lekë. Për të gjitha këto shkelje të konstatuara, janë propzuar gjithsej 69 masa administrative, nga këto 5 largime nga puna, 53 vërejtje me shkrim, 11 gjoba për personat përgjegjës si dhe është lënë detyrë për tu kthyer shuma 5 765 000 lekë e përfituar padrejtësisht.
Puna
Për kushtëzimin e ndihmës ekonomike me punë komunitare, është vendosur kriteri që, familjet që nuk marrin pjesë përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike. Të gjitha komunat dhe bashkitë janë të detyruara që shpërndarjen e NE ta kushtëzojnë çdo muaj me pjesëmarrjen e personave të aftë për punë të familjeve aplikante në punë komunitare me kohë të pjesëshme, disa ditë në muaj. Në këtë mënyrë, do të realizohet transparenca në shpërndarjen e fondeve duke realizuar edhe një kontroll mw të plotë nga të gjithë pjesëmarrwsit lidhur me punësimin në punë informale, emigracionin etj. Po ashtu bashkitw/komunat, që kanë të ardhura të mjaftueshme nga taksat vendore, u rekomandohet, t’u krijohet mundësia të organizojnë projekte me kohë të plotë pune dhe me pagë minimale të plotë duke siguruar edhe pagesën e sigurimeve shoqërore. Në këtë rast, përveç fondeve që i përkasin familjes sipas kritereve të ndihmës ekonomike, bashkia është e detyruar të plotësojë me fondet e veta pagën minimale, si dhe sigurimet shoqërore për pjeswmarrësit. Familjet që nuk pranojnë të marrin pjesë në punët komunitare me kohë të pjesshme apo dhe në projektet me kohët të plotë pune, përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike.

Procedurat për ndihmën ekonomike
Vlerësimi i varfërisë së familjeve që kanë më pak se 2 dollarë në ditë shpenzime për frymë për mbulimin e nevojave jetësore të tyre
Përcaktimin e informacionit dhe dokumentacionit që nevojitet për vlerësimin e nivelit të varfërisë të familjeve aplikante
Informacionin që duhet të plotësojnë institucionet e administratës publike që veprojnë në nivel vendor lidhur me të ardhurat e aplikantëve nga puna, biznesi, prona, aktivitetet e tjera ekonomike si dhe informacion nga sistemi i pensioneve apo përfitimet e tjera të programeve të mbrojtjes sociale

17 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›